Fëmijët romë që u helmuan me mbetje plumbi në Mitrovicë të Veriut: Pakompensimi dhe beteja me OKB-në - NACIONALE

Fëmijët romë që u helmuan me mbetje plumbi në Mitrovicë të Veriut: Pakompensimi dhe beteja me OKB-në

1 javë më parë

nga NACIONALE

Një pjesë të komuniteti rom të cilët jetonin në pjesën jugore të Mitrovicës me të mbaruar lufta në Kosovë, administrata e UNMIK-ut i kishte zhvendosur në veri të vendit duke ndërtuar kampet afër shkritores së minierës së Trepçës në një zonë të kontaminuar nga mbetjet toksike të plumbit. Ky komunitet, tashmë i zhvendosur përsëri në jug, vazhdon t’i vuaj pasojat e zhvendosjes nga helmimi me plumb. Ky helmim është pohuar edhe nga Kombet e Bashkuara (OKB), megjithatë edhe pas shumë vitesh nuk ka pasur as dëmshpërblim e as kërkim falje.

Anita Nikaj dhe Halim Kafexholli

Shtëpi të ndërtuara, në një tokë komunale në Mitrovicën jugore, buzë Ibrit, shtrihet ‘’Lagja e Romëve’’, disi si një hapësirë e getoizuar. E ndërtuar në vitin 2010, aty shtëpitë janë të vendosura ngjitas, njëra mbi tjetrën, teksa banorët vërtiten në një 45 metërsh katrorë, që duket krejt e pamjaftueshme për të jetuar.

Kjo lagje nuk është e padukshme nga të gjitha anët e qytetit, madje edhe nga veriu i vendit, pasi që shtrihet mes universitetit të Mitrovicës dhe një parku ujor.

Aty jeton dhe Sehdat Bahtiri, banor qe 12 vjet në lagjen “Fidanishte” të komunitetit rom në jug të Mitrovicës. Ai disi ndihet keq të tregojë vetëm përjetimin e tij sa ishte banor i lagjes Zitkovac të Zveçanit, ku si pasojë e banimit mbi 10 vjeçar në kampin e kontaminuar ku janë hedhur mbetjet toksike të plumbit dhe ekspozimit në këtë ambient, djali i Sehdatit ishte diagnostikuar nga helmimi me plumb.

“Kampi ku kemi qenë të vendosur, vijë ajrore ndoshta i ka pasur 50 metra nga ku janë gjuajtur mbetjet toksike të plumbit. Unë për djalin mos të flas, se nuk ka qenë vetëm djali im por plot të tjerë,” - thotë Bahtiri.

Ne megjithatë ngulmuam t’i mësonim pasojat te djali i tij.

“Djali flejke qysh ish, dhimbje të eshtrave, se ka ndikuar në eshtra. Tani kur jemi kthyer këtu, organizata që na ka kthy e ka pasur në plan me i kontrollu fëmijët,” - tregon Bahtiri.

Ai tregon se pasojat e këtij helmimi djali i tij vazhdon t’i vuajë, dhe këtë më së miri e kuptoi nga një lëndim në gju.

“Djalit i ka mbetur një pasojë, në shkollë në orën e Edukatës Fizike duke luajtur basketboll, djali e ka lënduar gjurin, i cili i ka dalë nga vendi, por kur ja kanë kthye në vend, filxhani i gjurit ju ka ça, gjysma i ka shkuar ner gju, gjysma i ka mbet në vend. E kam dërguar të mjekë të ndryshëm, është operuar në spital (Beograd), por pas operimit mjekët kanë thëne se do të ketë pasoja edhe në këmben tjetër. Ka thënë se ka gjasa që të ndikojë helmimi në gjak,” - thotë i mllefosur Bahtiri.

Kthimi i këtyre banorëve romë në jug ishte bërë në vitin 2010, pasi që me të përfunduar lufta, për shkak të shkatërrimit të lagjes të njohur si Mëhalla Rome ku jetonin rreth 8000 banorë, një pjesë të konsiderueshme të tyre, në tetor të vitit 1999 UNMIK-u e kishte zhvendosur në kampet e improvizuara në Zitovac dhe Cesmin Lug.

