Mjeku arab dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e gjashtë personave në Gjermani
Një gjykatë në Gjermani ka dënuar me burgim të përjetshëm një burrë për sulmin në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg në vitin 2024, kur ishin vrarë gjashtë njerëz.
Gjykata ia shqiptoi dënimin maksimal sulmuesit të quajtur Taleb Al-Abdulmohsen, i cili vjen nga Arabia Saudite. 51-vjeçari u shpall fajtor për vrasje, raporton televizioni BBC.
Prokurorët thonë se ai kishte vozitur nëj veturë të tipit BMW të marrë me qira me shpejtësi deri në 48 kilometra në orë nëpër tregun e Krishtlindjeve në qendër të Magdeburgut më 20 dhjetor 2024.
Ata thonë se sulmi ndodhi në orën 19:02, kur tregu ishte plot me njerëz që po festonin dhe zgjati vetëm një minutë e katër sekonda.
Një djalë 9-vjeçar dhe pesë gra mes moshave 45 e 75-vjeçare e kishin humbur jetën. Rreth 300 njerëz të tjerë kishin pësuar lëndime.
Sulmuesi ishte arrestuar menjëherë pas incidentit.
Prokurorët thanë se ai e kishte planifikuar sulmin paraprakisht dhe kishte vepruar vetëm. Ata shtuan se burri nuk ishte duke ndjekur ndonjë qëllim serioz ideologjik, por veproi kryesisht për shkak të motivit personal.
Një ekspert i psikiatrisë tha se i akuzuari vuan nga çrregullimi i personalitetit narcist dhe nevoja e jashtëzakonshme për vëmendje.
Vetë i akuzuari tha në gjykatë se ishte motivuar për ta kryer sulmin për shkak të konflikteve me autoritetet gjermane. Ai tha se është i zemëruar për shkak se të drejtat e grave saudite po shpërfilleshin./Nacionale