Dështon hapja e të gjithave qendrave të votimit në veri: Do të hapen vetëm 6 qendra të rregullta dhe 13 alternative
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për zvogëlimin e qendrave të votimit për zgjedhjet e 23 prillit në veri.
Në mbledhjen e sotme, KQZ-ja ka vendosur që për këto zgjedhje të hapen vetëm 6 qendra të rregullta të votimit dhe 13 alternative.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, i cili e ka prezantuar rekomandimin, ka thënë se ky ka qenë rekomandim i institucionet e sigurisë.
Sipas tij, këto qendrat alternative do të jenë në kontejner.
“Është konstatuar se nga 44 e qendrat të votimi që zakonisht është zhvilluar procesi zgjedhor në vitin 2021 dhe 2019, 8 prej tyre kanë konfirmuar se do t’i hapin ato. Sidoqoftë duke u bazuar në vlerësimin edhe të KKZ dhe të organeve të sigurisë është konstatuar se vetëm 6 qendra të votimit mund të hapen në lokacione të zakonshme. Dhe 13 qendra të votimit do të jenë qendra alternative apo në kontejner”, ka thënë Elshani.
Në këtë mbledhje KQZ-ja ka marrë edhe disa vendime në lidhje me procesin zgjedhor të 23 prillit.
KQZ-ja ka vendosur që të ulet edhe numri i vendvotimeve. Nga 69 sosh sa kanë qenë më herët, tani do të jenë vetëm 34.
Gjithashtu, është vendosur që të rritet edhe numri i votuesve për një vendvotim të rritet nga 750 në 2 mijë votues. Kjo për shkak të zvogëlimit të qendrave të votimit.