Pa ditur se kur do të kthehen, të mbijetuarit largohen nga zona e goditur nga tërmeti - NACIONALE

Pa ditur se kur do të kthehen, të mbijetuarit largohen nga zona e goditur nga tërmeti

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Riza Atahan, nga province jugore turke, Hatay, i vendosi bashkëshorten dhe bijën në një autobus për t’i dërguar në një vend të sigurt rreth 300 kilometra larg, pastaj u kthye në shtëpinë e vet, të dëmtuar nga tërmeti, për t’i ruajtur gjërat që i kanë mbetur.

“Nuk pres shumë nga kjo jetë, por jeta e fëmijëve tanë është e rëndësishme”- tha ai, përderisa familja e tij u nis për t’u vendosur në një konvikt studentësh – strehë urgjente, e caktuar nga autoritetet. Ai shpreson që t’i kursejë anëtarët e familjes nga kaosi dhe vështirësitë me të cilat do të ballafaqohen banorët e Hatay-t në muajt e ardhshëm.

Ata u bashkohen më shumë se 158 mijë njerëzve të tjerë që janë zhvendosur nga një territor i gjerë i jugut të Turqisë, që është dëmtuar e shkatërruar nga tërmeti, sipas të dhënave qeveritare. Edhe më shumë kanë ikur menjëherë në panik pas tërmetit, duke shkaktuar kaos në trafik, përderisa mundoheshin që të gjenin rrugë të kalueshme.

Njëri nga tërmetet më vdekjeprurëse në historinë moderne të Turqisë ka shkaktuar mbi 37 mijë viktima në këtë shtet dhe në Sirinë fqinje. Ekipet e shpëtimit punuan gjatë natës për të gjetur të mbijetuar të tjerë të mundshëm nën rrënoja, por shpresa për këtë po zbehet.

Qindra banorë në ditë po largohen nga provinca Hatay, të pasigurt nëse ose kur do të mund të kthehen. Ata grumbullohen në një pikë anash një rruge që çon në Antakya, raporton agjencia “Reuters”.

Zyrtarët e sigurisë i marrin emrat e njerëzve dhe i pyesin se ku duan që të shkojnë, pastaj i caktojnë nëpër autobusë që i dërgojnë në provinca të ndryshme, nga Stambolli, 12 orë vozitje në veriperëndim, te Hakkari, 12 orë vozitje, afër kufirit me Irakun.

“Nuk do të kthehemi”

Hamza Bekry, 22 vjeç, sirianë me prejardhje nga Idlibi, i cili ka jetuar në Hatay për 12 vjet, tha se është nisur për në Ispatra të Turqisë.

“Shtëpia jonë është shembur plotësisht. Disa nga të afërmit tanë kanë vdekur, ka ende nën rrënoja. Familja ime shkoi në Ispatra, po shkoj edhe unë, nuk do të kthehemi në Hatay. Është shumë vështirë... Do të fillojmë nga zeroja, pa gjësende, pa punë”- tha ai.

Fatma Yitir po banon në një veturë që nga dita e tërmetit. “Nuk kemi ujë, rrymë. Jemi të mjerë. Të lëkundur e të lodhur. Po mendojmë që të shkojmë në Ankara. Biri im është atje, duke punuar në një spital. Do të qëndrojmë atje për ca kohë”- tha ajo.

Pluhuri e mbush ajrin e natës, ku ekskavatorët kanë filluar që t’ thyejnë ndërtesat e dëmtuara dhe t’i pastrojnë rrënojat. Dritat e kaltra të autoambulancave i ndriçojnë rrugët e errëta katran, ku ende nuk ka rrymë dhe ku mund të nuhatet era e tymit.

“Zoti i bekoftë njerëzit që po na ndihmojnë. Shpresojmë që situata do të përmirësohet, por Zoti e di”- tha banori Ergin Yitir, përderisa po përgatitej për t’u larguar.

Kur u pyet se a mendon që mund të kthehet, ai tha: “Kjo është në duart e fatit.”

Lajme të ngjashme