“Serbia nuk e shkeli Marrëveshjen, njëherë Asociacioni pastaj zbatimi”: Escobar tregon krejt çfarë po ndodh në Dialog
Vizionet e palëve për Asociacionin ishin serioze, tash duhet t’i gdhendin propozimet e tyre për një mes të pranueshëm për të dyja palët. Pa zbatimin e Asociacionit nuk nis as zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Serbia nuk e ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit ngase sekuencimi i zbatimit të marrëveshjes nuk ia kërkonte mosbllokimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në atë fazë. Shqyrtimi i aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe bartja e aplikacionit në instanca më të larta shqyrtimi nuk ishte fitore por obligim. Të gjitha këto pohime të mësipërme i dha vetë Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, në një bashkëbisedim online me gazetarë.
Por, si, çka dhe pse? T’i hymë me rend...
Versioni i paraqitur nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe draft-Statuti për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe i paraqitur nga Ekipi Menaxhues “ishin që të dyja serioze”, tha Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar. Mes këtyre dy vizioneve “duhet të gjejmë një mes” të këtij Asociacioni që është në përputhje me parimet dhe kërkesat evropiane për proceset e anëtarësimeve në BE të Kosovës dhe Serbisë, u shpreh diplomati amerikan.
Escobar shpjegoi se cili është vizioni amerikan për këtë Asociacion dhe arsyeja e ekzistencës së saj. Ajo do të jetë “platformë për serbët etnikë” që të marrin pjesë në jetën qytetare dhe demokratike të Kosovës. Por, edhe diçka tjetër. “Për të adresuar disa prej anktheve – dhe disa prej tyre, do të thoja, janë goxho të arsyeshme – në lidhje me qeverinë qendrore në Kosovë”, tha ai.
Tashmë situata është kështu, thotë Escobar: “Topi është bë oborret e palëve për të nisur të gdhendin propozimet e tyre për t’i bërë më të pajtueshme për palën tjetër dhe të nisin të kërkojnë për një model të bëshëm evropian(...)”. Tash palët do të paraqesin “versionet më të rafinuara” të tyre për këtë Asociacion, sipas Escobar.
Escobar lë të kuptojë se Asociacioni si i tillë do të vendoset në rishikim “parlamentar dhe ligjor”, dhe kjo për një arsye kryesore. “Që të sigurohet që ajo (Asociacioni) të bëhet i pakthyeshëm dhe pjesë qendrore e normalizim të marrëdhënieve”.
“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës janë tepër të përqendruara në sigurimin që kjo marrëveshje, për të cilën kemi punuar shumë, të bëhet realitet. Dhe ky realitet – nis me Asociacionin. Kjo – që normalizimi është i qendërzuar në të drejtat e pakicave, veçnaërisht minoritetit serb, në Kosovë. Prandaj është absolutisht kyçe. Andaj, është edhe pritshmëria jonë dhe do të thoja është kërkesa jon që të shkohet para në këtë”.
Serbia nuk e shkeli Marrëveshjen, thotë Escobar...
Diplomati amerikan u pyet edhe për çështjen se a nuk e ka shkelur Serbia marrëveshjen me kundërvënien e saj ndaj aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Escobar, thotë se jo, dhe konfirmon pretendimet që deri më tash i bënte vetëm Serbia. Se nuk i nënshtrohen asnjë obligimi të Marrëveshjes së Ohrit pa u themeluar Asociacioni i Komunave (të banuara me shumicë) Serbe.
“Do të trajtoj dy pjesë të kësaj pyetjeje. Një, nuk jam i sigurt nëse ishte shkelje (kundërvënia e Serbisë ndaj aplikimit të Kosovës në KiE); kjo varet nga Bashkimi Evropian, i cili në thelb është garantuesi i marrëveshjes. Tani, për shkak se procesi i zbatimit nuk ishte përshkruar në kohën kur ndodhi ai votim (në KiE), nuk jam i sigurt nëse renditja (sekuencimi) kërkonte që Serbia të mos bllokonte (Kosovën)”, tha ai.
Sa i përket kalimit në fazën tjetër të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Escobar ishte i prerë. Kjo nuk ishte fitore “por obligim”, tha ai. “Këshilli i Evropës ka detyrimin të sigurojë që në hapësirën evropiane, brenda atyre që aplikojnë, standardet e demokracisë dhe lirive demokratike të zbatohen plotësisht. Dhe kështu kur them se është obligim, mendoj se ka hapësirë që Këshilli i Evropës të shqyrtojë kushtet dhe statusin e pakicës serbe në Kosovë. Ky do të jetë fokusi kryesor i hapit të ardhshëm të Këshillit të Evropës”.
“Pra, nuk është domosdoshmërisht një fitore. Unë do të thosha se është një detyrim për të përmirësuar marrëdhëniet, dhe brenda këtij konteksti, mendoj se do të duhet të shohim lëvizje në Asociacion. Do të duhet të shohim lëvizje në adresimin e disa prej shqetësimeve legjitime që ka komuniteti serb në veri të Kosovës për trajtimin e tyre dhe për moszbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë vendimin për mbrojtjen e manastirit të Deçanit. Pra, siç thashë, Këshilli i Evropës është një detyrim dhe është i rëndësishëm, veçanërisht tani", tha ai.