Opozita i thotë “jo” draftit të Asociacionit: Kushtetuesja duhet ta rrëzojë, Kurti të japë përgjegjësi
Pas pranimit të draft-statutit të Asociacionit nga BE-ja, opozita ka qartësuar pozicionin e saj ndaj këtij dokumenti.
Pavarësisht thirrjeve të partnerëve ndërkombëtarë për përkrahjen draft-statutit, partitë politike parlamentare i kanë thënë “jo” draftit, i cili është pranuar në parim nga Qeveria e Kosovës në muajin tetor.
Tri partitë parlamentare si probleme kryesore të dokumentit në fjalë kanë evidentuar përmendjen e Rezolutës 12 44 dhe formimi i komisionit të arbitrazhit.
Përfaqësuesit e këtyre partive politikë kanë bërë me dije se tani Gjykata Kushtetuese duhet të rrëzoi këtë dokument.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka bërë me dije se përmbajtja e draftit është tejet shqetësuese.
“Është një tekst që vërtetë lenë hapësirë të shumtë për shqetësim. Sepse ne këtu po flasin për një dokument, i cili nëse do të miratohej do ta ndryshonte rregullimin shtetëror të Kosovës. Që nga dita e parë, unë kam thënë se janë dy probleme themelore me draftin, pa dashtë me marrin rolin e ekspertit të drejtës kushtetueses. Përfshirja e Rezolutës 12 44 në preambulë dhe krijimin i një komisioni të arbitrazhit, i cili realisht e nxjerr Asociacionin jashtë rregullimit juridik kushtetues të Kosovës. Nuk besoj se këto do ta kalojnë testin kushtetues”, ka thënë Krasniqi.
I pari i PDK-së ka vlerësuar se partia e tij ka pasur qëndrim konsistent gjatë gjithë kohës për këtë çështje.
“Ne kemi rezerva sa i përket tekstit, ne besojmë që se paku në këto dy elemente që i përmenda nuk e kalojnë testin kushtetues. Por, këto janë përgjigje juridike, për neve është me rëndësi përgjigjja politike. Pse kemi ardhur deri këtu? Pse z. Kurti e ka sjell Kosovën në një situatë ku dy herë brenda vitit na vjen një dokument “merre ose lere”, i cili ka të bëj me karakterin e shtetit për të cilin kemi punuar, sakrifikuar dhe jemi flijuar si popull me dekada”, është shprehur Krasniqi.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë një qëndrim rreth kësaj çështje.
Në mbledhjen e saj të parë, Kryesia e re e LDK-së ka vlerësuar se draft-statuti në fjalë përbën një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës
“Në lidhje me procesin e dialogut, Kryesia vlerëson se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i dorëzuar Qeverisë së Kosovës, përbën qartësisht një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës dhe si i tillë kthehet në një çështje urgjente për trajtim kushtetues. Ky dokument, që buron nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, mbështetet në Rezolutën 1244 të OKB-së, krijon pushtet të ri në territorin e Kosovës dhe zëvendëson Gjykatën Kushtetuese me një sistem arbitrazhi”, është thënë në njoftimi për media të Kryesisë së LDK-së.
Kjo parti ka bërë me dije se nuk mund të mbështet asnjë dokument i cili nuk përputhet me Kushtetutën e Kosovës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, jashtë sistemit unitar të shtetit tonë, si dhe jashtë rregullimit territorial të tij. LDK-ja vlerëson se roli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i domosdoshëm dhe vendimtar dhe pret që kjo gjykatë të veprojë në përputhshmëri me normën kushtetuese, kurdo që ta trajtojë këtë dokument", ka vlerësuar LDK-ja.
Draftin e ka shqyrtuar edhe AAK-ja. Më 7 dhjetor, kjo parti ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë ku ka evidentuar të metat e dokumentit.
“Kryesia e AAK-së sot ka zhvilluar një diskutim me tone shumë kritike për draft-statutin e Asociacionit. Janë shprehur shqetësimet për përmbajtjen e tij, veçanërisht për referimin në Rezolutën 1244, komisionin e arbitrazhit, si dhe raportin paralel të Asociacionit me institucionet e pushtetit qendror.vKomentet e AAK-së me vërejtjet nen për nen do të publikohen në ditët në vijim”, është thënë në njoftimin e AAK-së.
Gishti drejtohet nga Kurti
I pari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri Kurti është fajtori kryesor që e ka sjell vendin në këtë situatë.
Ai ka thënë se Kurti duhet të jap përgjegjësi për këtë çështje.
“Të gjithë jemi pajtuar për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, të përqendruar në njohje të ndërsjellë. Por, nën qeverisjen e Kurtit ne morën një marrëveshje të përkohshme, të pjesshme, dhe të përqendruar në Asociacion. Këtu unë besoj se fillimisht duhet të kërkohet përgjegjësi politike”, është shprehur Krasniqi.
Edhe LDK-ja ka vlerësuar se draft-statuti është pasoja e politikave të gabuara të Kurtit.
“LDK-ja konsideron se ky dokument është pasojë e politikave të gabuara të kryeministrit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera drejtuese të vendit, si dhe e moskoordinimit me aleatët tanë në fazat më kritike për vendin. LDK-ja beson fort se koordinimi me kohë i veprimeve me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-në, është jetik për funksionimin dhe të ardhmen e vendit tonë”, është thënë në njoftimin e Kryesisë së LDK-së, duke shtuar mbështet idenë fillestare të dialogut.
“LDK-ja vazhdon t’i mbetet besnike idesë fillestare se dialogu me Serbinë duhet të bëhet për njohje reciproke, se Asociacioni i komunave është obligim i yni dhe se ky obligim ndërkombëtar duhet të realizohet në përputhshmëri të plotë me rendin kushtetues të Kosovës”, ka vlerësuar LDK-ja.