Shoqëria civile kërkon përgjigje nga Haga për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së - NACIONALE

Shoqëria civile kërkon përgjigje nga Haga për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së

1 orë më parë

nga NACIONALE

Një grup prej 22 përfaqësuesish të shoqërisë civile i është drejtuar me letër presidentes së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke ngritur shqetësime për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Në letër thuhet se qëllimi nuk është paragjykimi i vendimit të gjykatës, por kërkesa që procesi të zhvillohet në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të besueshme për publikun. Sipas nënshkruesve, mënyra se si po zhvillohet ky gjykim ka ndikim jo vetëm juridik, por edhe në besimin e qytetarëve ndaj drejtësisë ndërkombëtare.

Shoqëria civile ka ngritur disa shqetësime kryesore, përfshirë paraburgimin e gjatë të ish-krerëve të UÇK-së që nga nëntori i vitit 2020, pa vendim të shkallës së parë, si dhe trajtimin e dokumenteve që burojnë nga institucionet shtetërore serbe.

Në letër përmendet edhe raporti i Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, ku janë ngritur dilema për paraburgimin, pranueshmërinë e provave, pavarësinë gjyqësore dhe barazinë e palëve në proces.

Nënshkruesit kërkojnë nga Dhomat e Specializuara përgjigje publike për këto shqetësime, sqarime për provat që lidhen me institucionet serbe, rishikim të praktikës së paraburgimit të zgjatur dhe mundësimin e monitorimit të pavarur të gjykimit.

Ata theksojnë se nuk kërkojnë pandëshkueshmëri për askënd, por insistojnë që drejtësia të mos perceptohet si proces i njëanshëm apo si etiketim kolektiv i UÇK-së dhe luftës çlirimtare të Kosovës.

Lajme të ngjashme