Pasi e kritikoi, Edi Rama i nis letër KE-së kundër raportit të Dick Martyt: S'ka prova
Pak ditë pasi mbajti një fjalim në Asamblenë e Këshillit të Evropës, Edi Rama me mëngjes e ka vazhduar përpjekjen e tij kundër raportit të Dick Martyt. Kyreministri shqiptar ka shkruar një letër të gjatë, duke e kërkuar vëmendjen e deputetëve të KE-së rreth raportit që, sipas Ramës, ka të bëjë me drejtësinë dhe të drejtat e njeriut.
Pas fjalimit mbi njëorësh, tash Rama ka zgjedhur të hedhë ca të zezë mbi letrën e bardhë, në atë që po vlerësohet si iniciativë e Shqipërisë për një rezolutë të re në KE rreth pretendimeve të Martyt.
Në letrën e tij, Rama nuk i ka përmendur fare Serbinë e as regjimin e egër të Slobodan Millosheviqit të viteve 90. Megjithatë, e ka përmendur Putinin, duke aluduar se ishin rusët që i sollën akuzat ndaj UÇK-së në KE.
Ai ka shkruar se aktakuzat e paraqitura në Hagë nga Gjykata Speciale nuk përmbajnë asnjë fjalë të vetme lidhur me trafikimin e organeve njerëzore, që ishte njëra nga akuzat më të rënda të raportit të Martyt.
Letra
Z.Rama ka nisur një letër. Por jo babait, si dikur Franz Kafka, shkrimtari që me imagjinatën e tij shkroi mbi K., një personazh që i shërbeu shefit të Qeverisë së Shqipërisë për ta ilustruar “padrejtësinë ndaj ish-krerëve të UÇK-së”.
Që në hyrje të saj, kryeministri Rama ua tregon temën e letrës lexuesve të ardhshëm, që janë deputetë të KE-së.
“Po ju shkruaj për të kërkuar vëmendjen tuaj për një çështje thelbësore, jo vetëm për vendin dhe popullin që përfaqësoj, por për të gjithë ne. Kjo çështje ka të bëjë me drejtësinë dhe të drejtat e njeriut, vlera bazë në themel të çdo sistemi demokratik – ato vlera të cilat i nderojmë në punën tonë të përditshme e që kërcënohen gjithmonë e më shumë në situatën politike aktuale.”, shkruan Rama.
Tutje, ai ka dhënë një histori të përmbledhur rreth akuzave për trafikim organesh, e cila e solli raportin e Martyt, që ishte edhe baza për krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Natyrisht, në çfarëdo historie, sado e përmbledhur që të jetë, emri i Carla Del Pontes, ish-kryeprokurore e Tribunalit të Hagës, është i pashmangshëm.
“Ashtu siç mund të jeni në dijeni, në vitin 2008, një ish-prokurore e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë (GjNPIJ), Carla Del Ponte, botoi librin e saj me kujtime, “Zonja Prokurore”. Aty, ajo pretendonte se pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës kishin kryer krime të tmerrshme, përfshi, mbi të gjitha, trafikim të shfrenuar të organeve njerëzore.”, vlerësoi ai.
Pastaj, Rama shkroi se ishte një pjesëtar i partisë “Rusia e Bashkuar”, e presidentit rus, Vladimir Putinit, që solli këto akuza në KE, e që më vonë u paraqit edhe një raport tjetër, që në publikun kosovar njihet si raporti i Dick Martyt.
“Sado e çuditshme të duket kjo, nuk ka fakte, nuk ka autorë, nuk ka viktima të trafikimit të organeve njerëzore. Raporti dhe rezoluta që pasoi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës u mbështetën më tepër në spekulime sesa në fakte, në thashetheme që qarkullonin në vend të provave. Ato tanimë janë kthyer në një njollosje të pamerituar të atyre që janë akuzuar pa të drejtë dhe në një turp për politikën ndërkombëtare.”, vazhdon Rama në letrën e tij.
Rama ua ka kujtuar deputetëve të KE-së fjalën e tij të javës së kaluar në këtë institucion, e cila nuk kapërceu pa kritika nga vetë anëtarët e KE-së si paraqitje ofenduese e arrogante. Madje, deputetët e grupit të partive popullore të Evropës e refuzuan darkën me Ramën, pasi e cilësuan si të papranueshme mënyrën se si e çka foli kryeministri shqiptar.
“Çështja ka një rëndësi sipërore, jo vetëm për të mbrojtur të drejtat e individëve të akuzuar padrejtësisht për krime që nuk i kanë kryer kurrë. Ajo nuk ka thjesht të bëjë me mbrojtjen e procesit të rregullt ligjor përmes procedurave të gjykatës, një proces i rregullt që duhet të jetë i drejtë e i pa të meta. Por ka të bëjë me qytetarët e vendit tim, Shqipërisë, që vazhdojnë të jenë shënjestër e stereotipeve të rrezikshme e të pabaza si ky dhe viktima të armiqësisë e të ksenofobisë që akuza të tilla ushqejnë. Ka të bëjë gjithashtu me të vërtetën dhe drejtësinë, pa të cilat minohet vetë integriteti e besueshmëria e politikës ndërkombëtare dhe e institucioneve të saj”, ua sqaron çështjen Rama deputetëve të KE-së.
Në fund, Rama ka bashkangjitur një kopje të fjalimit të tij në Asamblenë e KE-së.
Fjalimi i Ramës u prit mirë në Kosovë, posaçërisht në kampin opozitar (PDK), që e falënderoi publikisht kryeministrin për fjalimin.
Siç ka shkruar Nacionale, fjalimi i Ramës, sipas njohësve të jurisprudencës, nuk ka asnjë ndikim në punën dhe mbarëvajtjen e gjykimimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


