EPISODI i XVI i Ditarit të Buzhalës: Albin Kurti po e shkatërron ekonominë, qe faktet - NACIONALE

EPISODI i XVI i Ditarit të Buzhalës: Albin Kurti po e shkatërron ekonominë, qe faktet

1 vit më parë

nga Berat Buzhala

Një raport i institutit GAP mori dhenë gjatë ditës së sotme. Në të gjitha platformat sociale, u panë reagime rreth këtij raporti.

I njëjti është temë kryesore e episodit të radhës të emisionit Ditari i Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

Sipas Buzhalës, kjo tabelë përfaqëson deri më tani pasqyrën më adekuate dhe atë më tragjike të qeverisjes Kurti.

Tutje ai thekson se instituti gjegjës njihet si i afërt me Vetëvendosjen dhe se nuk ka vend për dyshime apo konspiracion.

“Tabela e institutit GAP është deri tash pasqyrja më adekuate dhe më tragjike e qeverisjes Kurti. Ky institut përndryshe ka qenë i afërt me Vetëvendosjen, prandaj nuk ka nevojë të dyshojmë në qëllime apo në ndonjë konspiracion. Të dhënat janë të hapura, analiza është shumë e qartë”, vazhdoi ai.

Përveç këtij fakti, autori ngre si çështje edhe faktin e investimit të buxhetit në shpenzime kapitale, që rastis të jetë vetëm 9%, shifër kjo tejet e vogël.

“Kjo qeveri ka shpenzuar vetëm 9% të investimeve kapitale në shkolla, në rrugë, në infrastrukturë, më se të nevojshme”, shtoi tutje Buzhala.

Ndër të tjera, Buzhala e ka etiketuar si keqmenaxhim rrugëtimin e deritanishëm të ekzekutivit, duke thënë se nuk mund të titullohet ndryshe diçka që sjell numër të madh të reperkusioneve ekonomike, të cilat janë fatale për ekonominë dhe vendet e punës.

“Cilat janë reperkusionet e këtij keqmenaxhimi, sepse emër tjetër nuk ka këtu. Valon Syla në një status e quajti qeveri amatoreske, por këtu mund të ketë edhe elemente të veprave penale, sepse një keqmenaxhim i tillë që ka reperkusione ekonomike është fatal për ekonomi dhe për vende të punës. Ligji për Buxhet është i bazuar në numra, dhe këta numra nuk po respektohen nga Qeveria. Ju kujtoj se ne gjithmonë kemi pasur suficite dhe bartje nga viti në vit. Prokurimet janë të ndërlikuara, ndërsa shpesh ka edhe ankimime.”

Në fund fare, Buzhala shpalosi edhe informacionet që ka siguruar lidhur me mungesën e investimeve të parapara.

Sipas tij, flitet se në sektorin e ushtrisë, aty ku qeveria ka paraparë investim prej 100 milionë eurove, deri më tani nuk e ka shpenzuar asnjë cent.

“Kam edhe informata shtesë. Po ashtu flitet se edhe në fusha tjera ka suficit të madh. P.sh., në blerje të armatimit, qeveria që ka trumpetuar rekord investime në buxhet prej 100 milionë eurove, ka arritur të shpenzojë - a dini sa? - ZERO. Pra ZERO euro janë shpenzuar në prokurim, sepse Qeveria Kurti ka qenë e paaftë të kryejë prokurime me kohë dhe ne tashmë jemi në gusht, por e kemi një qeverisje që po kolabon, dhe me të është duke e kolabuar edhe një shtet të tërë”, përfundoi Buzhala.

Përgjatë emisionit, trajtohet edhe politika e jashtme, gjegjësisht rezultati i arritur në këtë dikaster.

Për më shumë, ndiqeni të plotë emisionin e radhës, njëherit i 16-i me radhë në këtë kolazh episodesh.

Lajme të ngjashme