Kurti nga Greqia flet për marrëveshjen: Sukses i madh i Kosovës, Serbisë dhe BE-së - NACIONALE

Kurti nga Greqia flet për marrëveshjen: Sukses i madh i Kosovës, Serbisë dhe BE-së

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti derisa po merrte pjesë në një panel diskutimi në Forumin Ekonomik të Delfit në Greqi ka folur edhe për marrëveshjen e arritur së fundi me Serbinë. Çka tha konkretisht ai?

Kryeministri Kurti vlerësoi se "nuk mund të ndryshohet historia e gjeografia, por mund të punohet për të ardhmen", derisa po fliste për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

“Kosova është vend demokratik, jo vend i madh, por shembull i mirë se demokracia dhe zhvillimi ekonomik shkojnë dorë më dorë. Ne kemi nevojë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, nuk mund ta ndryshojmë historinë dhe gjeografinë, por mund të ndryshojmë të ardhmen, të punojmë për të ardhmen.” – tha ai.

“Sukses i madh”

Sukses të madh për Kosovën, Serbinë dhe Bashkimin Evropian e konsideroi kryeministri Kurti arritjen e marrëveshjes bazë, si dhe pajtimin për planin e zbatimit të saj.

“Ne kemi marrëveshjen bazike, dhe aneksin e implementimin, kjo është bërë nën drejtimin e BE-së, përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell dhe emisari Lajçak, ky është sukses i madh i Kosovës, Serbisë dhe BE-së.” – u shpreh ai.

Tutje, kryeministri deklaroi si vijon: “BE-ja ka treguar se mund të normalizojë marrëdhënie, kjo marrëveshje që kemi është njohje de-facto. Është e inspiruar nga modeli i dy Gjermanive. Bazikisht, dy shtete që vendosin të jetojnë me njëra-tjetren, me sovranitetin e tyre, dhe të drejta të barabarta. Jam optimist për këtë marrëveshje. Na duhet implementim i shpejtë. Tash implementimi është një sifdë, po jo diçka për të cilën duhet të frikësohemi si u shpreh drejtuesja e UNMIK-ut në Kosovë”.

2 maji

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq pritet që të takohen të martën e 2 majit në Bruksel. Çështjet kryesore në agjendë do të jenë deklarata për të pagjeturit dhe Asociacioni.

Pikërisht nën margjinat e këtij forumi, kryeministri takoi emisarin Miroslav Lajçak me të cilën folën rreth takimit të ardhshëm.

‘’Theksova rëndësinë e takimit të dialogut më 2 maj. Do të jetë një hap i rëndësishëm përpara dhe është e rëndësishme të shmangni çdo veprim që mund të përkeqësojë atmosferën.’’tha Lajçak në lidhje me këtë takim.

Por, i pranishëm një panel diskutimi ishte edhe vetë Lajçak, i cili përmendi ekskluzivisht Asociacionin, duke thënë se para një viti nuk ishte menduar se do të ketë progres sa i përket kësaj çështje.

“Asociacioni është një marrëveshje, është obligim. Tragjetië, kujtimet e të kaluarës, bëjnë që të ketë shumë pak besim. Për Asociacionin u morën vesh 10 vjet më parë, një vit më parë nuk u duk shumë e mundur që do të ketë progres, por ja ku jemi këtu në maj, kemi ftuar dy liderët për takimin e radhës. Ky do të jetë takimi i dhjetë mes tyre, kemi Asociacionin në agjendë, për herë të parë do të kemi prezantimin e draft-statutit, dhe do të pasohet me një proces shumë të shpejt për statutin.” – deklaroi ai.

Lajçak porositi se nuk duhet të ketë veprime të njëanshme, ku më pas, emisari evropian përmendi vendimin e sotëm për të hapur urën e Ibrit, duke e theksuar se “nuk është koha e duhur për këtë”.

Ne ende duhet të përballemi me këtë në baza ditore, derisa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë për të hapur urën dhe atmosfera dukshëm nuk është e duhur për këtë. Për këtë, unë dua që të përdor këtë panel që të dërgoj një mesazh, kjo është platform e drejtë, ky plan, është një plan “win-win”, ka shumë përfitime për të dyja palët, duhet të respektojnë vijat e kuqe. Ky plan do të sjellë stabilitet për rajonin, duhet të normalizohen marrëdhëniet.” – tha ai.

Lajme të ngjashme