"I jashtëzakonshëm evoluimi i Kurtit për pranimin e Asociacionit", Escobar përplot me optimizëm rreth marrëveshjes - NACIONALE

"I jashtëzakonshëm evoluimi i Kurtit për pranimin e Asociacionit", Escobar përplot me optimizëm rreth marrëveshjes

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Marrëveshja Bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “është e jashtëzakonshme” dhe si e tillë “mund të sjellë një epokë të re” në marrëdhëniet ndërfqinjësore, ka thënë Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës. Ishte pikërisht ajo që donte ShBA, tha Escobar, derisa arritjen e saj vazhdoi ta quajë të jashtëzakonshme. Edhe një gjë tjetër, sipas tij, është e jashtëzakonshme. “Evolimi i qeverisë së Kosovës e në veçanti kryeministrit [Albin Kurti] për të pranuar detyrimin ligjor të Asociacionit”.

Para së gjithash, dua të them se kjo ishte një marrëveshje e jashtëzakonshme. Është një marrëveshje për normalizim dhe marrëdhënie të mira paqësore sipas standardeve evropiane, sipas kornizës evropiane, mes dy palëve që do t’i karakterizoja si dy fqinjë armiqësorë. Kjo ishte ajo që donim. Kështu që unë do të thoja se kjo në vetvete ishte një arritje e jashtëzakonshme. Nëse zbatohet siç duhet, mendoj se kjo mund të sjellë një epokë të re të marrëdhënieve paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë ai.

Brenda vitit Escobar pret që të ketë një kalendar zbatimi të të gjitha pikave. Për këtë ai është i bindur. “Duhet të them se kemi ndërmarrë, ose me saktë Bashkimi Evropian me ndërmjetësimin e këtij dialogu, ka parashtruar një agjendë agresive në bazë të së cilës shpresoj të kemi një kalendar të zbatimit të të gjitha pikave brenda vitit”.

Në lidhje me atë se a ka përparim drejt çështjes së themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Esobar shprehet pozitivisht. “Unë do të thosha po. Para së gjithash, që të jem mjaft i drejtpërdrejtë, kemi parë një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor. Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”.

Në lidhje me zgjedhjet në katër komunat veriore dhe bojkotit nga Lista Serbe, subjekt ky i cili supozohet të ketë afro 90 për qind të elektoratit në ato zona, ai thotë se bojkoti i tyre nuk do të jetë determinues i këtyre zgjedhjeve. “Së pari, bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet. Në fushatën zgjedhore në Serbi në 2019, opozita bojkotoi zgjedhjet. Dhe ne i bëmë thirrje që të marrë pjesë. Fakti që nuk mori pjesë, ishte zgjedhja e saj (opozitës). Dhe pas zgjedhjeve, ne njohëm qeverinë që u formua prej tyre”.

Në këto zgjedhje ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, tha ai./Nacionale/

Lajme të ngjashme