Pak takime e pjesëmarrje në një panel: Çka bëri Kurti në Delfi të Greqisë? - NACIONALE

Pak takime e pjesëmarrje në një panel: Çka bëri Kurti në Delfi të Greqisë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë tri ditëve të fundit në Greqi është mbajtur Forumi Ekonomik i Delfit, në të cilin janë trajtuar një sërë çështjesh duke nisur që nga lufta në Ukrainë, globalizimi, drejtësia dhe politikat, energjia e deri te Greqia si një qendër arsimore dhe e ardhmja e Demokracisë. Kosova u përfaqësua nga kryeministri Albin Kurti - çka bëri ai atje?

Ky forum i organizuar në Greqi ka zgjatur katër ditë, nga 26 prilli deri më 29 prill 2023, ndërsa kryeministri Kurti i është bashkuar më 28 prill në të cilin ka zhvilluar disa takime.

Fillimisht, Kurti është takuar me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës thuhet se kanë diskutuar për urgjencën e zbatimit të plotë të marrëveshjes bazë dhe aneksit të dakorduar në Ohër.

Në takim gjithashtu u bisedua edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, rëndësinë dhe urgjencën e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit të dakorduar në Bruksel, respektivisht në Ohër, dhe për pritjet nga takimi i radhës i nivelit të lartë politik që do të mbahet të martën e javës së ardhshme.” – thuhet në njoftim.

Në margjinën e Forumit Ekonomik, Kurti është takuar edhe me emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Kurti, këtë e ka konfirmuar përmes një shkrimi në Twitter, ku ka deklaruar se me Lajçakun, ka diskutuar hapat e radhës në takimin e ardhshëm në Bruksel më 2 Maj.

“Diskutuam takimin e ardhshëm në Bruksel dhe zgjedhjet e fundit lokale në katër komunat tona në veri me Miroslav Lajcak në Forumin e Delphit. Marrëveshja Themelore duhet të zbatohet plotësisht dhe shpejt. Asnjë parakusht dhe pa vonesa.”- ka shkruar Kurti.

Në fillimin e ditës së dytë, Kurti është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Në këtë takim Kurti dhe Dendias kanë dikuar për marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit me Serbinë, si dhe për pritjet e takimit të nivelit të lartë politik më 2 maj në Bruksel.

Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, rezultatet dhe rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës të dielën e javës së kaluar, nevojën për zbatim të plotë, pa vonesa dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit me Serbinë dhe për pritjet e takimit të nivelit të lartë politik me 2 maj në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.” – thuhet në njoftimin e qeverisë.

Në fund të forumit, Kurti është takuar edhe me ish-kryeministrin grek, njëherësh presidentin e nderit të Internacionales Socialiste dhe aktualisht kryetarin e Lëvizjes së Socialistëve Demokrat, George Papandreou.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Kurti dhe Papandreou kanë zhvilluar një mëngjes punë, ku kanë biseduar për bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve.

Me z. Papandreou, kryeministri Kurti pati një mëngjes pune gjatë të cilit u diskutua rreth bashkëpunimit bilateral në rritje ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, zhvillimeve të fundit në Kosovë, rajon dhe kontinentin e Evropës.” – thuhet në njoftim.

Çka tha konkretisht Kurti në Forumin Ekonomik?

Kryeministri Albin Kurti vlerësoi se "nuk mund të ndryshohet historia e gjeografia, por mund të punohet për të ardhmen", derisa po fliste për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

“Kosova është vend demokratik, jo vend i madh, por shembull i mirë se demokracia dhe zhvillimi ekonomik shkojnë dorë më dorë. Ne kemi nevojë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, nuk mund ta ndryshojmë historinë dhe gjeografinë, por mund të ndryshojmë të ardhmen, të punojmë për të ardhmen.” – tha ai.

Sukses të madh për Kosovën, Serbinë dhe Bashkimin Evropian e konsideroi kryeministri Kurti arritjen e marrëveshjes bazë, si dhe pajtimin për planin e zbatimit të saj.

“Ne kemi marrëveshjen bazike, dhe aneksin e implementimin, kjo është bërë nën drejtimin e BE-së, përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell dhe emisari Lajçak, ky është sukses i madh i Kosovës, Serbisë dhe BE-së.” – u shpreh ai.

Tutje, kryeministri deklaroi si vijon: “BE-ja ka treguar se mund të normalizojë marrëdhënie, kjo marrëveshje që kemi është njohje de-facto. Është e inspiruar nga modeli i dy Gjermanive. Bazikisht, dy shtete që vendosin të jetojnë me njëra-tjetren, me sovranitetin e tyre, dhe të drejta të barabarta. Jam optimist për këtë marrëveshje. Na duhet implementim i shpejtë. Tash implementimi është një sifdë, po jo diçka për të cilën duhet të frikësohemi si u shpreh drejtuesja e UNMIK-ut në Kosovë”.

Lajme të ngjashme