Partitë e liderëve: Pse VV, PDK e AAK mbajnë zgjedhje sa për sy e faqe? - NACIONALE

Partitë e liderëve: Pse VV, PDK e AAK mbajnë zgjedhje sa për sy e faqe?

1 muaj më parë

nga Arta Avdiu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti një javë më parë, pa kundërkandidat dhe me 98,60 për qind të votave, u rizgjodh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Por, shefi i ekzekuivit Kosovar nuk është i vetmi lider partie që zgjidhet pa garë të vërtetë. Ndonëse zgjedhja e tyre quhet demokratike, ajo është krejtësisht një farsë.

Zgjedhje të tilla, pa kundërkandidatë e pa garë reale, janë mbajtur edhe në partitë opozitare, duke përfshirë PDK-në dhe AAK-në. Dallim në këtë drejtim bën vetëm partia me e vjetër kosovare, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila edhe herën e fundit kur mbajti zgjedhje, u kujdes të ketë një garë të vërtetë mes Lumir Abdixhikut, e Lutfi Hazirit, teksa ky i fundit doli humbës.

Madje, në zgjedhjet e fundit në LDK, krahas zotërinjve Abdixhiku e Haziri, në garë ishte edhe Besian Mustafa, deputet i kësaj partie, edhe me më me pak gjasa për fitore.

Njohësit e politikës kosovare thonë se partitë në vend, përveç LDK-së, janë parti liderësh, duke theksuar se demokracia brenda LDK-së është trashëgimi politike e Ibrahim Rugovës.

Parti të liderëve

Analisti Halil Matoshi thotë se partitë politike kosovare janë parti të liderëve dhe jo të antarësisë së tyre.

Në një përgjigje për gazeten Nacionale, z.Matoshi theksoi se zgjedhjet në partitë politike kosovare nuk janë demokratike.

Partitë politike kosovare janë parti të liderëve e jo anëtarësisë (pos LDK-së postrugoviane) kështu që dalja e liderit në plan të dytë mund ta shpërbëjë akëcilën nga to. Demokracia është procedurë dhe kërkon më shumë kandidatë në garë e nëse nuk kemi dy a më shumë të tillë, d.m.th. shkilet Demokracia”, tha Matoshi.

Matoshi është shprehur i habitur më zgjedhjen e Kurtit në krye të LVV pa ndonjë kandidat të dytë.

Por më habit sidomos Albin Kurti, i cili në kulm të suksesit zgjedhor, kandidon dhe zgjidhet pa kundërkandidatë!? Mesazh deshpërues për demokracinë.”, tha Halil Matoshi.

Por, ndryshe mendon ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, ai tha se e kupton pse Kurti u zgjodh pa ndonjë kundërshtar në garën e brendshme partiake.

Mendoj që secila prej partive i ka veçantitë e veta. Për sa kohë që në Lëvizjen VETËVENDOSJE! kryetarin aktual të posazgjedhur e kanë njëherit edhe kryeministër, dhe, gati se, meritorin e vetëm për fitoren e VV-së në zgjedhjet e fundit, PDK është në fazën e rikonfigurimit e konsolidimit të strukturës së re udhëheqëse pas arrestimit dhe mbajtjes së stërzgjatur në paraburgim të dy ish kryetarëve dhe figurave më të fuqishme politike, njëkohësisht themeluesve të partisë. AAK po ashtu udhëhiqet nga themeluesi i partisë. E vetmja është LDK që themeluesin, dhe njëkohësisht figurën e pakontestueshme të partisë, Presidentin Rugova, nuk e ka më. Rrjedhimisht nuk ka më figurë të pakontestueshme. Dhe demokraci të brendshme”, tha Ymeri.

Me tutje, Visar Ymeri, demokracinë brenda LDK-së e quan trashëgimi politike të presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Por, ky nuk është i vetmi faktorë. LDK historikisht është njohur si parti e cila ka mbajtur brenda vetes grupe me mendime të ndryshme shpesh herë skajshmërisht kundërshtuese mes njëra tjetrës. Mendoj që kjo lidhet edhe me besimet e Presidentit Rugova, i cili, më shumë se çkado tjetër duket se e ka vlerësuar pluralizmin. Duke qenë figurë e pakontestueshme ai ka pas rehatinë e mjaftueshme të lejojë grupe të ndryshme idesh e interesash brenda partisë meqë figura e tij ka qenë ombrellë e pathyeshme e ekzistencës së LDK-së”, tha Ymeri.

Tutje, Ymeri shpjegon avantazhin e kryetarit të LDK-së, të zgjedhur përmes një gare të vërtetë, ndaj atyre tjerëve që ishin zgjedhur pa kundërkandidatë.

Ky historik mendoj që ka prodhuar një LDK në të cilën përherë ekziston më shumë se një ide. Në anën tjetër te partitë tjera një gjë e tillë nuk ka ekzistuar e nuk ekziston. Lufta e brendshme për pushtet zakonisht merrë formën e zhdukjes politike të krahut të kundërt, më shumë se sa sintezë konceptesh të ndryshme në një formë të avancuar të mendimit politik. Kjo pastaj e vret edhe mundësinë e krijimit të figurave të fuqishme partiake që do të sfidonin kryetarin.”, theksoi Ymeri, duke shtuar se është e vështirë të ketë ide sfiduese për kryetarët themelues siç janë Kurti e Haradinaj.

Kujtojme që gazeta Nacionale ka raportuar për eliminimin e mbi 25 kandidatëve të Vetëvendosjes për kryetarë të qendrave të kësaj partie.

Njëri ndër kandidatët e eliminuar ishte edhe Arbër Vokrri, nga qendra e Prishtinës, për t’u zgjedhur kryetar Arben Vitia pakundërkandidar.

Ish-kundërkanditati në tentativë i Vitisë, pra z.Vokrri, mbrëmë është emruar zv. Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, 6 ditë pasi përfundoi votimi për kryetar të qendrave të LVV-së nëpër komunat e Kosovës.

Lajme të ngjashme