Gërvalla, Prindoni, Karameta, Avdyli: Njerëzit e Vjosa Osmanit që bënë bujë gjatë këtij viti - NACIONALE

Gërvalla, Prindoni, Karameta, Avdyli: Njerëzit e Vjosa Osmanit që bënë bujë gjatë këtij viti

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot është bërë rrafsh një vit prej që Vjosa Osmani-Sadriu u votua nga Kuvendi për të shërbyer si Presidente e Republikës në një mandat pesëvjeçar. Sot bëhen rrafsh katër vjet deri kur Lista Vjosa – edhe pse tashmë parti e regjistruar politike – pritet të bëhet tamam parti politike pas rikthimit në skenën partiake të presidentes. Në këtë tekst – për njëvjetorin e votimit të presidentes – do të trajtojmë njerëzit që rrethuan Osmanin gjatë këtij viti, për të kuptuar më shumë mbi të ardhmen e saj politike.

Vjosa Osmani-Sadriu është një politikane relativisht e re në moshë, vetëm 39 vjeçare, përkundër që angazhimi i saj në politikën e Kosovës është më i vjetër se Pavarësia (2008). Prandaj, është e vështirë të pritet që ajo do të pensionohet nga politika pas përfundimit të mandatit më 2026. Në pranverën e atij viti, ajo do të jetë vetëm 43 vjeçare.

Për shkak të detyrës si presidente e vendit, Vjosa nuk ka mundur të jetë politikania e zëshme dhe polemizuese si një herë e një kohë. Për të ruajtur karakterin unifikues që i evokon detyra, ajo ka mbetur përgjithësisht e heshtur në betejat e përditshme mes pushtetit dhe opozitës. Të paktën, ka mbetur e heshtur individualisht sepse njerëzit që e rrethuan ishin të zëshëm, shumë të zëshëm.

Para një motmoti, pra një të diele pasdite, kryeministri asokohe veç njëmbëdhjetë-ditor Albin Kurti, s’do të përtonte ta luante Hashim Thaçin vetëm e vetëm që t’i bënte numrat për t’i dhënë Vjosa Osmanit mandatin e presidentes. Bindi deputetë opozitarë që të rrinin në sallë, bindi deputetë që të votonin PRO, e njërën e bindi edhe që të kalonte krejt në partinë e tij.

Ky angazhim i madh i Kurtit gjatë asaj seance i kishte bërë edhe më skeptike partitë opozitare për rolin unifikues që mund ta kishte Vjosa Osmani. Skepticizmi e kishte burimin te angazhimi i saj partiak dekador, por edhe te koha që e kaloi si ushtruese e detyrës së presidentes kur i hidhte themelet e partisë në Zyrën e Presidentit.

“Vjosa e ka vënë Presidencën në shërbim të fushatës zgjedhore. Sot negociatat me Kurtin i bëri në Presidencë, kurse protokolli i Presidencës është parë duke e organizuar nënshkrimin e marrëveshjes. Çfarë keqpërdorimi i gërditshëm!”, shkruante analisti Fitim Salihu në atë kohë.

LISTA V J O S A ose G U X O

Lista Vjosa ose Guxo tashmë është regjistruar si parti politike dhe po pret që të bëhet me kryetaren dhe kryesinë e re. Ligji përcakton që koha për t’i zgjedhur organet vendim-marrëse është e kufizuar.

Donika Gërvalla Schwarz – ministre e Punëve të Jashtme – dhe Doarsa Kica Xhelili – deputete – janë përfolur si dy emrat e mundshëm për të udhëhequr me këtë parti deri në rikthimin e Osmanit në skenën partiake politike.

Sidoqoftë, përkundër mos-ekzistencës formale të deritashme, ka pasur një varg problemesh të shtruara si skandale që i janë shpërfaqur opinionit publik prej 4 prillit 2021 e deri sot.

Disa degë të kësaj partie politike kishin protestuar vazhdimisht ndaj mënyrës se si ishte menaxhuar procesi i formimit të partisë duke përmendur edhe premtime të pambajtura dhe ambicien për të garuar në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit 2021.

