Osmani për Rusinë, Kurti për dy ministra, Gërvalla për Asociacion: Çka folën këto ditë krerët e shtetit nëpër intervista? - NACIONALE

Osmani për Rusinë, Kurti për dy ministra, Gërvalla për Asociacion: Çka folën këto ditë krerët e shtetit nëpër intervista?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shteti që e drejtojnë, para pak ditësh mbushi 15-vjet pavarësi. Me këtë rast, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e kryediplomatja Donika Gërvalla, duket se ishin mjaft të zënë duke dhënë intervista për media të ndryshme botërore. Por si zakonisht, në një praktikë të njohur tani, nuk pati paraqitje të tyre për mediat vendore. Si u paraqitën ata?

Të premten u shënua 15-vjetori i pavarësisë së Kosovës. Nëpër shumë aktivitete, të pranishëm ishin dhe krerët e shtetit. Osmani, Kurti e Konjufca, ishin “të pranishëm” edhe në intervista për mediume të huaja, si zakonisht, munguan në ato vendore.

Disa intervista, ata i dhanë edhe në Konferëncën e Sigurisë në Mynih, nga ku u kthyen pa një takim me sekretarin amerikan, Antony Blinken, gjë për të cilën u kritikuan shumë.

Albin Kurti

Kryeministri Kurti, në një intervistë të dhënë për mediumin francez “Le Monde”, të cilën e përktheu edhe gazeta Nacionale, foli për shumë gjëra, nga ikja e të rinjve e deri të anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, për të cilën, dha edhe një afat kohor.

Një deklaratë që u komentua e Kurtit, e që doli pikërisht nga kjo intervistë, ishte përgjigja e tij kur u pyet për ikjen e të rinjve.

“Disa largohen, por disa kthehen. Dy prej ministrave të mi janë kthyer nga jashtë. Dhe unë përpiqem t’i sjellë të diplomuarit në institucione të vendit me shkollime nga vende perëndimore. Një e treat e kosovarëve nuk jetojnë brenda vendit, kontributi financiar i diasporët përfaqëson 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.” – ka thënë ai.

Ndërkohë, ai ka përmendur edhe një afat kohor për arritjen e këtij qëllimi, bashkimit të Kosovës me bllokun evropian.

“BE-ja është fati ynë. Duke përfshirë ne dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, BE mbron Evropën. Ne presim ta arrijmë këtë për nëntë vjet, kjo është koha mesatare për të hyrë në BE!” – ka thënë shefi i Qeverisë së Kosovës.

Në një intervistë për "France 24" ndërkaq, ai foli për dialogun Kosovë-Serbi, duke shprehur shpresën e tij që këtë vit të arrihet një marrëveshje.

“Unë duhet të pranoj se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë nuk janë normale edhe pse vendi ynë është normal. Nga ana tjetër, Serbia sipas Freedom House nuk është një vend demokratik. Ka regjim hibrid. Ne duam normalizimin e plotë të marrëdhënieve që duhet të përqendrohen në njohjen e ndërsjellë. Besoj se takimet e nivelit të lartë që do të ndodhin këtë vit do të na afrojnë më shumë për të arritur këtë marrëveshje bazuar në propozimin e BE -së të inicuar nga Franca dhe Gjermania.” – tha ai.

Vjosa Osmani

Presidentja Osmani për 15-vjetorin e pavarësisë, dha një intervistë për mediumin “El Periodico”, është pyetur për Bashkimin Kombëtar, duke lënë të kuptohet se nuk e përkrah një “ide” të tillë.

“Ne kemi sakrifikuar dhe kemi punuar për një Kosovë të pavarur dh esovrane, dhe puna ime do të vazhdojë t’i dedikohet një Kosove të pavarur dhe sovrane. Deklarimi i pavarësisë dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është fillimi dhe fundi i gjithçka që unë bëj.– ka thënë ajo.

Osmani ka dhënë një intervistë edhe për “Sky News”, ku kryesisht, foli për ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

“Ata sjellin forca paraushtarake që janë të veshura me civilë brenda territorit tonë përmes rrugëve ilegale, pastaj dërgojnë armë dhe uniforma jeshile pa shenja që të mos duket si sulm tradicional ushtarak. Por, në fakt, ata përgatitin shumë sulme hibride, që është një përzierje e asaj që bëjnë këto forca paraushtarake në veri të Kosovës.” – citohet të ketë thënë ajo.

Donika Gërvalla

Intervista për media të huaja këto ditë ka dhënë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Ajo për agjencinë e lajmeve FENA, medium boshnjak, ka folur rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

…Gërvalla tha se janë gati ta pranojnë planin franko-gjerman, si bazë për diskutime të mëtutjeshme, por nuk do të lejojnë një tjetër Republika Srpska, pasi një është shumë.” – citohej të ketë thënë ajo.

Kryediplomatja ka dhënë një intervistë edhe për gazetën hebraike të quajtur Israel Hayom.

Mes tjerash, Gërvalla në këtë intervistë u pyet: “Kosova ka qenë shteti i parë evropian që e hapi ambasadën në Jerusalem. Kur do ta nominojë Kosova një ambasador?”

“Kjo është pyetje që me siguri se do të marrë përgjigje në gjysmën e parë të këtij viti. Vendimi final nuk varet aq shumë në marrëdhëniet tona bilaterale, por më shumë në procesin që po vazhdon të ristrukturimit të shërbimit tonë diplomatik, që ta bëjmë shumë më efektiv.” – ka thënë ajo rreth kësaj çështje.

Lajme të ngjashme