‘Nuk po raportohet për diskriminimin racor’, thoshte Kurti: Rasti Faton Peci dhe Haxhi Avdyli - NACIONALE

‘Nuk po raportohet për diskriminimin racor’, thoshte Kurti: Rasti Faton Peci dhe Haxhi Avdyli

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në fillim të muajit nëntor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Qeveria që ai drejton është e përkushtuar ndaj komuniteteve, por kritkonte se nuk po raportohet sa duhet për diskriminimin racor. Një javë më vonë, një deputet i pushtetit do të bënte një deklaratë mjaftë raciste, ndërsa pas një muaji, një ministër do të tregonte shpëfillje totale, derisa një fëmijë i komuniteteve pakicë po largohej dhunshëm nga lokali ku ai po qëndronte. A është përmirësuar gjendja siç tha shefi i ekzekutivit?

Diskriminimi ndaj komuniteteve pakicë ka qenë një temë vazhdimisht e diskutueshme në vendin tonë. Deklarata e veprime të pakujdesshme përveç në shoqëri, po shohim të ndodhin edhe nga ata që janë në krye të institucione të vendit.

Rasti Haxhi Avdyli

Një javë pasi Kurti mori pjesë në hapjen e Samitit të parë Rajonal për Mbojtje nga Diskriminimi Racor, deputeti i Lëvizjes Vetevendosje nga radhës e listës “Guxo”, Haxhi Avdyli, do të bënte një deklaratë mjaft raciste.

Edhe atë, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, aty ku e kanë vendosur pikërisht qytetarët e vendit.

“…bile edhe partive minoritare iu ka ardhë rendi për ta udhëhequr këtë sektor”, kështu deklaronte mes tjerash z.Avdyli, derisa fliste për gjendjen në sektorin e shëndetësisë.

“23 vjet pas çlirimit, ky dështim në këtë sektor, mund të themi se faji nuk është jetim. Të gjitha partitë kanë udhëhequr këtë sektor, bile edhe partive minoritare iu ka ardhë rendi për të udhëhequr këtë sektor. Edhe VV-ja e ka udhëhequr për dy vite”, ka thënë Avdyli.

Për këtë deklaratë, ai mori reagime të ashpra siç kishte raportuar Nacionale ato ditë. Ndonëse tentoi të shfajësohet, nuk pati kërkim falje nga z.Avdyli.

“Minstrinë e Shëndetësisë, e kanë udhëheq të gjitha partitë bile edhe minoritetet. DIkush e paska shkru koment racist. Te lutem, çfarë racizmi është ky koment, nuk është racizëm, është vlerësim për dy ministrat e shëndetësisë…Kjo është në kuptim pozitiv, që të gjitha partitë e kanë udhëheqë shëndetësinë dhe përgjegjësia na bie të të gjithë dhe kjo nuk ka të bëjë në këtë kontekst…Unë konsideroj partitë minoritare e si parti të këtij Kuvendi dhe parti si çdo parti tjetër”, kishte thënë ai.

Nacionale atë kohë kishte tentuar të marë një përgjigje për këtë situatë pikërisht nga një ministër egjiptian, Elbert Krasniqi. Ky, na kishte thënë se “nuk kam ide për çfarë e keni fjalën”.

Rasti Faton Peci

Kur përmendim Krasniqin, vlen të theksojmë se ky e bëri edhe një reagim për situatën në të cilën u gjend z.Peci, por pa e përmendur kolegun e tij qeveritar.

Ky i fundit, ishte pjesë e një videoje mjaft tmerruese, ku shihej në një lokal derisa po pinte kafe me një person tjetër.

Aty pranë, një vajzë e vogël e komuniteteve pakicë kërkon lëmoshë, por nuk merr ndonjë reagim nga z.Peci. Sidoqoftë, në këtë situatë, reagoi një kamarier i lokalit, që në mënyrë të tmerrshme, e largon nga lokali.

Fillimisht, Nacionale tentoi të marrë një qëndrim nga ministri dhe kryetari i “Guxo” për videon ku shihej ai qartë, por ky na u përgjigj shkurt: “Pyetjet pasi keni bërë fillimisht postime, nuk kanë kurrfar kuptimi”.

Më vonë, ai do të bënte një reagim në rrjetin social “Facebook”, natyrisht, duke fajësuar të tjerët dhe duke përmendur pushtetarët e mëhershëm.

Çfarë kishte thënë Kurti?

Në nëntor të këtij viti, Kurti kishte folur rreth diskriminimit ndaj komuniteteve pakicë, ku sipas tij, “kjo mbetet në heshtje dhe nuk raportohet për ta luftuar këtë dukuri”.

Siç citohej nga Radiotelevizioni i Kosovës, Kurti kishte premtuar mbështetje për komunitetet në arsim, punësim e mbrojtje ndaj diskriminimit.

Ai madje, kishte pretenduar se ka përmirësim sa i përket krejt kësaj situate që e përcjell Kosovën tash e disa vite.

“Duke qenë të barabartë jemi bashkë. E kuptoj që kemi dallime, pranoj dhe afirmoj edhe diversitetin, por duhet ta respektojmë solidaritetin. Jemi solidar me atë që është në betejë që përpiqet për të drejta e liri kundër diskriminimit. Fakti që njerëzit janë të ndryshëm nuk do të thotë që njerëzit nuk janë të barabartë, pikërisht pse jemi të ndryshëm duhet të jemi të barabartë." kishte thënë Kurti.

Lajme të ngjashme