Plasje e përplasje: Pse dha dorëheqje njeriu i VV-së nga Njësia që monitoron Ndërmarrjet Publike? - NACIONALE

Plasje e përplasje: Pse dha dorëheqje njeriu i VV-së nga Njësia që monitoron Ndërmarrjet Publike?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, që disa muaj është duke funksionuar me ushtrues të detyrës së shefit të kësaj njësie të rëndësishme që është në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, pasi ish-shefi Besim Imeri ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Edhe pse ishte emëruar nga Vetëvendosje në këtë pozitë, Besim Imeri dha dorëheqje shumë më shpejt se që pritej në të vërtetë, dhe për këtë ai ka treguar arsyet.

Imeri, i kontaktuar nga gazeta Nacionale, ka thënë se arsyet e dorëheqjes së tij nga kjo pozitë i ka thënë në intervistën e tij dhënë në Interaktiv, të cilës mund t’i referohemi sipas tij.

Unë e kam dhënë një intervistë dhe nuk kisha shtuar kurrrgjë prej asaj, mundeni me iu referu asaj interviste. Nuk kisha shtuar kurrgjë tjetër”, ka thënë ai për Nacionale.

Mirëpo, sipas burimeve të Nacionales, arsyeja kryesore e dorëheqjes së tij ishte përplasja që kishte me kryeshefin e Korportatës Energjetike të Kosovës [KEK], Nagip Krasniqi, pasi vetë Imeri ka konfirmuar se KEK-u ka qenë ndërrmarja që e ka shtyrë të japë dorëheqje, pasi që monitorimi për këtë ndërrmarrje ka qenë i vështirë.

Imeri ka bërë të ditur se kryeshefi i KEK-ut ia kishte ndaluar vizitën dhe kjo kishte qenë ndër arsyet kryesore që e kishte të pamundur monitorimin e ndërmarrjes.

Ka qenë e pamundur ta ushtroj mandatin e monitorimit të ndërmarrjeve publike sipas ligjit dhe sipas ndërgjegjes, pasi disa ndërmarrje kanë qenë problem. KEK-u prej krejt ndërmarrjeve është specifik. Si për nga buxheti, i ka 200 milionë, kontrata të panumërta. Ndikim jashtëzakonisht ekonomik dhe politik. Menjëherë jam ballafaquar me arrogancë, te menaxhmenti. Mentalitet arrogant se kjo është e jona dhe përse po përziheni ju. Te të gjitha ndërmarrjet, por aty me disa individë, e te KEK-u mentalitet institucional. Klanizimi problem i përhershëm”, ka thënë ai në Interaktiv.

Më tej, Imeri ka thënë se çështja që ka shtuar përplasjet dhe problemet në monitorim të kësaj ndërmarrjeje ka qenë ndihma e ndarë nga Qeveria për krizën energjetike.

Nacionale mëson se Imeri kishte kryer një trajnim online në Shtetet e Bashkuara të Amerikës [SHBA] për programin Arsimor në Univesitetin Harward më 21 shtator deri më 12 tetor 2021. E ky trajnim sipas burimeve, i kishte kushtuar buxhetit të Ministrisë së Ekonomisë 3 mijë e 800 euro.

I pyetur për trajnimin, Imeri ka thënë se i ka pëlqyer trajnimi dhe se aty janë trajnuar për zhvillimin dhe reformat në fushën e ekonomisë. Mirëpo, disa muaj pas trajnimit Imeri dha dorëheqje.

Për atë pyete Ministrinë e Ekonomisë dhe Zyrën e Kryeministrit, se për besë kanë qenë disa prej Qeverisë. Ka qenë diçka për ekonomi, analiza multisektoriale se unë jam për biznes dhe ka qenë për zhvillimin ekonomik, një muaj e gjysmë, ka qenë online, ka qenë fenomenal trajnimi. Lidhje me punën time me sektorin ekonomisë, qysh me reformu, qysh me zhvillu më mirë...”, ka thënë Imeri për Nacionale.

Çka tha Imeri për kontratat e KEK-ut dhe lidhjet me skandalin e Martin Berishajt?

Skandali i ambasadorit Martin Berishaj se kompania energjetike me bazë edhe në Serbi – GEN, i ka transferuar 600 mijë euro në firmën e tij “MB Consulting” ka implikuar edhe KEK-un pasi ka nënshkruar disa kontrata me këtë kompani.

E Imeri ka thënë se për këto kontrata të KEK-ut me GEN-in ka njohuri, por jo të plota.

Më mirë të pyetet KEK-u. Di disa transaksione që janë bë. Neve KEK-u s’na ka dërguar kontratat. Mund të ketë transaksione, por duhet të përputhen me kontrata. I kanë dërguar transaksionet deri në fillim të marsit. Kemi pa që po mungojnë shumë kontrata. Si zakonisht vonohen, vonohen e më pas s’vijnë kurrë. Mirë është KEK-u të dalë e të publikojë atë deklaratë bankare që ia ka dërguar Ministrisë së Ekonomisë”, ka thënë ai në Interaktiv.

Madje Imeri ka thënë se mbi 10 herë i ka dërguar letra KEK-ut, por që s’ka marrë përgjigje duke ngritur, siç thotë ai, “dyshime që është shfrytëzuar xhirollogaria jashtë asaj që precizohet në marrëveshje”.

Besim Imeri si shefi i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike ishte zgjedhur në muajin prill 2021 nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

E për Imerin, edhe vetë Kurti para se të merrte pushtetin për herë të parë në vitin 2019, kishte thënë fjalë të mira përmes një shkrimi në Facebook, derisa konfirmonte se ky i fundit i ishte bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas marrjes së pushtetit nga Vetëvendosje dhe forminit të Qeverisë Kurti 2 sipas raportimit të mediave, emërimi si udhëheqës i Njësisë së Monitorimit të Ndërmarrjeve Publike u pa si punësim partiak e nepotist pasi Imeri ka lidhje familjare me deputetin e VV-së, Enver Haliti.

Deri më tani Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike është me ushtrues detyre dhe nuk është emëruar askush deri më tani.

Lajme të ngjashme