Këto kampe mendohej të ishin një zgjidhje e përkohshme deri kur shtëpitë e romëve të Mëhallës të rindërtoheshin, megjithatë neglizhenca ndërkombëtare detyroi këta banorë të jetojnë aty një dekadë, pasojat e të cilës vazhdojnë t’i vuajnë.

Kampet e ngritura për këtë komunitet, ishin në afërsi të kompleksit të minierës për nxjerrjen e plumbit dhe metaleve të tjera të rënda. Cesmin Lug dhe Zitkovac dhe disa kampe tjera ndodheshin krejt ngjitur me pirgjet toksike me skorje në tokë të ndotur nga plumbi.

Habib Hajdini, përfaqësues i lagjes “Fidanishte” të komunitetit romë, tregon se për afërsisht 11 vite ka jetuar në kampin më të kontaminuar në pjesën veriore të Mitrovicës, që për pasojë thotë se pasur shumë helmime, sidomos tek fëmijët, përfshirë edhe fëmijët e tij.

“Unë kam jetuar në kampin i cili ka qenë më i kontaminuar, në kampin Zhitkovac në komunën e Zveqanit. Prej 2003-2004, atëherë kemi filluar që të hetojmë problemet më masive me shëndetin. Jo disa helmime jo disa sëmundje të fëmijëve. Pastaj na i kanë pru disa ekspertë të cilët vishin, kanë qenë disa ekspertë të shëndetësisë botërore ku i kanë bërë disa teste, kanë bërë analiza të gjakut ku kanë konstatuar se secili fëmijë në gjak ka plumb, secili fëmijë, ka qenë numri i madh i fëmijëve. Sidomos janë atakuar mosha e vogël por edhe këta të cilët kanë qenë në moshë të madhe të cilët kanë pasur sëmundje të ndryshme. Në atë kohë unë i kam pasur fëmijët e vegjël, i kam pasur dy djem dhe një çikë, edhe atyre ja u kemi matur nivelin se a ka a nuk ka plumb në gjak, po ka pasur,” kujton Hajdini.

Mospërgjegjësia ndërkombëtare

Javën e kaluar, organizata Opre Roma Kosovo dhe Klinika Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Fakultetin Juridik të Harvardit publikuan një raport i titulluar “Padrejtësi Toksike” që pasoi edhe me një diskutim publik lidhur me gjetjet e këtij botimi rreth përgjegjësisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara lidhur me këtë shkelje ndaj komunitetit rom të cilët jetuan në kampet e zhvendosjes me “detyrim” ndërkombëtar.

Në raport thuhet se në vitin 2016 një organ ligjor i krijuar nga OKB-ja për të vlerësuar përgjegjësinë e OKB-së për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë, publikoi një opinion ku Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut (PKDNJ) e cilësoi Misionin e UNMIK-ut në Kosovë si përgjegjëse për ekspozimin e romëve ndaj helmimit me plumb në kampet ku ishin zhvendosur. Ky panel udhëzoi që viktimave t’u sigurojë mjete juridike, duke përfshirë kompensimin financiar.

Sipas organizatës OPRA Kosova, ka qenë i pamundur matja e nivelit të plumbit në gjak tek banorët të cilët kanë jetuar në këto kampe pasi që vlerat kanë qenë aq të larta sa aparati për matjen nuk i ka lexuar këto vlera....

“Edhe pse ne nuk ishim pjesë e (intervenimit për largimin e romeve), saj në atë kohë, ne e dimë se shëndeti i banoreve në atë vendbanim në atë kohë ishte shumë i dobët, niveli i plumbit në gjak ishte aq i lartë sa makinat që matin nivelin e plumbit në gjak nuk ishin në gjendje të regjistronin saktësisht se si lartë ishte plumbi në gjak. Pasi u bë e ditur se helmimi me plumb është në një nivel shumë të lartë, këta persona kanë vazhduar të jetojnë në këto kampe për 13 vjet,” - kanë thëne nga organizata OPRA Kosovo për Nacionale

Andrew Testa for The New York Times

Megjithatë edhe pas 7 viteve nga ky vendim, e 23 vite prej kur OKB-ja vendosi që këta banorë t’i zhvendos në kampin e kontaminuar nga plumbi, OKB-ja nuk ka arritur që të zbatojë rekomandimet e PKDNJ-së që të kompensoj viktimat.