Në këtë pikë, i pari që ra në sy të publikut ishte Balton Dërguti nga Ferizaji.

“Lista Guxo nuk e kishte ndërmend që të regjistrohej si parti politike ose si iniciativë qytetare. Qëllimi ishte shkrirja në VV dhe ne në Ferizaj ishim të parët që ngritëm zërin dhe që paralajmëruam se do ta regjistrojmë një subjekt si iniciativë qytetare vetëm për komunën e Ferizajt”, kishte thënë ai.

Lista Vjosa, përveç pozitës së presidentes, gëzon edhe të tjera përgjegjësi të larta shtetërore. Ka një pozitë zëvendës-kryeministri, udhëheq me ministrinë e Punëve të Jashtme dhe udhëheq me Ministrinë e Bujqësisë.

Në një sondazh të fundit, kjo parti nuk doli të kishte mbështetje qytetare më shumë se 1.1 për qind edhe pse aktualisht ka pesë deputetë në Kuvendin e Kosovës.

G Ë R V A LL A

Donika Gërvalla-Schwarz është kandidatja kryesore për t’u zgjedhur kryetare e Listës Vjosa.

Shefja e diplomacisë tonë bëri përpjekje edhe për të reformuar shërbimin diplomatik të Kosovës, përmes një varg shkarkimesh e një varg emërimesh që nga opozita u konsideruan si “politike”. Sidoqoftë, numri i ambasadorëve të karrierës është rritur dhe numri i ambasadorëve politikë është zvogëluar gjatë kësaj periudhe.

Si një meritë të pakontestueshme, zonjës Gërvalla duhet t’i përmendim edhe komunikimin që i bëri vendimit për të hapur ambasadën e Kosovës pikërisht në Jerusalem, në këmbim të njohjes nga Izraeli.

Vlen të thuhet që Albin Kurti e Glauk Konjufca kishin qenë në mëdyshje për një gjë të tillë, dhe përfundimisht nuk kishin guxuar që të irritonin votuesit duke folur për një gjë të tillë.

Por, Donika Gërvalla-Schwarz ra në vëmendjen e medieve me anë të një numri të madh huqjesh që kishte bërë në Twitter. Gati në baza të përjavshme – e ndonjëherë edhe më shpesh – ajo huqte ose flamujt e shteteve, ose emrat ose funksionet e njerëzve që përmendte.

Pas spekulimeve se kryeministri Kurti i kishte kërkuar dorëheqjen, ajo reagoi ashpër duke i demantuar këta zëra.

Në fund, ishte vetë kryeministri që e mohoi një gjë të tillë.

P R I N D O N I

Prindon Sadriu është Zotëria i Parë i Kosovës. Ai është i martuar me presidenten dhe kjo i jep një sasi të konsiderueshme privilegjesh.

Dhe, Prindoni bëri bujë të madhe – ndoshta edhe më të madhe – se sa vetë presidentja Osmani. Ai i quajti mediet “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, la të nënkuptohej se presidentja e Kosovës kishte ‘mësuar’ Joe Bidenin t’i thoshte “kriminel lufte” presidentit rus Vladimir Putin, i kërkoi nja 300 euro si kompensim për ilaçet e Covid-19 kur pasuria e tij në bazë të të dhënave në AKK dilte marramendëse, e të tjera.

Për ta përmbledhur, Prindoni ishte saktësisht ajo që kishte irrituar masën e madhe me partitë që kishin qeverisur vendin prej shpalljes së Pavarësisë e këndej.

A mund të imagjinojmë se cila do të ishte kritika nga masa me kulturë seksiste ndaj fjalëve apo sjelljeve të z. Sadriu nëse ai do të ishte grua? Ose, a mund të imagjinojmë se cila do të ishte kritika e Vetëvendosjes për z. Sadriu nëse ai nuk do të ishte burri i presidentes?

