Përçahen shqiptarët në Luginën e Preshevës, s’arrijnë të themelojnë Këshillin Kombëtar - NACIONALE

Përçahen shqiptarët në Luginën e Preshevës, s’arrijnë të themelojnë Këshillin Kombëtar

3 vjet më parë

nga Eriola Cacaj

Ka kaluar më shumë se një muaj e gjysmë që kur janë mbajtur zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Luginë e Preshevës.

Nga ajo ditë e deri më sot, partitë shqiptare që veprojnë në atë pjesë nuk kanë arritur që të gjejnë një gjuhë të përbashkët për kryesinë e këshillit.

13 janari është afati i fundit kur do duhej të formohen organet udhëheqëse të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, ndryshe organet shtetërorë caktojnë Organin e Përkohshëm dhe qytetaret pas një kohe të caktuar duhet t’i drejtohen përsëri kutive te votimit.

Nga Partia për Veprim Demokratik, Ragmi Mustafi ka thënë për Gazetën Nacionale, se janë tërhequr nga themelimi i kryesisë së këshillit, duke iu japur hapësirë edhe partive të tjera.

Mustafi ka treguar që bisedimet me partitë e tjera i kanë udhëhequr deri më tani, por nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët.

Kemi qenë të hapur fillimisht ndaj koalicionit qe e kemi në nivel lokal në Bujanoc, me LPD-në dhe PD-në. Në kuadër të secilit kem menduar se duhet fillimisht me ta të bisedojmë dhe të gjejmë unitetin e themelimit të koalicionit për Këshillit Kombëtare. Kemi udhëhequr bisedimet deri më tani dhe krejt në fund nuk kemi arritur që të gjejmë një gjuhë të përbashkët. Ajo çfarë është e rëndësishme për neve, kemi kërkuar që të respektohet parimi më demokratik i mundshëm, parimi i fituesit të zgjedhjeve dhe krahas kësaj të ndërtojmë një platformë të përbashkët për të qeverisur Këshillit Kombëtar. Nuk kemi arritur duke marrë parasysh që me të 14-tin mund të futën masat e përkohshme përkatësisht masat e dhunshme nga ministri përkatës. I kemi hapur krahët duke dashur që edhe partnerët tjerë që janë PD dhe LPD, të nisin iniciativa për tu krijuar një shumicë të re. Nuk i nënshtrohemi asnjë shantazhi, ne vetëm kemi kërkuar që të respektohet parimi i fituesit dhe krahas asaj të shohim bashkërisht për të ardhmen. Ne jemi tërhukur për të mos e mbajtur procesin peng”, ka thënë Mustafi për gazetën.

Shqiprim Musliu, nga Lëvizja e Progresit Demokratik, ka treguar se janë duke e kërkuar udhëheqësin e Këshillit Kombëtar Shqiptarë.

Musliu ka thënë për Nacionalen, se janë duke e kërkuar vazhdimin e udhëheqësisë aty ku e ka lënë ish-kryetari i tyre Jenuz Musliu, i cili ka vdekur përderisa ishte në krye të këtij këshilli.

Si parti LPD, i kemi pasur tri takime në nivel të koalicioneve që ka pas përpjekje Partia për Veprim Demokratik, nuk ka arritu me u ndërtuar një koalicion në nivel të këshillit kombëtar shqiptarë. Na kemi kërkuar në vazhdimësi që aty ku e ka lënë Jenuz Musliu, që ka vdekur në detyrë në vitin 2018, ta vazhdojmë ne, me udhëheqje të Këshillit Kombëtar Shqiptarë. Në nivel të komunës së Bujanocit, kemi dhënë votë jemi pjesë e pushtetit për kryetar, për deputet kemi një koalicion që është Shaip Kamberi, kemi kërku nga partnerët e koalicionit që ta përkrahin Lëvizjen e Progresit Demokratik, që të mos ketë monopol demokratik”, ka thënë Musliu.

Ai tutje e ka mirëpritur tërheqjen e PVD-së, duke thënë se politika do kompromis.

Partia e Kamberi është tërhequr edhe politika do kompromis, dhe duhet me bo kompromis që me na dhënë nënudhëheqje KKSh-në”, ka përfunduar Musliu.

