Përmenden sanksionet: A mund të ndikojë takimi i Ohrit në liberalizimin e vizave për Kosovën? - NACIONALE

Përmenden sanksionet: A mund të ndikojë takimi i Ohrit në liberalizimin e vizave për Kosovën?

3 vjet më parë

nga Arta Avdiu

Më 18 mars, pra nesër, në Ohër do të mbahet një takim i rëndësishëm mes Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë. Përkundër që ka një marrëveshje në tavolinë, e cila quhet propozim bazë, nuk dihet nëse palët do t’i hedhin nënshkrimet mbi të. Por që nga takimi i 27 shkurtit, Kurti ishte në favor të nënshkrimit të marrëveshjes. Çka nëse dështon takimi?

Sigurisht, ndërkombëtarët kanë përmendur sanksionet, duke paralajmëruar palët për ndikimet negative nëse marrëveshja bazë nuk nënshkruhet. Madje në një dokument të publikuar dje nga Nacionale, që besohet të jetë autentik, përmenden sanksionet.

Ndonëse mund të ketë masa ndëshkuese, Valon Murtezaj, profesor i diplomacisë, nuk beson se një gjë e tillë do të ndikon edhe mbi procesin e liberalizimit të vizave.

“Tanimë liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës ka hyrë në rrugën normale, dhe sipas gjasave më të mëdha më së voni më 01 janar 2024, do të mund të udhëtohet në zonën shengen pa pasur nevojë për një vizë.” – theksoi ai për Nacionalen.

Madje, sipas tij, nuk ka asnjë shenjë që e ardhmja e marrëveshjes bazë mes Kosovës dhe Serbisë ndërlidhet me liberalizimin e vizave.

“Vendimet e marrura pozitive në institucionet e BE-së janë serioze, dhe vetëm ndonjë zhvillim shumë i jashtëzakonshem do të mund të ndikonte këtë. Nuk ka asnjë indikacion që liberalizimi i vizave të ndërlidhet me rezultatin e një takimi siç është ky i 18 marsit.” – shkroi ai.

Ndërsa, politologu Shkodran Ramadani vlerëson se liberalizimi i vizave është përdorur si karrotë për të joshur Kosovën për të nënshkruar marrëveshjen.

“Liberalizimi i vizave në rastin e Kosovës që gati një dekadë është i lidhur me çështjet politike të Kosovës, sidomos me dialogun. Edhe tash është njëjtë. Besoj që përdoret si karrotë për të joshur Kosovën që të nënshkruajë marrëveshjen. Në rast se Kosova nuk tregohet konstruktive në dialog, atëherë BE-ja mund ta penalizojë atë me mosliberalizim. Do të befasohesha shume në rast se keto çështje trajtohen ndaras nga njëra-tjetra.” – theksoi ai për gazetën Nacionale.

Ndryshe BE-ja ka vendosur 1 janarin e vitit 2024, si datën e fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Çka tha sot Escobari?

Pas takimit me Vjosa Osmanit, presidente e Koosvës, Gabriel Escobarit, i dërguar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor mbajti një fjalë të shkurtër, një ditë para takimit të Ohrit. Escobar, në fjalën e tij të shkurtër, foli për lajme të mira nga Ohri.

“Ne kemi si qëllim të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësinë për Kosovën dhe Serbinë për tu bërë pjesë e komunitetit euroatlantik. Dhe mendoj që ky propozim evropian, i lehtësuar përmes dialogut të BE-së, mundëson një mundësi të jashtëzakonshme për marrëdhënie paqësore, të qëndrueshme dhe produktive nëpërmjet dy vendeve të rëndësishme” – deklaroi ai.

Z. Escobar theksoi se shpreson për lajme të mira nga takimi i Ohrit.

“Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi për qëllim që kjo të funskionoj për Kosovën, dhe jo vetëm për Kosovën po për rajonin. Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër. Jam shumë optimist për një zgjidhje një paqësore. Dhe shpresoj se pas të shtunës do të kemi lajme të mira.” – deklaroi tutje Escobar.

Në fjalën e saj presidentja e Kosovës, ku nuk kishte pyetje nga gazetarë, ka theksuar se takimi i Ohrit është i rëndësishëm. Madje, ajo dukej optimiste rreth këtij takimi.

Republika e Kosova do të vazhdoj të angazhohet me dialog me përkushtim të plotë dhe me qasje konstruktive siç ka bërë përgjatë gjithë këtij procesi, sidomos tani duke kuptuar momentumin e rëndësishëm që paraqet takimi në Ohër”, ka thënë ajo.

Ajo ka deklaruar se Kosova beson në një marrëveshje.

Ne besojmë se një marrëveshje të drejtë e gjithëpërfshirëse ku përfshihemi si dy shtete të barabarta është e vetmja mënyrë për të siguruar paqen afatgjate, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi si dhe me shpresën për një rezultat pozitiv. Çdo tendencë nga Serbia për të penguar këtë rezultat nëpërmjet kushtëzimit mund ta dëmtoj pastaj tërësisht procesin e dialogut”, është shprehur Osmani.

Lajme të ngjashme