Përveç si Zotëri i Parë, Sadriu udhëhiqte edhe me misionin diplomatik të Kosovës në Maqedoni të Veriut dhe shërben si rezervist në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

K A R A M E T A

Është raportuar se Burim Karameta ka ndërruar emrin në Burim Meta së fundi. Heqjen e asocimit me fallusin – organin gjenital mashkullor – z. Meta e ka bërë ndoshta duke dashur t’i ikte përbaltjeve në betejat e ndryshme politike. Shpresojmë që shembullin e tij të mos e ndjekë edhe Faton Peci, bashkëpartiak i tij, sepse do të mbeste krejt pa mbiemër.

Burim Karameta bëri jehonë të madhe në masën konservatore të shoqërisë me qëndrimet e tij kundër bashkësive të regjistruara civile për personat e seksit të njëjtë. Ai doli kundër Kodit Civil të propozuar nga Ministria e Drejtësisë, duke thënë që hapja e derës për këto bashkësi të regjistruara civile ishte edhe hapje e derës për martesat e seksit të njëjtë.

Sipas tij, një gjë e tillë cenonte familjen si institucion.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ende nuk është deklaruar për një çështje të tillë, por qëndrimet nga deputeti që i përket Listës së themeluar me qëndrimet e saj politike, mund të flasin edhe për të.

Megjithatë, në shtatorin e vitit 2021, në valën e infektimeve dhe vdekjeve nga Covid-19, z. Karameta kishte qenë i vetmi nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes që kishte guxuar të kërkonte përgjegjësi nga Ministria e Shëndetësisë që atë kohë drejtohej nga Arben Vitia.

Për një gjë të tillë, ai ishte kryqëzuar nga simpatizantët e partisë së Kurtit, edhe pse jo për qëndrimet e tij të papranueshme kundër pakicave seksuale.

P E C I

Faton Peci është vlerësuar si një ndër ministrat më të suksesshëm deri tash në Qeverinë Kurti II. Vlerësohet se kishte qenë bashkëpunues përgjatë gjithë procesit hetues në rastin e subvencioneve në Ministrinë e Bujqësisë, dhe vlerësohet se të paktën kishte bërë përpjekje serioze për të bërë punë në dikasterin që drejton.

Ai kishte qenë jashtë kontrollit vetëm në një situatë, në të cilën ishte përplasur me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliun.

“Ndaq gjuni me ujë, e ndaq me plumba. Nuk ka bir nëne që e ndal Faton Pecin”, kishte thënë Faton Peci duke folur në veten e tretë. Në fakt, znj. Osmani është “bijë nëne” dhe jo “bir nëne” siç kishte thënë ai.

H A XH I U

Haxhi Avdyli është de fakto udhëheqësi i Listës Vjosa në Kuvendin e Kosovës, për shkak të përvojës më të gjatë si deputet.

Për një kohë të gjatë, ai ishte përfolur si pasardhës i Arben Vitisë në pozitën e ministrit të Shëndetësisë, por kjo gjë megjithatë nuk kishte ndodhur.

Neurokirurgu i respektuar nga Prizreni ishte njeriu më i xhiruar nga kamerat gjatë këtij viti nga ana e partisë së Vjosa Osmanit, dhe e mbronte hapur presidenten dhe angazhimin e saj të mëpastajmë në parti.

Në një deklaratë të fundit ku sulmonte sondazhet që e vendosnin Listën Vjosa ose Guxo me vetëm 1.1 për qind, ai kishte bindjen se do t’i fitonin deri në 10 për qind në zgjedhje.

Avdyli ka bartur barrën më të madhe në mbrojtjen e partisë edhe gjatë kohës sa dilnin zëra të shumtë nga brenda duke shprehur pakënaqësi të ndryshme.

Përtej emrave të lartpërmendur, është deputetja Doarsa Kica-Xhelili pjesë e kësaj partie dhe pjesë e së ardhmes politike të presidentes Vjosa Osmani. Kjo e fundit është shquar për punën e bërë në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media.

Lajme të ngjashme