Peci e kritikon sistemin e drejtësisë, por a meriton një aktakuzë për “gjenocid” ndaj gjuhës shqipe? - NACIONALE

Peci e kritikon sistemin e drejtësisë, por a meriton një aktakuzë për “gjenocid” ndaj gjuhës shqipe?

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e nisi javën me kritika të ashpra ndaj sistemit të drejtësisë. Sidoqoftë, ai i shqetësoi gazetarët e gazetës “Nacionale” dhe, me shumë gjasë, edhe shumë qytetarë të tjerë të Kosovës, me gabimet e rënda drejtshkrimore. A meriton Peci një aktakuzë për “gjenocid” ndaj gjuhës shqipe? Lexojeni tekstin e mëposhtëm dhe në fund vlerësojeni vetë.

Peci bëri një gabim që në fjalën e parë të shkrimit të tij. Nuk di se a mund të besoni, por ai nuk diti ta shkruante si duhet fjalën “mirëmëngjesi”. E shkroi “mirmëngjesi”.

Fjalën “personi” e shkroi “përsoni”. Njëri nga gabimet më të rënda: fjalën “gjë” e shkroi “që”, pra “një që e tillë”, sipas ministrit Peci.

Mësa duket, ai nuk di as si shkruhet fjala “gjyqtar”, pasi shkroi “gjyqëtari apo gjyqëtarët”.

E shkroi gabimisht edhe formën e foljes “marr” në kohën e kryer të thjeshtë – “moren”, jo “morën”.

Më tej, e shkroi gabimisht edhe fjalën “hapësirës”, duke e shkruar “hapsirës”, raporton gazeta "Nacionale".

Gabim tjetër i rëndë ishte shkrimi i emrit të Ministrisë së Bujqësisë, të cilin ai vetë e drejton, me shkronja të para të vogla.

E shkroi gabimisht edhe foljen “kap”, duke e shkruar “kapë”.

E shkroi gabimisht edhe mbiemrin “shtetëror”, duke e shkruar “shtetrorë”.

E shkroi gabimisht edhe shumësin e emrit “veshë”, duke e shkruar “vesh”.

Pas disa minutave, ai e përmirësoi gabimin te fjala “gjë”, të cilën e kishte shkruar “që”, por i la “në mriz” gabimet e tjera.

Ministri bëri edhe disa gabime të tjera drejtshkrimore, por besojmë se ato që i shtruam më lart mjaftojnë për t’i dhënë një notë. A meriton Peci një aktakuzë për “gjenocid” ndaj gjuhës shqipe?

Lajme të ngjashme