"Ma i miri në botë": Xhevdet Pozhari e “puth” Albin Kurtin, Shkëlzen Gashi i “mëshon" opozitës - NACIONALE

"Ma i miri në botë": Xhevdet Pozhari e “puth” Albin Kurtin, Shkëlzen Gashi i “mëshon" opozitës

3 vjet më parë

nga Arta Avdiu

Si me magji, që nga dje ka nisur të shtensionohet situata në veri. Krejt papritur e çuditshëm, iu ndryshua masa e paraburgimit ish-policit të dyshuar për terrorizëm, Dejan Pantiq. Po ashtu, befasishëm, Aleksandar Vuçiq e ftoi Listën Serbe dhe barrikaduesit në takim për t'iu treguar se pse është më mirë t'i largojnë barrikadat.

Pasi gjithçka ndodhi papritur, Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij “me të drejtë” u habitën për ndryshimin e masës së paraburgimit ndaj Pantiqit. Deklaratat e çuditshme, që duket të kenë për burim befasinë e djeshit, vazhduan edhe sot. Kryeministri Kurti vlerësoi se barrikadat u larguan pasi protestuesit serb u lodhën prej tyre.

“Barrikadat po hiqen, të dielen e thamë që është çështje ditësh se kur do të largohen, edhe më mirë që kjo do të bëhet pa ndërhyrjen e Policisë tonë. Vet i vunë barrikadat, vet i hoqën ato, me fjalë tjera janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten.” - tha sot Kurti.

Pas dërgimit në arrest shtëpiak të Pantiqit, Qeveria e nisi një fushatë linçuese ndaj gjykatësit Mentor Bajraktarit, duke e vlerësuar aktin e tij si tradhti kombëtare dhe madje duke e kërkuar edhe vrasjen e tij.

Disa analistë janë kthyer në opozitarë të opozitës dhe kjo po iu shpërblehet më shumë pelqime në postimet e tyre pro-qeveritare në Facebook.

Statusi nr.1: Deklarata e përbashkët e ShBA dhe BE

"Mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta/barrikada paqësore", shkruhet në komunikatën e përbashkët të ShBA-së e BE-së.

Komenti:

Si fillim, kjo tregon se Qeveria e Kosovës ishte në dijeni dhe ishte pajtuar për marrëveshjen e arritur. Së dyti, kjo tregon se Kurti nuk është aspak i kënaqur me kompromisin e bërë, andaj nuk po e pranon për kompromis të tij. Mospëlqimi ndaj kompromisit është aq i madh, sa nuk dyshoj që Kurti do të parapëlqente të ishte shef i opozitës dje dhe të fillonte një fushatë baltosjeje ndaj Qeverisë. “Qeveri e Turpit”, “ Të gjunjëzuar”, “Dorëzim”, “Qeveri e rrënuar para agresionit serb” – do të ishin parullat e Kurtit, e qe besa nuk përjashtohet mundësia e organizimit të ndonjë proteste.

Statusi nr.2: Arlind Manxhuka

"Ky aktlirim është akttradhëti", ka shkruar zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.

Komenti:

Çfarë kuptimi ka ky linçim ndaj prokurorit dhe gjykatësit të rastit nëse marrëveshjen për shtensionim të veriut e ka arritur Qeveria? Ose edhe më keq, si mundet zëdhënësi i partisë në pushtet t'i linçojë kështu prokurorët dhe gjykatësit? Çfarë reforme në sistemin e drejtësisë do kemi nën udhëheqjen e kësaj partie që nuk përton të organizojë fushatë linçimi në këtë mënyrë? Çfarë pavarësie të gjyqësorit mund të ofrojë një parti që kërkoi vrasjen e gjykatësit Mentor Bajraktarit? Vetëvendosje duhet të distancohet nga gjuha e zëdhënësit Manxhuka dhe të aktivistit Egzon Azemi, asamblist i VV-së në Prishtinë, i cili shkroi se “tradhtarët plumbin e kanë hak.

Statusi nr.3: Xhevdet Pozhari

Dhe, është koha të gjithë ta kuptojnë se pushteti i një shoveni në Serbi po i lëshon ciatjet e fundit në raport me Kosovën”, ka shkruar ndër tjera Xhevdet Pozhari.

Komenti:

Ma qesharak se kaq nuk mund të bëhet njeriu. Çfarë arriti Kurti me vendosmëri? U zbatua vendimi për targa? JO. U mbajtën zgjedhjet me 18 dhjetor sipas ligjit? JO e madhe. U ruajt “dinjiteti”? JOOOO.

Krejt qëllimi i çështjes së targave, letërnjoftimeve dhe mbajtjes së zgjedhjeve ka qenë shtrirja e sovranitetit dhe vendosja e ligjit në Veri. Në fund, asnjëra prej këtyre synimeve nuk është realizuar. Për me tepër, të gjithë ata që dhunshëm vendosen barrikadat dhe penguan zbatimin e ligjit u amnistuan, duke vendosur një precedent të rrezikshëm dhe duke treguar logjikën me të cilën do të operohet në veri.

Pozhari gjen çdo herë një mundësi e hapësirë për ta lavdëruar Kurtin, aq sa kam përshtypjen që kjo përkrahje “blanco” e tij e bën të ndihet në siklet edhe Kurtin.

Statusi nr.4: Shkelzen Gashi.

“Sa herë që ekipi i sërbisë po ka ndonjë shansë të mirë ose edhe po shënon ndonjë goll kundër kosovës, banka e rezervistëve të kosovës dhe mbështetësit e tyne të vendosun në tribunat e tifozëve të kosovës, po shashtrisen prej gëzimit dhe po bajnë tifo për vučić-in e kundër kurtit. e kur ekipi i kosovës po ka ndonjë shansë të mirë dhe po shënon goll kundër sërbisë, këta tipa po heshtin e po bijnë në depression.” - shkruan Shkelzen Gashi për opoziten dhe mediat kosovare.

Komenti:

Sa herë kryeministri Albin Kurti pëson ndonjë disfatë, Shkëlzen Gashi e kritikon opozitën dhe mediet. Është një qasje e përdorur vazhdimisht e pafundësisht, aq sa tashmë është bërë bajate.

Në vend se të kritikojë Kurtin për komrpomisin e dhimbshëm, Gashi e “nxjerr” shpatën kundër opozitës dhe medies, të cilat i akuzon se janë gëzuar për këtë disfatë të Qeverisë. Do të ishte ndoshta e pranueshme e mirëkuptueshme kritika e Gashit ndaj opozitës, nëse ai do ta kritikonte pak edhe Qeverinë. Madje, Gashi këtë herë është dashur të jetë kryekritiku i Kurtit, pasi ai porsi një shqiponjë ka luftuar për ta mbrojtur dinjitetin e vendit në veri.

Lajme të ngjashme