"Përfaqësim dinjitoz si asnjëherë më parë në politikën e jashtme" - a e ka përnjëmend Vetëvendosja?
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka zhvilluar një takim me krerët e qendrës në Kosovë dhe Mergatë.
Në këtë mbledhje ku ishte prezent kryeministri Kurti, Lëvizja Vetëvendosje në Facebook njoftoi se u diskutua për situatën politike e çështjet organizative që ndërlidhen me punën e strukturave organizative në qendra.
Në pothuajse 2 vite, Kurti ka folur për të bëmat e ekzekutivit nën udhëheqjen e tij. Në mbledhjen e partisë në pushtet, sipas njoftimit të LVV-së, i pari i ekzekutivit ka folur edhe për “punët e shumta që janë kryer përgjatë vitit që sapo lamë pas dhe që do të vazhdojnë në vijim.”
Siç njoftoi faqja e LVV-së në Facebook, në këtë mbeldhje është folur mes tjerash edhe për siç kanë thënë ata “përfaqësimin dinjitoz si asnjëherë më parë në politikën e jashtme.”
“Tek situata politike, Kryeministri Kurti foli rreth aktualitetit politik në vendin tonë, por dhe për punët e shumta që janë kryer përgjatë vitit që sapo lamë pas dhe që do të vazhdojnë në vijim. Në mars të këtij viti bëhen 2 vite të qeverisjes së mirë me Republikën, pa korrupsion, me investime në rritjen e mirëqenies qytetare, me reformat rrënjësore në të gjithë sistemin institucional të Republikës tonë, e me përfaqësim dinjitoz si asnjëherë më parë në politikën e jashtme.” – thuhet në njoftimin e LVV-së në Facebook.
Por çfarë bëri Gërvalla në fakt për gati 2 vite si kryediplomate e Kosovës?
Sondazhi
Nisim me një sondazh të gazetës Nacionale që është realizuar disa muaj më parë.
Në pyetjen nga Gazeta Nacionale në rrjetin social "Viber", ku numërohen mbi 13 mijë anëtarë: Cili prej ministrave të Qeverisë Kurti është më i dobëti?, triumfoi për të keq, ajo e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Nga 1873 anëtarë sa morrën pjesë në votim, mbi 1000 sosh, ose 55% e pjesëmarrësve mendojnë se Gërvalla ka regjistruar punën më të keqe.
Grvalla-Schwarz është ministre e jashtme dhe zëvendëskryeministre e parë, por, në shumë raste ajo ka treguar se ajo nuk është denjë për të udhëhequr një ministri të tillë, kritike për një vend si Kosova.
Elementet negative të rrugëtimit të saj si ministre deri tani kanë qenë “huqjet” e shpeshta në mediat sociale e paraqitjet jashtëzakonisht të dobëta televizive.
Çnjohjet
Kosova nuk ka marrë asnjë njohje të re që nga viti 2022. Kjo ka bërë që Gërvalla të bëhet ‘target’ i kritikave të shumta se diplomacia e Kosovës nuk është angazhuar në lobim.
Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nëntë shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.
Gërvalla-Schwarz, përpos që ende nuk ka sjellë ndonjë njohje të re për Kosovën, ajo deri më tani nuk ka thënë asnjë fjalë, ndonëse ka me dhjetëra reagime dhe kërkesa që ajo të sqarojë nëse vërtet ka çnjohje, siç pretendon shteti serb.
Ish-kryediplomatë të Kosovës e analistë politikë kanë qenë tejet kritikë ndaj heshtjes së Gërvallës që të sqarohet për pretendimet e Serbisë për çnjohjen e Kosovës.
Shpenzimet
Kryediplomatja Donika Grvalla dhe kabineti i saj kanë shpenzuar mbi 200 mijë euro për udhëtime, mëditje, drekë dhe bileta nga marsi 2021 deri në korrik të vitit 2022.
Këto shifra stratosferike gazeta Nacionale i kishte siguruar nga Ministria e Jashtme dhe e Diasporës, tek pas ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi disa muaj më parë.
Për periudhë mars-dhjetor të vitit 2021, kryediplomatja dhe kabineti i saj kanë shpenzuar 77 mijë e 535 euro, kurse nga janari deri në korrik 2022, janë shpenzuar 110 mijë e 833 euro.
Ministria e Jashtme dhe Diasporës në të dhënat që ia ka dërguar Nacionales ka bërë të ditur se këto shpenzime, janë edhe të stafit e departamenteve tjera e jo vetëm të kabinetit të ministres apo ministrave.
Në të dhënat që ia ka dërguar Nacionales ka bërë të ditur se këto shpenzime, janë edhe të stafit e departamenteve tjera e jo vetëm të kabinetit të ministres apo ministrave.
Raketa në Poloni
Grvalla-Schwarz ishte ndër zyrtarët e parë që vlerësoi se sulmi në Poloni ishte kryer nga raketat ruse ndonëse nuk ishte dhënë asnjë konfirmim zyrtar.
“Ne vajtojmë humbjet e jetëve të pafajshme polake që janë vrarë nga raketat ruse. Mendimet tona janë me familjet, Kosova qëndron me Poloninë kundër regjimit të Putinit”- ka shkruar kryediplomatja kosovare në llogarinë e saj në Twitter.
As presidenti i ShBA-së e as ai i Polonisë, besa as NATO-ja, por edhe shtetet të tjera të fuqishme evropiane nuk thanë se sulmi në Poloni u bë nga raketat ruse, ashtu siç bëri ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
E një reagim i tillë nxiti debat në vend, ndonëse Gërvalla nuk është tërhequr akoma nga vlerësimi se raketat ishin ruse, pasi shkrimi i saj vazhdon të qëndrojë në Twitter.




