Pse Prindon Sadriu po sillet ‘çuditshëm’ pas 'dështimit' të Vjosa Osmanit për ta takuar Blinkenin?
Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, ka reaguar në mënyrë mjaft të papërshtatshme pas dështimit të presidentes Osmani që në Mynih ta takonte Sekretarin Antony Blinken apo zv. presidenten Kamala Harris. Por, a mund të ketë shpjegim për këtë sjellje?
Fillimisht, të ndalemi te ajo që e tha z. Sadriu në dy reagimet e tij të deritashme.
Para dy ore, ai shkroi për takimin e vitit të kaluar që e kishin pasur Osmani e Kurti në Departamentin Amerikan të Shtetit me Sekretarin Blinken.
“Një pritje të tillë nuk e ka patur as Vuçiqi e as shumica e liderëve politikë në rajon.” – shkroi z. Sadriu në atë që në shikim të parë duket si mbrojtje e gruas së tij, presidentes Vjosa Osmani.
Në postimin e tij të dytë, ai bëhet edhe më i çuditshëm.
Ai numëron takimet e presidentes Osmani pa ia kërkuar askush gjatë vitit 2022 dhe vitit 2023.
Por, a ishte e nevojshme që Prindon Sadriu ta mbronte Vjosa Osmanin në këtë formë?
Në fakt, presidentja Osmani nuk ishte shënjestra kryesore e kritikës për pamundësinë e një takimi të rëndësishëm me Blinkenin ose Harrisin në Mynih. Shënjestra ishte Albin Kurti. Cili është interesi i Prindon Sadriut, që edhe Vjosa Osmani – presidente e vendit dhe gruaja e tij – të kritikohet njësoj si Kurti?
Siç e dimë, politikat e kryeminsitrit Kurti ishin ato që nga komentues të politikës ditore vlerësoheshin si potencialisht dëmtuese të raporteve me ShBA-të. Në anën tjetër, Vjosa Osmani përgjithësisht i ka shpëtuar kritikës, edhe për shkak të qëndrimeve të saj.
A po kërkon Prindoni ‘fshehurazi’ që t’i mëshohet Vjosës?
Sipas një studimi të bërë në vitin 2013, suksesi i një gruaje e lëndon egon e partnerit të saj mashkull.
Siç shkruante The Washington Post, “suksesi i një gruaje e bën partnerin e saj të ndihet më keq për veten se sa dështimi i saj.”
“...burrat që morën pjesë në këtë studim nuk ishin as të vetëdijshme se vetëbesimi i tyre afektohej nga performanca e partnereve të tyre.... kjo mund të krijojë probleme më vonë në lidhje. Një burrë që has në vështirësi në nivel të pavetëdijshëm me suksesin e partneres papritmas mund të veprojë” – thoshte po aty psikologja klinike Jill Weber.
Në fakt, e gjithë kjo mund të mos ketë lidhje me mënyrën se si Zotëriu i Parë sillet por ia vlen të përmendet edhe për një vetëdijësim të përgjithshëm. Studimi në fjalë ishte kryer në Shtetet e Bashkuara dhe në Holandë. Por, duhet thënë se Zotëriu i Parë e kishte vënë presidenten Osmani në vështirësi në disa raste, siç ishte edhe ai kur në mënyrë të çuditshme i kishte quajtur ato "ndërmarrje të përbashkëta kriminale".
Megjithatë, vlen të thuhet që Prindon Sadriu nuk është thjesht Zotëriu i Parë. Sadriu është njëkohshëm edhe rezervist në FSK dhe diplomat i karrierës.
