Për një javë, dy gra kosovare u vranë nga burrat në Evropë: Çfarë dihet deri më tash për rastin në Zvicër? - NACIONALE

Për një javë, dy gra kosovare u vranë nga burrat në Evropë: Çfarë dihet deri më tash për rastin në Zvicër?

1 vit më parë

nga Besian Beha

Vetëm brenda një jave, dy vende të fuqishme të Evropës janë tronditur nga dy raste të vrasjes së grave.

Eh fatkeqësisht, në të dyja rastet, autorët, por edhe viktimat janë nga Kosova.

Pra, dy shtetas nga Kosova, në një javë, kanë vrarë bashkëshortet ose ish-bashkëshortet e tyre.

Njëri rast ishte javën e kaluar që ndodhi në Gjermani, kurse tjetri u raportua nga mediat zvicerane mbrëmë.

Në të dyja rastet krimi dyshohet se u krye me thikë, dhe të dy burrat kosovarë janë arrestuar.

Por, çfarë dihet deri më tash?

Zona e Vevey Vaus afër Llozanës u trondit nga një vrasje e tmerrshme. Një burr nga Kosova u paraqit në stacionin e Policisë dhe tha se e ka plagosur bashkëshorten e tij.

Mirëpo, kur Policia arriti në vendin e ngjarjes ajo u gjet e vdekur. Dyshimet janë se deri te vdekja ka ardhur si pasojë e dhunës në familje.

Zyrtarët policorë zviceranë vërejtën se viktima ishte goditur disa herë me thikë. I dyshuari u arrestua menjëherë.

Sipas raportimeve nga mediat zvicerane, fqinjtë kishin bërë të ditur se njëri nga fëmijët ishte lindur kohëve të fundit. “Shpesh e shihja teksa dërgonte fëmijet në shkollë”, ka deklaruar njëri nga fqinjtë. Ata e përshkruanin të ndjerën si grua të mirë e të qetë.

Për katër fëmijët, raportohet në Zvicër se po kujdesej familja e të ndjerës.

Dhjetëra banorë të atij objekti kishin dalur të tronditur poshtë ndërtesës.

Tashmë Policia e Prokuroria e Zvicrës kanë nisur intensivisht hetimet lidhur me rastin. I dyshuari për vrasje, kishte qenë edhe më herët në burg për dhunë në familje.

Nuk ka asnjë informacion se nga cila komunë e Kosovës e kanë pasur prejardhjen viktima apo i dyshuari, pasi hetimet janë tejet konfidenciale.

Vrasja në Gjermani

Vetëm 6 ditë më parë, një tjetër burr kosovar e vrau bashkëshorten.

Nacionale ka raportuar se fjala është për Besmir Ademi nga fshati Rashan i Mitrovicës, i cili e kishte vrarë me thikë ish-bashkëshorten e tij, Jetmira Bekën.

Vrasja ishte kryer në parkingun e një marketi në Aachen të Gjermanisë.

Nëna e Jetmirës në një intervistë për Nacionalen, kishte treguar se vajza e saj kishte përjetuar dhunë gjatë tërë kohës.

Ajo në ditën e kobshme ia kishte dërguar fëmijët për t’i parë ish-bashkëshortit, me të cilin ishte e ndarë. Vrasja ishte kryer në sytë e motrës së Jetmirës, e cila gjithashtu kishte marrë disa lëndime.

E ndjera Jetmira Beka ishte duke jetuar bashkë me fëmijët në jetimore. I dyshuari për vrasje fillimisht ishte arratisur, për t’u paraqitur më pas vetë në Polici.

Jetmira Beka u varros në këtë fundjavë në fshatin Zasellë të Mitrovicës.

Vrasjet e grave

Në 10 vitet e fundit, janë mbi 5 raste ku burrat kanë vrarë gratë e tyre në vendet e Evropës. Kryesisht Zvicër e Gjermani.

Rreth 50 gra janë vrarë në Kosovë që nga viti 2010 sipas të dhënave nga Policia e Kosovës.

Lajme të ngjashme