“Paralizohet ambasada e Kosovës në ShBA”: Qysh e komentojnë ish-diplomatët raportin e ambasadorit Dugolli për Gërvallën?
“Trajtim larg më brutal nga ShBA-ja”, “E pamundur të realizohet çfarëdo takimi”, ishin disa prej fjalive që ambasadori i Kosovës në Amerikë, Ilir Dugolli, ia tha kryediplomates Donika Gërvalla për punën një vjeçare në këtë pozitë. Si erdhën marrëdhëniet e vendit me shtetin aleat deri në këtë pikë?
Nacionale të shtunën ekzkluzivisht ka shkruar për raportin që ambasadori Dugolli e ka bërë për ministen Gërvalla.
Në një pjesë të madhe të raportit për punën një vjeçare, shihej se ky i fundit ankohej për punën atje, duke përmendur se është e pamundur të organizohen edhe takime.
Çka thonë ish-diplomatët?
Ish-ambasadori i Kosovës në Bullgari, Edon Cana, e lidh këtë çështje shkarkimet që ai i quan, masive, e që nisën të ndodhin me ardhjen në krye të ministrisë së Punëve të Jashtme të Donika Gërvallës.
“Ky raportim dëshmon se aventura e filluar me shkarkime massive në diplomaci ka hendikepuar shërbimin diplomatik deri në paralizë të plotë. Kosova ka suspenduar politikën e jashtme dhe ka krijuar një vakum në veprime diplomatike të nevojshme për funksionimin e politikës së jashtme pro active e cila duhet të jetë në mbrojtje të interesave të shtetit.” – i tha fillimisht ai Nacionales.
Tutje, Cana konsideron se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po i shkakton dëme të riparueshme vendit, dhe qasja e tij në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket se nuk ka të bëjë vetëm me ish-presidentin Donald Trump.
“Paramendoni Republika e Kosovës deri vonë ka funksionuar vetëm me Ambasador, përjashto atasheun ushtarak, në shtetin më të rëndësishëm dhe strategjik. Republika e Tretë e Kurtit po del të jetë republika e një njeriu, Albin Kurti. Me këtë mendësi L’Etat, c’est moi (shteti jam unë). Albin Kurti është duke shkarktuar dëme të riparueshme Republikës së Kosovës dhe si duket qasja e tij në raport me Amerikën nuk kishte të bëjë me ish-presidentin Trump por ai ka aversion ndaj Amerikës dhe refuzon të kuptojë rolin e tij në marrëdhënie ndërkombëtare dhe rëndësinë e aleatëve në proceset e rëndësishme historike.” – shtoi ai.
Ndërkaq, ish-konsulli dhe ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj, për Nacionalen vlerëson se ambasada e Kosovës në ShBA duhet të funksionojë në nivelin më të shkëlqyer, dhe se kërkesa të tilla, duhet të merren parasysh.
“Për të qenë një diplomaci efektive, dhe të mund të adresojë misionin e saj në sherbim të interesave nacionale të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, është e nevojshme që të bëhen alokime adekuate të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike përkatëse. Kjo bëhet sipas specifikave të misioneve ne vendet perkatese. Shtetet e Bashkuara dhe ambasada jonë ne kryeqytetin e botës ne Washington pra, duhet të funksionojë në nivelin më të shkelqyer. Ministria e Puneve te Jashtme duhet çdoherë te marr parasysh kerkesat dhe rekomandimet qe vijnë nga ambasadorët e dërguar në misione nëpër botë për të pasur një strategji efektive për diplomacinë e Kosovës.” – tha ai.
Në lidhje me raportimin e Nacionales, ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook edhe ish-ambasadori Anton Berisha, i cili ka pyetur se në këtë rast: “Çfarë kuptimi ka qëndrimi i ambasadorit në SHBA?”.
Në fund, ai ka pasur disa fjalë edhe për kryeministrin Albin Kurti, për të cilin, po ashtu konsideron se e ka “paralizuar ambasadën e Kosovës në ShBA”.
“Por, problemi është se qeveria e Kosovës më në krye Kurtin, de facto, ka paralizuar ambasadën e Kosovës në SHBA ashtu siç është duke e paralizuar e zhvleftësuar shtetin e Kosovës çdo ditë. Sa për Ministren e Jashtme Gërvalla, ajo as nuk e kupton e as është në dijeni se çfarë është roli i Ambasadës së Kosovës në SHBA.” – ka thënë ai.
Çka raportoi Nacionale?
Nacionale të shtunën e ka siguruar dokumentin e titulluar “Raport i shkurtër mbi vitin e parë të detyrës në ShBA” të përgatitur nga ambasadori Ilir Dugolli, dhe i cili i dërgohej shefes së diplomacisë së Kosovë.
Siç shihet, Dugolli ka dhënë “disa reflektime të shpejta” mbi punën e bërë përgjatë një viti derisa shprehet që detyrën si ambasador “nuk e ka pranuar me dëshirë për një numër arsyesh, si objektive ashtu edhe personale.”
Në pjesën ku flet për “Menaxhimin e Ambasadës”, Dugolli tregon për “kufizimet e shumta” me të cilat është përballur Ambasada përgjatë vitit për të cilin reflekton. Dhe më poshtë, është fjalia jashtëzakonisht problematike:
“Përderisa mund të ketë ambasadë tjetër të RKS-së që ka funksionuar me nivel të njëjtë të stafit, vështirë të ketë rast tjetër ku shkrihen në një vend mbështetja në një diplomat të vetëm, pa staf vendor, me trajtim nga shteti nikoqir që është larg më brutal se që mund të perceptohet në kryeqendër...”

Derisa raporton për “Komunikimin me shtetin nikoqir”, vetë Dugolli ka treguar për mungesën e takimeve duke thënë: “Në nivelin e shteteve dhe të autoriteteve lokale (përjashto Uashingtonin dhe ato që janë realizuar si pjesë e vizitave të nivelit të lartë), ka qenë e pamundur të realizohet çfarëdo takimi...”
Pikërisht për vizitat, ambasadori flet edhe në pjesën e fundit të këtij raporti tronditës. Ai thotë që një opsion mbetet “riaktualizimi i kërkesave për biseda telefonike me Sekretarin Blinken dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Sullivan përmes presionit të njëkohshëm” nga ambasada që drejtohet nga Dugolli dhe nga ajo në Prishtinë që drejtohet nga Jeff Hovenier.