Po çelet në momentin më të keq partia e Vjosa Osmanit në Prishtinë: Siklet me njerëz, instruksione nga Presidenca - NACIONALE

Po çelet në momentin më të keq partia e Vjosa Osmanit në Prishtinë: Siklet me njerëz, instruksione nga Presidenca

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Telashet e partisë së Vjosa Osmanit shkojnë përtej telasheve me mbiemra nga anëtarët e saj, siç kishin pasur Faton Peci e Burim Meta (ish Karameta). Këto telashe po paraqiten edhe në ditën e sotme, kur po bëhet një hap i madh drejt themelimit të partisë më të re në Kosovë.

Sot është dita kur pritet të themelohet dega e Listës Guxo në Prishtinë. Por, kjo ditë nuk ka mundur të jetë më e nxehtë, megjithëse jo sa i përket temperaturave por sa i përket zhvillimeve rreth dhe jashtë bashkëpunëtorëve të Vjosa Osmanit, presidentes së vendit.

Lista Guxo fillimisht quhej nga bashkëpunëtorët e Vjosa Osmanit si “Lista Vjosa” sepse ishte nisur nga presidentja e vendit dhe bashkëpunëtorët e saj.

Por, kjo parti politike megjithatë ka dështuar ta etablojë veten në skenën partiake politike për shkak të lidhjes së fortë me Vetëvendosjen në të tashmen, dhe lidhjes së fortë me Lidhjen Demokratike (LDK) në të kaluarën.

Një ndër hapat e parë të themelimit të kësaj partie do të bëhet sot, prej orës 17:30 në një hotel luksoz në qendër të kryeqytetit.

Lajmi për aktin themeltar të partisë ishte paralajmëruar qysh para dy ditësh nga faqja zyrtare e partisë e quajtur “Partia Guxo”. Në këtë ngjarje janë të ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës por numri i pëlqimeve në postim duket shumë i vogël.

Mes pëlqyesve të postimit ishin ministri Faton Peci, zv. Ministri Blerim Gashani, deputeti Haxhi Avdyli por jo edhe figura të tjera të rëndësishme të partisë së Jeta Statovci, Burim Meta (ish Karameta) apo Doarsa Kica - Xhelili.

Kjo e fundit, besohet madje se nuk do të jetë fare pjesë e partisë së themeluar nga ana e bashkëpunëtorëve të Vjosa Osmanit.

Doarsa megjithatë pritet të vazhdojë pjesëmarrjen në skenën politike vendore si pjesë e një partie tjetër politike.

Burime të gazetës Nacionale bëjnë me dije se në aspektin organizativ të partisë po ndikojnë edhe anëtarë të Kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani duke dhënë instruksione të caktuara. Osmani në bazë të Kushtetutës së vendit nuk duhet të jetë e asociuar me asnjë parti politike të vendit.

Sidoqoftë, ajo kishte vendosur hapat e parë të partisë qysh në kohën sa ishte ushtruese e detyrës së Presidentes së vendit, në fund të vitit 2020 dhe fillim të vitit 2021 kur kishte pritur në zyrë bashkëpunëtorët partiakë të saj.

Po ashtu, Osmani ishte kritikuar se e kishte vënë Presidencën në shërbim të “fushatës zgjedhore”.

“Vjosa e ka vënë Presidencën në shërbim të fushatës zgjedhore. Sot negociatat me Kurtin i bëri në Presidencë, kurse protokolli i Presidencës është parë duke e organizuar nënshkrimin e marrëveshjes. Çfarë keqpërdorimi i gërditshëm!” - kishte shkruar analisti Fitim Salihu në atë kohë.

Deri në këtë moment, nuk dihet nëse pjesëmarrëse në hapjen e kësaj partie politike do të jetë edhe vetë presidentja Osmani.

Kjo parti ende pa u hapur ka pasur probleme të shumta organizative, me shumë degë nëpër qytete të Kosovës të cilat kishin shprehur pakënaqësitë ndaj nivelit qendror.

Lajme të ngjashme