Osmani viziton Tajlandën e Singaporin, Kosova ka zero marrëdhënie ekonomike me këto shtete
Nga Brukseli në Tajlandë. E nga aty në Singapor. Kjo është agjenda e fundit e Vjosa Osmanit, presidente e Kosovës. Dy kontinente, tri shtete të ndryshme. Një Samit i Bashkimit Evropian, e disa takime me liderët e dy vendeve aziatike. E në këto dy vende, këmba e Osmanit do të jetë e para nga liderët kosovar që do t’i shkel. Madje, Kosova ka zero euro volumin tregtat me këto dy vende.
Në njoftimin e Presidencës thuhej se Osmani do të takohet me krerët më të lartë shtetëror të këtyre dy vendeve.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Tajlandë dhe Singapor ku do të takohet me përfaqësues të lartë shtetëror. Kjo është vizita e parë e një kreu të shtetit të Kosovës në këto dy shtete të Azisë Juglindore”, thuhej në njoftimin e Presidencës.
E pas takimit me kryeministrin e Tajlandës, Presidenca ka lëshuar përsëri komunikatë, ku theksohet se Osmani i ofroi bashkëpunim ekonomik këtyre dy vendeve.
“Për ta lehtësuar bashkëpunimin ekonomik me këtë shtet, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e marrëveshjes për mbrojtje të investimeve dhe atë për eliminimin e taksimit të dyfishtë. Në këtë kontekst, Presidentja është angazhuar për rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes së qytetarëve në mes të dy vendeve”, thuhet në komunikatë.
Tutje, aty theksohet se Osmani në takim ka prezantuar mundësinë dhe potencialin që ofron Kosova për investitorë të jashtëm, duke përmendur moshën e re të qytetarëve dhe nivelin e arsimit.
Por, një gjë është e sigurt, marrëdhënia e Kosovës me Tajlandën e Singaporin është minimale.
Kosova nuk ka asnjë marrëdhënie ekonomike e kulturore me Tajlandën e Singaporin. Madje, ka fare pak bashkëpunim diplomatik, teksa vite më parë është hapur ambasada e Kosovës në Tajlandë, ndonëse pa ndonjë aktivitet për t’u mbajtur mend.
Në Singapor, Kosova nuk ka as ambasadë.
Gazeta Nacionale ka hulumtuar rreth aktivitetit tregtar të Kosovës me Tajlandën e Singaporin.
Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, që periodikisht tregon vlerën e volumit të importit e eksportit të Kosovës me vendet e tjera, nuk ekziston asnjë germë në lidhje me Tajlandën e Singaporin.
Pra, praktikisht ZERO është importi dhe eksporti i Kosovës në këto dy vende të largëta aziatike.
Nuk dihet çfarë saktësisht do të diskutojë presidentja Osmani në Singapor.
Megjithatë lutemi që Osmani të mos e përmend fare arsimin e Kosovës. Kjo pasi, Singapori në nivelin global është një nga shtetet me sistemin arsimir më të mirë në botë.
Në fakt, në Raportin TIMMS, që teston njohuritë e nxënësve në matematikë dhe shkenca, Singapori radhitet ndër vendet e para. Madje në matematikë është në vendin e parë në botë.
Edhe Kosova radhitet e para, por nga fundi.
Kujtojmë që para ca muajve presidentja Osmani bëri një udhëtim të gjatë për në Panama, vend me të cilin Kosova po ashtu ka zero marrëdhënie ekonomike.
Këto udhëtime i ka kritikuar së fundmi Durim Berisha, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti në qeverinë e tij të parë.
Ai tha se ajo që bie në sy është që Osmani ka dëshirë të madhe për të udhëtuar jashtë vendit.
“Aktivitetin e presidentëve e përcjelli nga pasioni për fushën t‘cilën e kam studiu. Ajo që me bie në sy te Presidentja Osmani është dëshira e saj e madhe për me e shëtitë globin. Marrë parasysh se Presidenti i Republikës nuk ka kompetenca ekzekutive, është i pakuptimtë i tërë ky shpenzim për shëtitje naltë dhe poshtë”, theksoi Berisha.
Tutje, ai tha se duhet të rehabilitohet pozita e kreut të shtetit, pasi sipas tij kushdo që po udhëheqë me këtë detyrë, “po del prej tefteri”.
“Dikur shkruaja se duhet demitizuar pozita e Kreut të Shtetit në Kosovë, sot po them se kjo pozitë duhet rehabilituar. Është njëfarë mallkimi, kushdo qe po e merr përsipër atë funksion, po del prej tefteri. Pak ma për tokë aman”, përfundoi ai.
Kujtojmë që Osmani është kritikuar edhe për qasje selektive ndaj figurave kombëtare.