Kurti kërkon “zbatim të plotë dhe të pakushtëzuar” të Marrëveshjes Kosovë-Serbi, takohet me Stuart Peach
Marrëveshja Bazë për normalizim të marrëdhënieve e arritur në Bruksel dhe Ohër “është e rëndësishme” dhe duhet të zbatohet “plotësisht dhe pakushte”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim me të dërguarin special britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, në Forumin Ekonomik të Delphi-t në Greqi.
Kështu njoftoi Zyra e Kryeministrit të Kosovës për takimin mes tyre, ku siç u tha, “u bisedua edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, rëndësinë dhe urgjencën e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit të dakorduar në Bruksel, respektivisht në Ohër, dhe për pritjet nga takimi i radhës i nivelit të lartë politik që do të mbahet të martën e javës së ardhshme”.
Njoftimi i plotë:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në Forumin vjetor Ekonomik në Delphi që organizohet nën patronatin e Presidentes së Greqisë, Katerina Sakellaropoulou.
Në ditën e parë të pjesëmarrjes së tij, u takua me të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, me të cilin u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe për zhvillimet e aktuale në Kosovë dhe rajon.
Kryeministri Kurti falënderoi Lord Peach për mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të Mbretërisë së Bashkuar, që u konfirmua edhe në rastin e pranimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në fillim të kësaj jave.
Ata diskutuan për mbajtjen dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, të cilat ishin të qeta, paqësore dhe pa incidente.
Në takim gjithashtu u bisedua edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, rëndësinë dhe urgjencën e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit të dakorduar në Bruksel, respektivisht në Ohër, dhe për pritjet nga takimi i radhës i nivelit të lartë politik që do të mbahet të martën e javës së ardhshme.
Krahas takimeve, sot në orën 17:30, kryeministri Kurti po ashtu do të jetë panelist në një diskutim në kuadër të forumit me titull “Ballkani Perëndimor në Fushën e re të Shahut të Gjeopolitikës”. Transmetimin e drejtpërdrejtë mund ta ndiqni në linkun në vijim: