Gërvalla pyetet nga gazeta izraelite pse Kosova s'ka ende ambasador në Izrael, shprehet "më shumë se e lumtur" me raportet
Shefja e diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz e ka dhënë një intervistë për një gazetë hebraike të quajtur Israel Hayom. Çka ka thënë Gërvalla aty?
Për fat të keq, kjo gazetë e ka huqur madje edhe datën e Pavarësisë së Kosovës, duke e bërë gabimisht më 18 shkurt kur në fakt është bërë më 17 shkurt 2008.
Gërvalla kishte qenë zyrtarja e Qeverisë Kurti II që kishte dhënë lajmin se Ambasada e Kosovës në Izrael do të vendosej pikërisht në Jerusalem, pas hezitimeve të kryeministrit Kurti dhe kryekuvendarit Konjufca.
E pyetur se a ishte e lumtur me marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit dy vjet pas, ajo u përgjigj:
“Ne jemi më shumë se të lumtur. Izraeli dhe Kosova po e zgjerojnë bashkëpunimin dhe miqësinë. Ne jemi në shumë aspekte shtete të ngjashme. Brenda dy vitesh, kemi pasur shkëmbime të shkëlqyera, prej vizitave zyrtare e deri te bizneset private. Ne jemi me siguri në rrugë të duhur.”
Por, më pas pati edhe një pyetje edhe më konkrete për të: “Kosova ka qenë shteti i parë evropian që e hapi ambasadën në Jerusalem. Kur do ta nominojë Kosova një ambasador?”
Përgjigja: “Kjo është pyetje që me siguri se do të marrë përgjigje në gjysmën e parë të këtij viti. Vendimi final nuk varet aq shumë në marrëdhëniet tona bilaterale, por më shumë në procesin që po vazhdon të ristrukturimit të shërbimit tonë diplomatik, që ta bëjmë shumë më efektiv.”
Më pas, Gërvalla u shpreh edhe se si kur kishte marrë detyrën në muajin mars të vitit 2021, dërgimi i Ambasadës në Jerusalem kishte qenë prej detyrave të para që e kishte marrë.
Ministrja e Punëve të Jashtme në këtë intervistë foli edhe për grupin mercenar Wagner duke thënë se Kosova i kishte detektuar në kufi.
Më pas, kryediplomatja kosovare u shpreh edhe për rrezikun që lufta në Ukrainë të shpërndahej edhe në vende të tejra.
“Sot në një botë të kërcënimeve kibernetike, me dronë, të terrorizmit e të kërcënimeve nukleare, agresioni rus nuk mund të përmbahet vetëm në Ukrainë, ashtu si gjenocidi serb nuk mund të përmbahej në Ballkan. Moska është në aleancë globale me Kinën dhe akterë tjerë për ta shkatërruar rendin e paqes që udhëhiqet nga ShBA-ja, e që ishte bërë si përgjigje direkte nndaj Holokaustit dhe Luftës së Dytë Botërore.” – argumentoi ajo.
