Përveç në “as kësi as asi” a po dështon Konjufca edhe në parashikimin për sekuencimin e Asociacionit? - NACIONALE

Përveç në “as kësi as asi” a po dështon Konjufca edhe në parashikimin për sekuencimin e Asociacionit?

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Serbët u dorëhoqën masivisht nga institucionet kosovare në pjesën veriore të vendit që nga nëntori i vitit të kaluar për shkak të vendimit për ndalimin e përgjithshëm të targave që lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë për komunat veriore të Kosovës si “KM, etj” si të jashtëligjshme, vendim të cilin qeveria kosovare u detyrua ta kthejë mbrapsht, por jo edhe serbët e dorëhequr. Që atëherë, komuniteti serb atje nuk është në institucionet kosovare. Kthimi i tyre, siç e ka artikuluar Lista Serbe dhe shteti serb, do të mund bëhet pas themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, ngase thonë se në vitin 2013 kanë pranuar integrimin në institucione vetëm për shkak se bashkë me të ishin pajtuar për një aranzhim të tillë asociativ të komunave.

Tashmë Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe është bërë edhe boshti kryesor dhe pikënisës i marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmuan atë që pretendonte gjer më sot vetëm Beogradi, se themelimi i Asociacionit shënon edhe nisjen e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Gjer më tash nuk ishte thënë kështu. Serbia mbante qëndrimin se njëherë themelimi i kësaj bashkësie komunash dhe vetëm mëpastaj zbatimi i Marrëveshjes.

I fundit për t’u deklaruar rreth kësaj ishte edhe i dyti për nga autoriteti në Lëvizjen Vetëvendosje dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Sipas atij, nuk mund të vazhdojë procesi i dialogimit me këso kushtëzimesh që po bëhen rreth Asociacionit. Duhet njëherë të kthehen serbët në institucione, tha ai.

Pa u kthyer serbët në institucione nuk mund të vazhdojë procesi në kuptimin e dialogimit, negociatave dhe kushtëzimeve që po i bëjnë tash për Asociacionin. Qëndrimi i QUINT-it ka qenë shumë i qartë, pranim i institucioneve të Kosovës, kthim në institucionet e Kosovës, pranim i kornizës kushtetuese në të cilën funksionon Kosova dhe pastaj kalojmë në hapa të tjerë”, ka thënë Konjufca në Kosovapress, ndonëse ndryshe nga Konjufca ishte shprehur Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila duke folur për mundësinë e rikthimit të të njëjtëve të dorëhequr nga policia, gjyqësia dhe prokuroria në pjesën veriore të vendit, kishte thënë se një gjë e tillë nuk është e mundshme dh se “do të ishte tallje me institucionet e Republikës së Kosovës”.

Duke folur për draft-Statutin fillestar të hartuar nga Ekipi Menaxhues (që tashmë është shpërbërë), Konjufca e vlerësoi si në tërësi brenda interesave të palës serbe. Është bërë mirë që është shkarkuar ky Ekip, tha ai. “Prezantuan një Asociacion i cili është ‘Republikë serbe’ në Kosovë”.

A kanë më kuptim prognozat e Konjufcës?

Nuk njihet për prognoza të sakta në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, e veçanërisht jo që nga janari i 2022’ës kur e pati shqiptuar frazën e famshme se Asociacion s’do të ketë “as kësi e as asi”, frazë kjo tashmë e mbarënjohur që qëndron pezull ndër mend të të gjithëve. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tash pretendon tjera premisa. Njëherë njohja “de facto” e vetëm mëpastaj Asociacioni. Kështu e shtronte para as një muaji ai krejt çështjen e Marrëveshjes Bazë të arritur në Bruksel dhe Ohër. Por, sa po qëndron kjo?

Ta lexojmë atë para dhe pas Marrëveshjes në Ohër.

