Po përflitet shkarkimi i tij: Rektori i UP-së thotë se Nagavci është e përfshirë - NACIONALE

Po përflitet shkarkimi i tij: Rektori i UP-së thotë se Nagavci është e përfshirë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kohëve të fundit është përfolur për një shkarkim të mundshëm të rektorit të Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti nga kjo pozitë. Ky i fundit, është i bindur se në krejt këto zhvillime është e përfshirë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Gjatë ditës së nesërme do të mbahet një mbledhje e Këshillit Drejtues, ku po raportohet se mund të diskutohet për shkarkimin e rektorit Sahiti.

Ky i fundit, në Pressing, po pretendon se ka bërë më të mirën për drejtimin e Universitetit të Prishtinës.

“Mos harroni që nga dita e parë kom heqë dorë nga të gjitha orët, që me rregullore më takojnë, isha pagu ekstra, por të gjitha i kam lënë që t’i përkushtohem në tërësi UP-së. Nuk jam pishman fare në atë aspekt, reagimet në opinion më bëjnë të ndihem mirë se megjithatë është kuptu mesazhi që puna është bërë në punën më të mirë që ka mujt me u bo në ato rrethana”, tha Sahiti.

Ai ka folur edhe për ministren Arbërie Nagavci, për të cilën u shpreh i bindur se është e përfshirë në krejt këto zhvillime.

“Nuk mundem të flas për qeverinë në tërësi, sepse nuk e di se si konsultohen ndërmjet vete, por po, ministrja është e përfshirë në këtë zhvillim të ri për UP-në. Përndryshe, ka disa ministri me të cilat kemi pasur bashkëpunim korrekt”, ka thënë Sahiti.

Pse po kërkohet shkarkimi?

Sipas rektorit të UP-së, arsyet pse po kërkohet që ai të shkarkohet kanë të bëjnë pasi nuk pranon direktiva nga grupe të ndryshme.

Megjithatë, ai nuk ka treguar se për cilat grupe e ka fjalën.

“Ajo është çështje koti, mendoj që arsyet e vërteta janë krejt dikund tjetër dhe lidhen që nuk jam njeri që punoj në bazë të direktivave të njërit grup dhe tjetrit, por i kam parimet e mia dhe i respektoj dispozitat ligjore”, deklaroi ai.

Sahiti tha se nuk ka kurrfarë lidhje me Partinë Demokratike të Kosovës dhe se nuk ka qenë në ndonjë takim të kësaj parite.

“Jo që s’jam zyrtar i PDK-së, por as që kam qenë në ndonjë takim apo që kam ndonjë fotografi me struktura e tubime të PDK-së. As mbështetje publike kurrë s’i kam bërë”, theksoi në fund ai.

Renditja: UP i parafundit në rajon

Universiteti i Prishtinës sipas rangimit të “Webometrics” zë pozitën e 3031 në botë. Në krahasim me rajonin, vetëm Universiteti i Tiranës është më poshtë në renditje, duke zënë vendin e 3786.

Universiteti i Prizreni “Ukshin Hoti”, ishte radhitur i dyti në Kosovë për nga cilësia, më konkretisht, në pozitën 12522.

Duhet përmendur faktin se në krahasim me universitetet tjera publike, UP qëndron dukshëm më mirë.

Universiteti i Prizrenit "Ukshin Hoti", që është i dyti në Kosovë për nga cilësia, është hiç më pak se 9491 pozita më poshtë. Pra, 12522. Por, ky lajm duket t’i ketë gëzuar autoritetet e këtij universiteti.

Kjo pasi, përmes një komunikate në sajtin zyrtar, UPZ ka shkruar se universiteti i tyre ka regjistruar ngritje për 1000 pozita.

Më pas renditet Universiteti i Mitrovicës, “Isa Boletini”, që zë vendin e 13162 në rruzull. Pasohet nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe ai “Kadri Zeka” në Gjilan.

Lajme të ngjashme