Përveç kësaj, Habib Hajredini thotë se në atë kohë kanë kërkuar nga UNMIK-u që disa prej fëmijëve të dërgohen për shërim jashtë vendit, mirëpo kjo gjë nuk ka qenë e mundur.

“Kemi kërkuar edhe prej ndërkombëtarëve, prej UN (OKB) e shëndetësisë botërore që me na i shërua fëmijët tonë diku jashtë vendit, por nuk ka qenë e mundur,” - thotë ai, teksa shton se medikamentet nuk bënin punë.

“Atëherë kemi bërë analiza, kemi pasur edhe mjek, mjek pediatër të cilët kanë ardhur dhe i kanë kontrolluar fëmijët tonë, ku e pat pru vendimin që 2-3 fëmije të shërohen me medikamente, ku i patën dhënë disa medikamente me i marrë dy ose tri herë në ditë, por nuk ka qenë e suksesshme,” - kujtoj Hajredini.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në administratën e UNMIK-ut rreth kësaj çështje, mirëpo të njëjtin nuk kanë kthyer përgjigje.

Përfaqësuesi i lagjes thotë ata kërkojnë përkrahje edhe nga institucionet e Kosovës, pavarësisht që atyre nuk iu vë faj.

“Por, ajo se çfarë na nevojitet nga shteti i Kosovës, është një përkrahje se të gjithë e dinë se ne kemi pasur edhe mjek vendorë, me të cilët kemi biseduar sa kemi qenë në kampe por edhe kur jemi vendosur këtu. Edhe këtu na i kanë bëre disa analiza, por edhe ata janë në dijeni se fëmijët tanë kanë vuajtur nga helmimi. E jona është që ne kërkojmë një përkrahje, sado kudo, sa kanë mundësi me na ndihmu shume mirë kish me qenë. Kompensimi me na u bo secilit familjarë, na tani shikojmë kujt çka i takon,” - shton ai, duke shpresuar se udhëzimet që i ka marrë OKB-ja t’i përfillë dhe t’i kompensoj banorët.

Kërkesë të njëjtë ka Sehdat Bahtiri i cili është i zhgënjyer për neglizhencën që kanë përjetuar.

“Kërkesa jonë është që të kompensohemi, më parë nuk mundesh me e ble evladin, por duhet të kompensohemi,” - thotë ai për Nacionale.

Beteja ligjore dhe manovrimi i OKB-së për mosllogaridhënie

Raporti i Opre Roma Kosovo dhe Klinikës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Fakultetin Juridik të Harvardit sqaron se rregullat dhe veprimet ligjore të Kombeve të Bashkuara e cila ka edhe imunitet të madh ligjor, që i pengon gjykatat të shqyrtojnë paditë e ngritura kundër saj, i mundësuan t’i shmangej përgjegjësisë për helmimin me plumb në Kosovë. Dhe si rrjedhojë, e vetmja rrugë e të dëmtuarve nga OKB-ja është që të kërkojnë kompensim nga Zyra e OKB-së për Çështje Ligjor (ZÇL) e cila merr vendime për përgjegjësinë e vetë.

Fillimisht, si nismë e procesit, në vitin 2006, një grup ish-banorësh të kampit rom paraqitën fillimisht ankesat përmes procesit të pretendimeve të palës së tretë të ZÇL-së me anë të së cilës kërkonin kompensimin për dëmin që iu ishte bërë. Megjithatë, për pesë vjet, zyra ligjore e OKB-së nuk kishte ndërmarrë veprime duke përmendur kompleksitetin e çështjes.

