Pse u fsheh takimi? Jerusalemi ndan Izraelin me Palestinën, por edhe Gërvallën me vetveten - NACIONALE

Pse u fsheh takimi? Jerusalemi ndan Izraelin me Palestinën, por edhe Gërvallën me vetveten

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës [MPJD], Donika Gërvalla – Schwarz, me mos-reagimin e saj, si duket po e pranon gabimin që e bëri kur fshehu takimin që pati me ministrin e Jashtëm të Palestinës, Riyad al-Maliki, në Forumin Demokratik që u mbajt në Antalya të Turqisë. E ndoshta, po e pranon edhe gabimin për vetë takimin.

Në këtë forum, Gërvalla zhvilloi plot takime të cilat menjëherë i bënte publike në rrjetet sociale, mirëpo një nga takimet nuk zgjodhi që ta ndajë me qytetarët.

Gërvalla kishte njoftuar për takimin me ministrin e jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, atë të Somalisë, Abdisaid Muse Ali, ministrin e Brunei Darussalamit, Dato Seri Setia Haji Erywan bin Pehin Datu Pekerma Jaya Haji Mohd, atë të Senegalit, Aïssata Tall Sall si dhe ministrin e jashtëm të Mbretërisë së Bahrainit.

Meqënëse Gërvalla nuk e bëri publik takimin, ishte faqja zyrtare e Ministrisë së Jashtme të Palestinës, që njoftoi se kishte ndodhur një takim mes tyre më datë 12 mars 2022.

Në postimin e MPJ-së së Palestinës thuhet se ministri i jashtëm Al-Maliki ka sqaruar qëndrimin e shtetit të Palestinës për vendosjen e marrëdhënieve bilaterale me Kosovën, i cili iu ankua edhe për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Pasi prania e ambasadës në Jerusalem është një qëndrim që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutën e Këshillit të Sigurimit”, thuhet mes tjerash në njoftim e MPJ-së së Palestinës.

U bënë disa ditë dhe ende nuk kemi ndonjë reagim zyrtar nga ana e ministrës dhe institucioneve për këtë takim edhe pse gazeta Nacionale ka tentuar të marrë një përgjigje, mirëpo heshtja vazhdon të jetë shurdhuese.

Reagime të hapura për fshehjen

Lidhur me këtë mos-transparencë të MPJD-së, ka reaguar ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Haradinaj-Stublla ka thënë se një mos-transparencë e tillë dëmton marrëdhënien e re të Kosovës me Izraelin dhe interesat afatgjate të Kosovës për të siguruar njohje të reja në Lindjen e Mesme.

“Kosova përveç që ka punuar shumë për të ndërtuar marrëdhënie zyrtare diplomatike me Shtetin e Izraelit, ka bërë përpjekje të mëdha për të zmbrapsur kampanjën ilegale të Serbisë për të penguar e dëmtuar njohjet ekzistuese dhe ato potenciale të Republikës së Kosovës. Këtu, me vite të tëra tashmë dihet se është ndihmuar shumë nga autoritetet palestineze, duke shfrytëzuar lidhjen e tyre të ngushtë historike me disa shtete të Lindjes së Mesme. Mos të harrojmë se kjo kampanjë kishte ndodhur ende pa vendosur Kosova marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe ende pa vendosur për hapjen e ambasadës në Jerusalem”, ka thënë Haradinaj-Stublla.

Ajo ka shtuar se Kosova nuk ka asnjë përgjegjësi morale ndaj Palestinës, dhe se ministrja Gërvalla nuk është dashur të ndihet në borxh duke e mbajtur larg publikut.

Cili ishte qendrimi i Kurti e Konjufcës për ambasadën dhe pse kjo çështje shihet problematike?

Kosova hapi zyrtarisht ambasadën e saj në Jerusalem në muajin mars të 2021, vetëm disa javë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit më 1 shkurt 2021.

Hapja e kësaj ambasade nuk u prit mirë në Kosovë e as nga Bashkimi Evropian dhe shtete të tjera, pasi Jerusalemi ende nuk njihet si kryeqytet i Izraelit sepse ka status të pazgjidhur.

Në Kosovë, kreret e shtetit, patën premtuar se do ta rishqyrtojnë marrëveshjen me të cilën parashihej hapja e ambasadës se Kosovës në Jerusalem, teksa është bërë një vit, askush nuk ka bërë ndonjë hap për rishkim të kësaj pune.

Asokohe, si ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, kishte thënë se qeveria e re e Kosovës do të koordinohet për çdo veprim me administratën e re të presidenitt amerikan, Joe Biden për hapjen e ambsadës së Kosovës në Jerusalem.

"Ne do të koordinojmë çdo veprim tonin diplomatik me SHBA-së dhe Administratën Biden, atje është Jerusalemi ynë”, pati thënë Vjosa Osmani.

Por, në anën tjetër, kryeminsitrit Albin Kurti që atëkohë veçse kishte fituar zgjedhjet dhe ishte pak para formimit të qeverisë, pati thënë se do të rishqyrtojë çështjen.

Në një takim me 1 mars 2021 ndërmjet Kurti dhe ambasadorit turk në Prishtinë Çağri Sakar, ai paralajmëroi se do ta shqyrtojë çështjen se në cilin qytet do të vendoset ambasada e Kosovës, në Tel Aviv apo Jerusalem, duke thënë se "për këtë gjë do të shihet edhe dokumentacioni i qeverisë në ikje”.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kishte thënë se marrëveshja për ambasadën në Jerusalem ka qenë jashtë standardeve se si ndërtohen marrëdhëniet diplomatike në mes të dy shteteve, pasi që sipas tij, marrëveshja ka qenë e kushtëzuar me ambasadë.

“Nuk ka qenë e mençur vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, pati thënë ai, duke shtuar se do të rishqyrtojnë marrëveshjen e Uashingtonit nëse cenohet sovraniteti i Kosovës.

Përndryshe, hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem ishte e paraparë me marrëveshjen e 4 shtatorit të vitit 2020, kur Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë marrëveshje ekonomike në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Menjëherë pas kësaj marrëveshje, Bashkimi Evropian u shpreh i shqetësuar me pranimin e Kosovës për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.

Nga BE patën shprehur keqardhje për vendimin e Kosovës, për faktin që Jerusalemin BE-ja e konsideron qytet me një status ende të pazgjidhur.

Shtete Bashkuara të Amerikës [ShBA] kanë vendosur ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit në vitin 2017 dhe në bazë të këtij vendimi ta bartin edhe ambasadën në Jerusalem,

Ndërsa, asnjë shtet i Bashkimit Evropian nuk e ka ndjekur një hap të tillë.

Vetëm, Çekia ka hapur një zyrë diplomatike në Jerusalem ndërsa ambasadën e ka në Tel Aviv.

Tani edhe Kosova edhe Izraeli kanë ambasadorët e tyre, bile të mërkurën (6 mars 2022), presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, që është ambasadorja e parë e këtij shteti në Kosovë.

Lajme të ngjashme