PDK: Komunat që s’udhëhiqen nga VV u diskriminuan në mënyrë të egër në ndarjen e buxhetit - NACIONALE

PDK: Komunat që s’udhëhiqen nga VV u diskriminuan në mënyrë të egër në ndarjen e buxhetit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shkruar në Facebook se propozimi i Qeverisë për ndarjen e buxhetit për komunat për investime të reja kapitale në vitin 2024 është diskriminimi më i egër në historinë e Kosovës.

Sipas Krasniqit, komunat që nuk udhëhiqen nga LVV janë diskriminuar, duke iu ndarë vetëm 40 % e buxhetit, anipse përbëjnë 88 % të popullsisë. Ndërsa ato që udhëhiqen nga VV, që përbëjnë 11 % të popullsisë, kanë marrë buxhet prej më shumë se 59 %.

“Gjilani, Shtimja, Kamenica dhe Podujeva përbëjnë 11.6 % të popullsisë së Kosovës, ndërsa u është ndarë 59.5 % e buxhetit për investime të reja kapitale. Ndërkaq, për të gjithë të tjerët, që janë 88.4 % e popullsisë, Qeveria ka ndarë vetëm 40.5 % të këtij buxheti. Ky është diskriminimi më i egër institucional ndaj qytetarëve në historinë e Kosovës, që prej çlirimit të vendit tonë.” – ka shkruar Krasniqi.

Kryetari ka kërkuar edhe nga deputetët e shumicës, që të mos aprovohet ky buxhet.

“Unë ftoj edhe deputetët e Vetëvendosjes, krahas atyre të opozitës, që me votën e tyre të mos e vulosin këtë propozim diskriminues të Qeverisë.” - tha ai.

Edhe anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku, ka reaguar në lidhje me një publikim të institutit GAP, në të cilin shihet se shumë nga komunat e udhëhequra nga opozita janë në fund të listës ose nuk gjenden fare në ndarjen e buxhetit për investime kapitale për vitin 2024. Rast konkret është Komuna e Skënderajt, së cilës nuk i është ndarë asnjë cent.

“Veç një qeveri e drejtuar nga Albin Kurtoviq, bën një përjashtim të tillë ndaj Skenderajt!“ – ka shkruar Lushtaku në Facebook.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Blerta Deliu, gjithashtu ka kritikuar Qeverinë Kurti për hakmarrje e diskrimimnim ndaj Komunës së Skenderajt. Sipas saj nuk ka asnjë projtkt të ri për këtë Komunë nga Qeveria për vitin 2024.

“Asnjë projekt i ri për komunën e Skënderajt nga Qeveria për vitin 2024. I pabesueshëm, niveli i hakmarrjes dhe diskriminimit me të cilin po qeverisë ky Kryeministër. Turp i madh!” – ka thënë ajo.

Instituti GAP

Investimet e reja kapitale të nivelit qendror nëpër komuna edhe këtë vit vazhdojnë të favorizojnë komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV)”. Kështu ka konstatuar instituti GAP në analizën për Projektbuxhetin e vitit 2024. Një pjesë e komunave të udhëhequra nga opozita janë në fund të listës së GAP ose nuk gjenden fare në ndarjen e buxhetit për investime kapitale për vitin 2024.

Sipas GAP, mbi gjysma e vlerës 21.8 milionë euro e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror të dedikuara për projekte specifike në komuna është orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV-ja.

Komuna me vlerën më të lartë të investimeve të reja vazhdon të jetë Gjilani, pasuar nga komuna e Shtimes. Për kokë banori, komuna e Shtimes mban vlerën më të lartë me 102.15 euro.

Lajme të ngjashme