24 fotografitë që pasqyrojnë tensionin 24 orësh në veri të Kosovës - NACIONALE

24 fotografitë që pasqyrojnë tensionin 24 orësh në veri të Kosovës

3 vjet më parë

nga Festim Gërguri

“Krraku” i xhamave të thyer në tokë kur ecën përreth dhe pluhuri ende në ajër që të bllokon frymëmarrjen si pasojë e shpërthimit të një granate dore, tregojnë më së miri se serbët e veriut të Kosovës nuk duan zgjedhje atje.

Derisa flamujt serbë valojnë në ballin e ndërtesës, zyra bashkë me të gjithë materialin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) qëndron e demoluar.

Të gjitha fotografitë janë realizuar nga Visar Kadrolli.

24 orë pas shpërthimit, afër zyrës nuk shihet asnjë shenjë e autoriteteve të Kosovës, përveç një patrulle e policisë – 500 metra larg, në Urën e Ibrit, afër “Carabinierit” italian.

Zymtësia e dhjetorit pa borë i jep edhe më shumë kuptim pasigurisë nga mungesa e policëve të Kosovës rrugëve të veshura me flamuj serbë nëpër Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok.

Shpërthimet që u raportuan në media nuk u vërtetuan zyrtarisht nga autoritetet në veri, edhe pse të gjithë përgjohen nga kamerat dhe provokohen nga njerëzit, veçanërisht gazetarët që udhëtojnë me targa RKS.

Vendosja flamujve serbë (kudo që mund të vendosen) sikur ka për qëllim të mos vërehet fakti se ky simbol i Kosovës nuk ekziston në një komunë kosovare.

Ironike: përballë komunës në Zubin Potok, të parkuara afër njëra-tjetrës si dy motra në hasmëri, bien në sy dy vetura me targa “RKS 02” dhe “SRB KM”.

Sikur të mos mjaftonin qindra flamuj serbë nëpër sheshin “Car Llazar”, dy monumente të heshtura të përçojnë mesazhe nacionaliste “Kosova është Serbi”, “... se nga këtu nuk ka kthim prapa”.

24 orë më parë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, njoftoi se në këto dy komuna me shumicë serbe, pati incidente teksa policia po shoqëronte autoritetet zgjedhore.

Katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – kanë mbetur pa kryetarë që nga nëntori, pas dorëheqjes së tyre.

Ata kanë dhënë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila me mbështetjen e Beogradit zyrtar i udhëhoqi këto komuna - i kundërshton zgjedhjet e reja njëherë përnjëherë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve në këto katër komuna.

Por, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, vlerësoi se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, të caktuara më këtë datë.

Hovenier, tha se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës "duhet të jetë prioriteti më i lartë".

Në krejt këtë hallakatmë, është KFOR-i ai që ruan paqen nën shoqërinë e pëllumbit si simbol i saj.

Lajme të ngjashme