‘Katastrofa’ e Mynihut për Kosovën: Pse shpërfillja e Blinken dhe Harris për Kurtin e Osmanin dhemb më shumë? - NACIONALE

‘Katastrofa’ e Mynihut për Kosovën: Pse shpërfillja e Blinken dhe Harris për Kurtin e Osmanin dhemb më shumë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Më 17 shkurt, kur të gjithë po e festonim ditëlindjen e 15 të shtetit tonë, Albin Kurti e Vjosa Osmani do ta ndërmerrnin një udhëtim të rëndësishëm. Më të rëndësishmin e vitit 2023. Udhëtim që duket se përfundoi në një ‘katastrofë’.

Në Mynih veçse kishte nisur Konferenca e Sigurisë, që i mblodhi rreth 40 krerë shtetesh dhe qeverish, dhe rreth 100 ministra.

Por, ishin dy emra ata që mund të kenë eksituar tej mase kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani. I pari ishte Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Dhe e dyta, edhe më e rëndësishme, ishte Zëvendës-Presidentja amerikane Kamala Harris.

Mundësia që qoftë Kurti e qoftë Osmani të arrinte një takim qoftë me Blinken e qoftë me Harrisin mund të jetë konsideruar e madhe, ashtu si edhe shpresa e tyre. Mirëpo, fatkeqësisht e gjitha përfundoi në një ‘katastrofë’.

17 shkurt

Pikërisht më 17 shkurt, ditën e Pavarësisë së Kosovës, Sekretari Blinken megjithatë do ta takonte dikë nga rajoni ynë. Dhe nuk mund të ishte një takim më i hidhët për Kosovën.

Ai takoi presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Për këtë takim, Sekretari Blinken njoftoi edhe përmes një postimi të bërë në Twitter, me një përshkrim që do të përmbante tri fjalë ledhatuese për Serbinë.

“Kisha një bisedë produktive me presidentin serb Vuçiq sot në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Ne diskutuam rëndësinë e marrëdhënive të normalizuara me Kosovën dhe përcolla vlerësimin tonë për mbështetjen e vazhdueshme të Serbisë për Ukrainën. Ne ndajmë dëshirën e Serbisë për një të ardhme me BE-në.” – u shpreh më 17 shkurt z. Blinken.

18 shkurt

Më datën 18 shkurt, Zv. Presidentja Kamala Harris do të mbante një prej fjalimeve më të rëndësishme prej që ka këtë pozitë. Pikërisht në Mynih.

Ajo i quajti të bëmat ruse në Ukrainë si “barbare dhe çnjerëzore” derisa u shpreh se pasi ShBA kishte ekzaminuar provat, nuk kishte asnjë dyshim se ato veprime ishin “krime kundër njerëzimit”.

Fjalimi i Harrisit në Mynih u tematizua në mediet më të rëndësishme perëndimore. Një takim eventual prej presidentes Osmani apo kryeministrit Kurti, natyrisht se do ta rriste edhe peshën e fjalës së tyre. Por, nuk ndodhi.

19 shkurt

Për fat të keq, më 19 shkurt – në ditën kur mori fund Konferenca e Sigurisë në Mynih – do të largoheshin edhe Sekretari Blinken por edhe Zv. Presidentja Harris.

Kryeministri Kurti e presidentja Osmani do të njoftonin për takimet që kishin pasur, por fatkeqësisht mes tyre nuk doli asnjëra nga zyrtarët amerikanë.

Kjo solli një gëzim të papërshkrueshëm te serbët, me medien e regjimit serb Alo, që madje edhe eskaloi në fyrje të rënda ndaj shqiptarëve duke iu referuar me termin pezhorativ “shiptari”.

“Amerika mori rol aktiv në dialog, investoi ndikimin dhe besueshmërinë e saj politike dhe sigurisht që s’e lejon Kurtin që ta shantazhojë – prandaj s’është për t’u habitur që Sekretari i Shtetit Antony Blinken s’e takoi Vjosa Osmanin e as Albin Kurtin në Mynih.” – i tha mediumit serb nga Kosova, ish-diplomati Zoran Millivojeviq.

Sipas shumë analistëve, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të qëndrimit të kryeministrit të Kosovës në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Por, duket kujtuar se në vjeshtën e vitit të kaluar, përfaqësuesi i ShBA-ve për Ballkanin, Gabriel Escobar, kishte njoftuar opinionin se shtyrja e problemeve të targave ilegale për të cilën njoftonte Kurti kishte qenë “kërkesë personale” e Sekretarit Blinken. Kriza e targave do të zgjaste për shumë kohë duke prodhuar kriza të vazhdueshme.

Lajme të ngjashme