Politologu, Belgzim Kamberi ka thënë se pas pamundësisë për ta krijuar një listë të të përbashkët për zgjedhje parlamentare, apo krizave të njëpasnjëshme në pushtete lokale, tash po dëshmojnë se nuk po munden të themelojnë bashkërisht qeverisje edhe në institucione ku janë vetëm shqiptarë.

Tutje Kamberi ka thënë për Gazetën Nacionale se partitë kanë vendosur egot personale dhe interesat partiake para interesit shoqëror dhe kolektiv.

"Procesi i vështirësive të partive lokale shqiptare të Luginës së Preshevës për t'i themeluar organet e reja drejtuese të Këshillit Kombëtar Shqiptar është pjesë përbërëse e degradimit të përgjithshëm të organizimit politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Pas pamundësisë për ta krijuar një listë të përbashkët për zgjedhje parlamentare, apo krizave të njëpasnjëshme në pushtete lokale, tash po dëshmojnë se nuk po munden të themelojnë bashkërisht qeverisje edhe në institucione ku janë vetëm shqiptarë dhe pa pushtet të rëndësishëm, siç është Këshilli Kombëtar Shqiptar. Duket sikur partitë politike shqiptare të Luginës kanë përmbytur prioritetet e problemit politik dhe shoqëror në Luginë. Se kanë vendosur egot personale dhe interesat partiake para interesit shoqëror dhe kolektiv. Kjo shihet edhe nga veprimi dhe diskursi i tyre politik, ku kanë përfunduar më shumë si pjesë e problemit, se si parti që do të duhej të ishin pjesë të zgjidhjes. Me këtë trend do të përfundojnë në ndërtimin e përshtypjes se shkaku dhe arsyeja e gjendjes diskriminuese të Luginës janë partitë shqiptare të Luginës, apo Kosova e Shqipëria, e jo pushteti në Beograd, siç është realisht", ka thënë Kamberi.

Valon Arifi nga shoqëria civile ka thënë se ajo se çfarë e ka bërë të vështirë arritjen e koalicionit qeverisëse është ndarja e fondeve të Qeverisë së Kosovës nga ana e këshilltares së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Ardita Sinani.

Ajo që e ja bere edhe më të veshtië arritjen e një koalicioni qeverisës është mënyra e ndarjes së fondeve të Qeverise së Republikës së Kosovës nga ana e znj. Ardite Sinani drejtuese e partisë së Shaip Kamberit në Presheve njëherë edhe këshilltare e kryeministrit Kurti për Luginën, ku një pjesë e konsiderueshme e fondeve kane shkuar për njerëzit e afërm te saj, duke mos respektuar asnjë kriter te atij konkursi te shpallur po nga Këshilli Kombëtar Shqiptar me komision të caktuar në bashkërendim me Zyrën e Kryeministrit në Prishtinë”, ka thënë Arifi për Gazetën Nacionale.

Arifi ka parë edhe një pa aftësi të Qeverisë së Kosovës për mos arritjen e një uniteti mes shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Se a do te arrihet kjo, unë jam skeptik, pikërisht për shkak te ndarjes se fondeve, ndonëse ne pushtetin lokal te Bujanocit ato janë bashkë, por që ai koalicion ishte arritur pas involvimit të drejtpërdrejt të ish-ministrit të Jashtëm z.Gent Cakaj. Unë e shoh tashme edhe një pa aftësi të Qeverise së Kosovës, për mos arritjen e një uniteti mes partive shqiptare në Lugine, gjë që z.Cakaj e kishte bere dy here, është kur shqiptaret dolën bashke në zgjedhje parlamentare e siguruan 3 deputet, edhe me pushtetin lokal te Bujanocit qe tashme 3 vite udhëhiqet nga shumica shqiptare. Z.Kurti deshtoi edhe për listën parlamentare, ku partitë atje dolën me 2 lista dhe mezi siguruan një deputet dhe siç duket po dështon edhe për Këshillin kombëtarë ku kanë ngel edhe pak dite deri ne formimin e qeverisjes se re aty”, ka thënë ai.

Nga 15 ulëset në Këshillin Kombëtar Shqiptar, pesë u fituan nga PVD-ja dhe nga APN-ja, ndërsa dy nga LPD-ja dhe PD-ja dhe një nga PDSH-ja.

Lajme të ngjashme