“Nuk shantazhohemi nga Lista Serbe”: Çka po thonë Qeveria Kurti e VV-ja për zgjedhjet në veri?
Çështja e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës, po bëhet temë çdo ditë e më e diskutueshme, teksa po afrohemi datës 23 prill, kur janë planifikuar të mbahen zgjedhjet. Përveç problemeve të sigurisë, që kulmuan me plagosjen e një qytetari serb nga Policia e Kosovës, vallës së komentimit të zgjedhjeve i kanë hyrë edhe njerëzit e rëndësishëm të Qeverisë Kurti e VV-së.
Në lidhje me zgjedhjet në veri, brenda pak orëve kanë folur tre njerëz të rëndësishëm të pushtetit: Besnik Bislimi, Xhelal Sveçla e Glauk Konjufca. Në deklaratat e tyre vërhet gjuha e unisuar e eksponentëve të pushtetit, por edhe këmbëngulja se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve.
Nuk shantazhohemi
Në fakt, emëruesi i përbashkët i tri deklaratave është se Qeveria e Kosovës “nuk shantazhohet nga Lista Serbe”, e cila, ndonëse është partia më e madhe serbe, nuk ka aplikuar për të garuar në zgjedhjet e 23 prillit. Sigurisht termet janë të ndryshme (shantazh, nënshtrim, kushtëzim), por mesazhi është i njëjtë, pra se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve.
I pari që foli për mosshantazhimin nga Lista Serbe ishte zëvendëskryeminsitri Besnik Bislimi. Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, Bislimi deklaroi se vullneti i shumicës s’duhet t’i nënshtrohet një partie politike, duke aluduar në Listën Serbe, e cila ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në veri.
“Fillimisht, zgjedhjet janë themel i demokracisë dhe në një demokraci të mirëfilltë janë institucionet shtetërore që vendosin afatet zyrtare për mbajtjen e tyre. Në këtë rast, në zgjedhjet në veri të Kosovës, ka vullnet nga parti politike që të jenë pjesëmarrës në zgjedhje. Ky vullnet mungon vetëm nga një subjekt dhe do të ishte gabim që vullneti politik i shumicës së subjekteve politike t’i nënshtrohet interesave joparimore të një subjekti të vetëm politik.” – deklaroi ai.
E pak orë pas Bislimit, për mosshantazhimin foli edhe Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme. Para deputetëve, Sveçla tha se shteti i Kosovës nuk guxon të shantazhohet nga Lista Serbe.
“Ne jemi në dispozicion të KQZ-së për çdo gjë. Ne vlerësojmë se nuk ka arsye që zgjedhjet të mosmbahen për shkak të disa bandave kriminale dhe Listës Serbe. Disa nga Serbia refuzojnë sundimin e ligjti dhe refuzojnë demokracinë atje. Ne si institucione të Republikës së Kosovës kemi obligim që qyytetarëve atje tju ofrojmë shansën pë rjetë të qetë dhe rregullim. Jemi të obliguar. Nëse Lista Serbe është e rrezikuar nga humbja e përkhrahjes, ne nuk guxojmë të bijmë në shantazh të tyre.” – theksoi Sveçla.
Të njëjtin mesazh, pra të këmbënguljes për mbajtjen e zgjedhjeve, e ka përçuar edhe Konjufca, i cili deklaroi se shteti i Kosovës nuk duhet të kushtëzohet nga Aleksandar Vuçiqi, president i Serbisë.
“Mendoj që Kosova nuk ka fare nevojë që të lëvizë, para se të ketë zhvillime në këtë drejtim. Nuk mund që ne të kushtëzohemi prej Vuçiqit, prej Beogradit, prej Serbisë, që ata të vendosin se kur të ketë zgjedhje ose jo në Kosovë.” - ka thënë Konjufca.
Tutje, i pari i Kuvendit të Kosovës deklaroi se qëndrimi i vendeve të QUINT-it për këtë çështje ka qenë pozitiv.
“Unë mendoj që ka qenë shumë pozitiv qëndrimi i QUINT-it dhe i bashkësisë ndërkombëtare që pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet të cilat janë paralajmëruar me 23 prill.” - ka thënë ai.
Megjithatë, gjatë fjalës së tij, Bislimi, që është edhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, vlerësoi se opsioni i shtyrjes së zgjedhjeve nuk është i mirë.
“Shtyrja nuk është opsion i mirë, është opsion i atyre që në këtë moment veriu është më mirë të shndërrohet në një zonë të menaxhimit të krizave dhe jo të hyjë në një proces të normalizimit të raporteve. Për momentin, protagonisti kryesor që kërkon shtyrjen e zgjedhjeve është zoti Vuçiq, i cili kërkon koncesione për pjesëmarrje në zgjedhje.” – vlerësoi tutje ai.
Ndryshe, Lista Serbe ka refuzuar të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.


