Plagosen dy persona brenda një dyqani në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë
Dy persona kanë mbetur të plagosur nga arma e zjarrit brenda një dyqani sonte në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Nacionale, zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prishtinës, Agron Borovci.
Borovci ka njoftuar se policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, lidhur me rastin si edhe të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa konfirmohet arrestimi i dy personave.
“Rreth orës 19:45, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se ngjarja ka ndodhur brenda një dyqani dhe për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit. Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia ka vazhduar me veprime të tjera operativo-hetimore dhe atyre të ekzaminimit me ç’ rast ka gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri.” – ka njoftuar ai.
Borrovci ka njoftuar se përveç dy të arrestuarve, policia po punon edhe për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në rast.
“Dy persona janë arrestuar nga policia nën rrethana që ndërlidhen me ngjarjen, ndërkaq vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në rast si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.” – ka përfunduar ai.
