Miku dhe profesori i Kurtit, Enis Sulstarova i bashkohet shpërndarjes së dezinformatës për Time Kadrijajn - NACIONALE

Miku dhe profesori i Kurtit, Enis Sulstarova i bashkohet shpërndarjes së dezinformatës për Time Kadrijajn

3 javë më parë

nga NACIONALE

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vite më parë e kishte përshkruar sociologun Enis Sulstarova si njeri që e kishte edhe mik, edhe profesor. Këtë të dielë, Sulstarova i është bashkuar vargut të figurave të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje që kanë shpërndarë një përmbajtje të rreme me ballinë të gazetës serbe për deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj.

Promovimi i librit ‘Nacionalizmi’ i Enis Sulstarovës, të cilin nuk e di se a e kam më shumë mik apo profesor, por sigurisht që të dyja këto”, kishte shkruar Kurti gjatë promovimit të librit të Sulstarovës në Fakultetin Filozofik.

Sulstarova, studiues nga Shqipëria dhe figurë e njohur për afërsinë e tij me Vetëvendosjen, ka shpërndarë tash përmbajtjen e njëjtë dezinformuese që gjatë ditës është shpërndarë edhe nga figura të tjera të lidhura me partinë e Kurtit.

"Dekoratat" e Serbisë për Time Kadrinë. Turp e faqja e zezë!”, ka shkruar Sulstarova.

Bëhet fjalë për një ballinë të modifikuartë tabloidit serb “Blic”, në të cilën pretendohet rrejshëm se ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, e ka lavdëruar Time Kadrijajn pasi kjo e fundit e kishte gjuajtur Kurtin me vezë.

Në ballinën e fabrikuar pretendohet se Gjuriq ka thënë: “Time Kadrijaj tregoi guxim dhe dinjitet”. Mirëpo, siç raportoi Nacionale, ballina nuk është autentike. Në faqen e “Blic.rs”, ballinat reale të 8 dhe 9 gushtit janë krejtësisht të ndryshme.

Përmbajtja e rreme kishte marrë hov pasi ishte shpërndarë edhe nga figura të Vetëvendosjes. Elvis Hoxha kishte shkruar “Lëvdatat që nuk duhen”, ndërsa anëtari i Kryesisë së VV-së, Sadri Ramabaja, po ashtu e kishte shpërndarë atë si të vërtetë. Pas raportimit të Nacionales, Ramabaja e kishte fshirë postimin.

Tash listës së shpërndarësve i është shtuar edhe Sulstarova.

Raporti i tij me Kurtin nuk është i panjohur. Në promovimin e librit “Nacionalizmi”, Kurti jo vetëm që e kishte quajtur mik dhe profesor, por kishte rekomanduar publikisht që studentët dhe të interesuarit për politikë ta dëgjonin dhe lexonin Sulstarovën.

Kështu, edhe profesori që Kurti publikisht e kishte cilësuar njëkohësisht “mik” dhe “profesor”, përfundoi duke shpërndarë të njëjtën përmbajtje të fabrikuar që qarkulloi nga figura të Vetëvendosjes kundër Time Kadrijajt.

Lajme të ngjashme