Opozita e pafuqishme, pret që Kurti ta rrezojë veten - NACIONALE

Opozita e pafuqishme, pret që Kurti ta rrezojë veten

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Partitë opozitare janë të pakënaqura me Qeverinë Kurti. Ato e konsiderojnë si të dëmshme punën e kësaj qeverie, por PDK, LDK dhe AAK nuk kanë plan që të nisin ndonjë mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë në Kuvendin e Kosovës.

Përfaqësuesit e këtyre partive e kanë pranuar edhe publikisht se janë të pafuqishme në këtë drejtim.

Madje, liderët e këtyre partive presin që kryeministri Albin Kurti ta rrëzoi vetën nga pushtetit.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniq, ka thënë se deri me tani tradita në Kosova ka treguar se qeveritë nuk janë rrëzuar nga opozita, por nga kryeministrat.

Sipas tij, në këtë mënyrë është rrëzuar Kurti edhe herën e parë.

"Tradita në Kosovës është që qeveria zakonisht e rrezon vetën. Çdo qeveri e ka rrezuar vetveten. Edhe herën e fundit, qeveria e tij e ka rrezuar atë, jo opozita. Ne nuk e kemi votuat as kur ishte formuar, e nuk kemi votuar as kur u rrëzu. E patën rrëzuar ata që e kishin votuar", ka thënë Krasniqi, gjatë një intervistë për ATV.

Ai është shprehur i sigurt se përkrahja ndaj kryeministrit Albin Kurti po bije.

"Sondazhet janë të rëndësishme. Jo veç në Kosovë. Gjithkund në botë. Kam qenë edhe vet i angazhuar që nga viti 2004. Në fund të këtij muaji pritet projeksioni i radhës. Por, ajo që e di sigurtë, Albin Kurti është në rënie. Plus, shto këtu, unë mendoj se ai nuk do t'i arrijë më 40%, asnjëherë", ka vlerësuar Krasniqi.

Njëjtë mendon edhe deputetja me e re e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.

Ndonëse nga partia në pushtet ka kaluar te një partia opozita, ajo ka thënë se nuk ka votë për rrëzimin e Qeverisë, nëse i kërkohet një gjë e tillë.

"Nëse unë nesër shkoj në seancë plenare dhe me kërkohet kjo, unë nuk kam votë për mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Unë nuk shoh arsyeje për mocion mosbesimi. por unë kam pasur komunikim me z. Abdixhiku edhe për këtë çështje. Me duhet te theksoj, sepse ka qenë ndër pyetjet e mija fillestare, a do të këtë pritshmëri të tillë sepse nuk jam e gatshme", ka thënë ajo gjatë një interviste në “Ribikon”.

Ajo ka treguar se këtë siguri e ka marrë edhe nga lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

"Unë i kam thënë nëse mua me thoni që nesër ta ngris dorën për të rrezuar qeverinë Kurti, unë nuk kam votë për këtë. Jo vetëm të z. Abdixhiku, por mendoj se e kam parë edhe brenda LDK-së se nuk ka asnjë interesim që të ndodh diçka e tillë", është shprehur ajo, duke shtuar se ka marrë siguri për këtë.

"Mua më është siguruar se në rrethanat në të cilat gjendemi, LDK nuk është aspak e interesuar për mocion mosbesimi. Arsyeja pse unë nuk kam votë mosbesimi ndaj qeverisë, ndër të tjera, ka të bëj me shtetin. Unë e konsideroj tejet të rëndësishme që Kosova të këtë mandat të plotë", ka deklaruar ajo.

Kërkohet koordinim i opozitës

Ndryshe nga dy liderë tjerë opozitar, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar bashkërendim të opozitës për ta ndalur qeverinë.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se opozita duhet të bashkohet.

“Nuk mund ta precizoj se çka do të jetë. Nuk besoj se AAK e ka komoditetin mos me kërku bashkërendim të të gjithëve për ta ndalur këtë gjendje. Nëse rrimë indiferent, ose nuk bëjmë maksimumin për ta ndryshuar këtë gjendje, me e rritë vetëdijen dhe mobilizimin qytetar kundër vazhdimit të përkeqësimit të kësaj gjendjeje, atëherë kemi edhe ne faj”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka thënë se partitë e opozitës duhet të punojnë edhe me deputetët e shumicës për të ia hequr besimin qeverisë.

“Një mënyrë e duhur është me punu edhe me deputetë të pozitës. Nuk ka rëndësi se në cilën parti ata shkojnë, por e rëndësishme është se çdo deputet që ndien se shumica të cilës i takon është duke i bërë dëm vendit, me ia ndalë përkrahjen asaj shumice”, ka deklaruar ai, duke shtuar se deputetët e shumicës duhet të reflektojnë

“Mos të vijë fare në Aleancë, lë të shkojë ku e vlerëson, por është shumë e rëndësishme me ia ndalë përkrahjen një shumice, nëse ai ose ajo e kupton se kjo shumicë është duke i sjellë dëme vendit të tij dhe fëmijëve të tij. Deputetët e shumicës, që sot Kosova i ka sytë kah ta, mos ta amnistojnë këtë qeveri. Deputetët e Kosovës që ia ndalin përkrahjen kësaj shumice sot janë heronj të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Lajme të ngjashme