Padije dhe naivitet: Qysh përfundoi Kosova te rezultati katastrofal në investime kapitale?
Në mënyrë që Avdullah Hoti të bëhet lajm sensacional, duhet që diçka të shkojë tmerrësisht keq me ekonominë e Kosovës. Diçka, përnjëmend ka ndodhur. Diçka që ishte e paralajmëruar.
Në kritikën e saj si opozitare, Vetëvendosje është akuzuar shpesh se nuk ofronte alternativë. A po dalin fjalët e kundërshtuesve të VV-së, tash që kjo parti ka pushtetin? Mungesa e investimeve kapitale jep një përgjigje të prerë.
Para jo më shumë se dy ditësh, ish kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti do të alarmonte qytetarët me anë të një statusi në Facebook ku tregonte për një keqmenaxhim banal nga Qeveria e Kosovës.
“... Qeveria po mban rreth 210 milionë euro pa asnjë nevojë, të cilat mjete po devalvohen edhe nga inflacioni i lartë. Sikur këto mjete të qarkullonin në ekonomi, ato do të multiplikoheshin (shumëzoheshin) dy deri në tre herë, duke rritur kështu kërkesën agregate dhe rrjedhimisht të ardhurat, konsumin dhe punësimin,” - tha z. Hoti.
Pra, nga 210 milionë euro, do të bëheshin 400-500 milionë kur të qarkullonin në ekonomi në formën e projekteve kapitale. Por, në vend të kësaj, Qeveria ka vendosur që t’i mbajë në kuletën e shtetit duke lejuar që t’iu humbas vlera nga rritja e inflacionit (qershor, 14.1 për qind).
Pas Hotit, edhe Instituti Gap publikoi një grafikon që u bë viral në rrjetet shoqërore, e që po ashtu tregonte mungesën alarmante të investimeve kapitale nga Qeveria Kurti II.

Shpenzimi i buxhetit për investime kapitale ishte vetëm 9%, ose edhe më dobët se sa në vitin e karantinave të pandemisë, kur ekonomia ishte mbyllur, më 2020. Asnjë vit tjetër, pavarësisht bllokadave politike e institucionale nëpër të cilat kishte kaluar vendi, nuk kishte pasur një përqindje kaq të ulët.
Ta zëmë, në vitin 2014 kur kishim pasur bllokadën gati gjashtë-mujore institucionale deri në formimin e Qeverisë Mustafa, investimet kapitale kishin arritur në 24%.
Në një intervistë për gazetën Nacionale të dhënë para katër muajsh, ish kryeministri Hoti kishte deklaruar se Qeveria Kurti II nuk kishte “fare agjendë ekonomike” derisa edhe kishte parashikuar që “bumi ekonomik” do të shuhej.

“Agjendë ekonomike nuk ka. Bumi ekonomik i pas-pandemisë, i nxitur kryesisht nga pakot e rimëkëmbjes në vitin 2020 dhe muajt e parë të vitit 2021 nga qeveria paraprake dhe nga dërgesat e mërgimtarëve, po shuhet. Sot bizneset nuk kanë asnjë qartësi se çfarë mund të presin nga kjo qeveri sa i përket politikave fiskale.” – ishte shprehur Hoti në muajin mars.
A e ka keqlexuar VV-ja ekonominë?
Kryeminsitri Kurti është kritikuar për qasjen e tij në ekonomi, edhe nga ish bashkëpartiakët e tij që e kanë kontestuar madje edhe pozicionin e tij ideologjik.
“Për një vit unë e shoh një qeveri totalisht animike në mirëqenie e zhvillim, totalisht pa ide e pa plan, nuk ka asnjë vendim që tregon se struktura ekonomike do të ndërrojë, apo që mënyra e të menduarit për zhvillim do të ndërrojë,”- kishte thënë z. Sejdiu.
Ngjashëm kishin kritikuar e vazhdojnë të kritikojnë edhe Shpend Ahmeti, ish nënkryetar i partisë së Kurtit dhe Visar Ymeri, ish kryetar.
Qeveria Kurti ka përvetësuar të njëjtin fjalor politik përmes të cilit shërbeheshin edhe qeveritë e mëhershme, e të cilat vetë Kurti kishte kritika të shumta.