Para takimit të Nivelit të Lartë në qytetin maqedonas të Ohrit, Konjufca ishte shfaqur në një intervistë në ATV. Aty jepte një konstatim që edhe kishte edhe s’kishte të drejtë. “Jah, nuk e nënshkruan Serbia marrëveshjen”, shprehej ai. Kjo ngase, siç besonte ai, kur pala serbe e kundërpeshon se çfarë Asociacioni do të merr – që s’do të jetë pushtet i ndërmjetmë – dhe çka do të jep – njohje faktike të shtetësisë së Kosovës – ajo do të tërhiqet. Këtë e kishte edhe dro edhe dëshirë. Serbia e pranoi marrëveshjen pa nënshkrim.

Por, aty tregonte se si do të merr udhë për në Ohër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Shkojmë kështu...marrëveshja është e konstruktuar kështu”, thoshte ai. “Njëherë njohja ‘de facto’ dhe mëpastaj Kosova ia gjen modusin Asociacionit”, ishte bindja e tij. Është kaq e thjeshtë, i thoshte ai intervistuesit të tij. Madje madje, edhe zotimin për Asociacionin Konjufca me rehati e quante “njëfarë premtimi abstrakt”, thjesht si enitet mendor e jo edhe objektiv-institucional.

Pra, çka ne po mundohemi me bë dhe se si është e pozicionume Kosova. Përmes një premtimi abstrakt dhe një instruksioni të Gjykatës Kushtetuese, po don me nxjerrë njohjen ‘de facto’ prej Serbisë. Qekaq është e thjeshtë matematikisht”. Kështu siç thoshte ai, “ne jemi në një pozicion komod”. Barra e parë bie mbi Serbinë, e dyta mbi Kosovën. “Ky Asociacioani i ka principet e Kurtit, letrën e Mogherinit, dhe garancitë e ShBA’së”, vazhdonte ai.

Vjen Ohri...

Pas bisedimeve maratonëshe prej 12 orëve në Ohër, doli në konferencë për media Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ku njoftoi se “kemi ujdi”. Në fjalimin e tij, përkatësisht në pikat e veçanta që po i shpjegonte, ai e nisi me Nenin 7. Kosova, tha ai, “nis menjëherë – dhe kur them menjëherë them menjëherë”, zbatimin e kësaj pike për të siguruar nivel të duhur vetëqeverisje për komunitetin serb të Kosovës në përputhje me marrëveshjet e kaluara të përcaktuara nga Përfaqësuesi Special, e që në rend të parë i binte Asociacioni.

Borrell, nuk thoshte “Serbia nis menjëherë” njohjen de facto, siç vlerësonte Konjufca, por Kosova Nenin 7 dhe Asociacionin.

Shkon Ohri...

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, mëpastaj, zu në fjalë prap Asociacionin dhe Marrëveshjen Bazë për normalizim të marrëdhënieve. Është e ndërtuar mbi dy binarë, tha ai. “Binari i parë është njohja defacto nga ana e Serbisë, kurse binari i dytë është Asociacioni”, beson ai. Dhe këtu del në ofansivë. “Kosova duhet të tregojë se nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet ta bëjë asnjë hap, pa u realizuar binari i parë e që është njohja de facto [nga Serbia]”, tha Konjufca.

Këtë koment ai e pati bëri pas pohimit të zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, se në takimin e rradhës të Nivelit të Lartë në Bruksel, ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, pritej të paraqitet një draft-Statut fillestar për Asociacionin.

Nuk e përjashtoj se as ky tjetri [versioni i ri i Asociacionit] nuk do të funksionojë duke parë përbërjen e këtij ekipi të menaxhimit, që është i përbërë edhe nga deputetët të Serbisë. Kjo është e papranueshme për Kosovën”, deklaroi Konjufca. Ai shtoi më tej se nëse propozimi është në interes të Serbisë, atëherë ekipi menaxhues, sipas tij, duhet të shkarkohet./Nacionale/

Lajme të ngjashme