“Kur ankuesit e kishin sjell çështjen e tyre te Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë në vitin 2008, UNMIK-u u përpoq që çështja të mos dëgjohej nga organi i pavarur, duke argumentuar se kërkuesit nuk kishin shteruar hapësira të tjera, duke qenë se ankesa të tjera kishin mbetur pezull pranë ZÇL-së. Pasi PKDNJ-ja nuk ra dakord dhe e konstatoi çështjen të pranueshme, UNMIK-u hodhi hapin e jashtëzakonshëm të ndryshimit të rregullave të PKDNJ-së për ta zhveshur nga çdo juridiksion që mund të përfshihej në kompetencën e ZÇL-së. Në vitin 2022, ZÇL-ja e pushoi çështjen kolektivisht, duke e konsideruar të patrajtueshme,” - thuhet në raport.

Megjithëkëtë, në shkurt të vitit 2016, pas një procesi të fuqishëm ligjor dhe shqyrtimit të provave të gjera, PKDNJ-ja dha vendim në favor të kërkuesve. UNMIK-u u shpall përgjegjës për shkeljen e një sërë të drejtave të njeriut dhe rekomandoi që OKB-ja të kërkoj falje publike dhe t’u paguaj kompensimin të dëmtuarve.

Zhgënjimin me OKB-në, e ndan edhe OK-ja, pasi që sipas tyre fondi i cili është ngritur për të kompensuar viktimat ka hasur në veshë të shurdhër, pasi që nga 193 shtetet anëtare vetëm Katari, i ka dhuruar 10 mijë dollarë, kur në total do të duhej të ishin 10 milionë.

“OKB-ja ka deklaruar se do të hapë një Fond Mirëbesimi (të cilin e bënë) dhe për fat të keq, nga 193 shtete anëtare, vetëm Katari i ka dhënë 10,000 dollarë fondit dhe askush tjetër. Duke qenë se ky fond duhej të kishte 10 milionë dollarë, synimi ynë është që familjet të kenë këtë mbështetje,”

Mirëpo, deri më tani OKB-ja nuk ka ndërmarrë hapa që adresojnë dëmet konkrete dhe të vazhdueshme me të cilat ballafaqohen ish-banorët e kampit, tashmë të zhvendosur në një kamp tjetër në jug të Mitrovicës e që përballen me mungesën e kushteve elementare të jetesës.

Shënim: Pas publikimit të këtij artikulli zyra e UNMIK-ut në Kosovë ka kthyer përgjigje në pyetjet e Nacionales të cilat ishin dërguar me datë 17 nëntor.

Kjo është përgjigja e plotë e tyre:

Sekretari i Përgjithshëm ka shprehur keqardhjen e thellë të Organizatës për vuajtjet e përjetuara nga të gjithë individët që kishin jetuar në kampet e personave të zhvendosur brenda vendit në Kosovë. Sekretari i Përgjithshëm vendosi https://www.un.org/sg/en/content/sg/statement/2017-05-26/statement-attributable-spokesman-secretary-general-human-rights në vitin 2017 të krijojë një Fond Mirëbesimi për të adresuar nevojat më urgjente të atyre komuniteteve më të cenueshme dhe ka bërë çdo përpjekje, në konsultim me Shtetet Anëtare, për të siguruar burimet e nevojshme në këtë drejtim. Siç ka raportuar vazhdimisht Sekretari i Përgjithshëm në raportet e tij për Misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK) në Këshillin e Sigurimit, për fat të keq, shumë pak kontribute janë dhënë në këtë fond të mirëbesimit. Në të njëjtën kohë, UNMIK-u dhe Ekipi i OKB-së në Kosovë (UNKT) kanë vazhduar të mbështesin komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian të Kosovës përmes aktiviteteve të tyre programore të përqendruar në shëndetësi, arsim, gra dhe të rinj. Një ndihmë e tillë e synuar përmes projekteve të përqendruara në komunitet, mbetet prioritet i familjes së OKB-së në Kosovë. Në këtë drejtim, do të vazhdojnë përpjekjet për mobilizimin e burimeve në Fondin e Mirëbesimit në mbështetje të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Lajme të ngjashme