Në një komunikatë që tashmë është fshirë nga uebfaqja zyrtare e Vetëvendosjes, e të titulluar “Trafiku”, partia e z. Kurti shpërfaqte një naivitet të theksuar e shqetësues mbi të menduarit për ekonominë dhe investimet kapitale.
“Me investimet publike enorme në infrastrukturë qytetarët inkurajohen t’i braktisin banesat e tyre pa ngrohje dhe pa energji elektrike, pa ujë dhe pa parqe të gjelbëruara, për të blerë kamp-shtëpiza si rimorkio veturash me të cilat do të mund të qarkullonin nëpër asfaltin gjithmonë fringo të ri anekënd Kosovës. Aty do të mund edhe të ushqeheshin e të flinin pasi të jenë parkuar përkohësisht nëpër shiritat anësorë të autostradave.” – shkruante kjo parti politike në vitin 2013.
E zorshme të besohet që ndonjë alternativë serioze ekonomike mund të dalë nga një elaborim i tillë.
Ndërkohë, edhe Programi i Qeverisë Kurti II që përmban vetëm 61 faqe, është i mjegullt sa i përket shpjegimeve e zotimeve për projektet kapitale.
Në vend të kësaj, faqet e këtij programi janë të mbushura me fjali përgjithësuese. Në pjesën mbi rritjen ekonomike, Qeveria shkruan si vijon:
“Vizioni ynë është ndërtimi i sistemit të qëndrueshëm të financave publike në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, që siguron rritje dhe zhvillim ekonomik, si dhe mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët. Këtë do ta arrijmë nëpërmjet ridisejnimit të politikave fiskale dhe të sistemit financiar, që siguron llogaridhënie.”
Ose, edhe fjalia tjetër që dështon të dallojë njëjësin nga shumësi:
“Pjesë integrale e fuqishme e planit tonë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, janë mërgata jonë.”
25 mijë të punësuar, qe një vit
Për fat të keq, Qeveria Kurti ka përvetësuar fjalorin e qeverive të mëparshme për të folur mbi ekonominë.
Kryeministri i vendit, ashtu si Zv. Kryeministri dhe ministri i Financave, kanë folur rrallë në lidhje me krizën ekonomike, rritjen e çmimeve dhe varfërimin e përditshëm të qytetarëve të vendit. Në vend të kësaj, ata janë treguar tepër optimistë.
Kurti me vartësit e tij kanë pasur edhe një shifër konkrete për t’iu dhënë qytetarëve në mënyrë që të ilustronin ‘zhvillimin ekonomik’ të Kosovës gjatë qeverisjes së tyre: 25 mijë të punësuar.
Kjo shifër është përsëritur vazhdimisht e vazhdimisht, megjithëse ka ndryshuar nganjëherë (ishte 22 mijë, e ishte 31 mijë por përsëri u kthye në 25).
25 mijëshi ishte përmendur për herë të parë në shtator të vitit të kaluar, pra tash e njëmbëdhjetë muaj më parë. Për çudi, asnjë qytetar tjetër nuk ishte punësuar dhe asnjë qytetar tjetër nuk kishte humbur vendin e punës përgjatë gjithë kësaj kohe sipas pushtetarëve tanë.
Sa i përket investimeve kapitale, ata kishin përmendur Parkun e Erës , një projekt gjermano-izraelit i nisur gjatë Qeverisë Haradinaj II.
Një projekt i rëndësishëm i paralajmëruar ishte ai i Rrugës Prizren-Tetovë, e i cili do të kushtonte rreth 150 milionë euro. Por, tash e tetë muaj nuk ka asnjë ecje përpara as në këtë drejtim.
Kërcimi ideologjik nga ‘e majta’ në të ‘djathtë’, naiviteti politik e mungesa e ideve janë veç disa prej hipotezave që mund ta shpjegojnë rrethanën e tanishme në të cilën ndodhet Qeveria. Por, matanë hipotezave ndodhet rrafshi faktik që mund ta shohim me sy: inflacioni i lartë, stagnimi ekonomik dhe nevoja për veprime të ngutshme e konkrete.



