“Nuk ndalemi”: Kurti i quante “dëshpëruese” veprimet e opozitës për ligjin që sot iu shpall antikushtetues - NACIONALE

“Nuk ndalemi”: Kurti i quante “dëshpëruese” veprimet e opozitës për ligjin që sot iu shpall antikushtetues

2 muaj më parë

nga Leonitë Demaku

Gjykata Kushtetuese në një aktgjykim të publikuar të premten ka konfirmuar se e ka shpallur antikushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial, kërkesën për vlerësimin e së cilit e kishin bërë dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës. Këtë që po konsiderohet si “fitore” nga opozita, kryeministri e vlerësonte si përpjekje dëshpëruese – çka kishte deklaruar ai?

Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se ka vendosur njëzëri që t’i deklarojë të pranueshme kërkesat e dy partive opozitare, duke e shpallur ligjin si antikushtetues.

Aktgjykimin e plotë, i cili përmban mbi pesë mijë fjalë, mund ta lexoni duke klikuar KËTU.

“Përpjekje dëshpëruese”

Ky ishte vlerësimi i kryeministrit Kurti për veprimet e opozitës, që dërguan në Kushtetuese jo vetëm këtë ligj po edhe disa të tjerë, deklaratë e bërë para rreth një muaji në një mbledhje të Qeverisë.

Shefi i ekzekutivit para ministrave të tij, mes tjerash, deklaronte se këto ligje kanë jetësuar reformat e programit të tij qeverisës, duke e përmendur edhe atë që sot u shpall antikushtetues.

Kemi miratuar ligje që do të jetësonin reformat e programit tonë qeverisës dhe ndryshimet pëe të cilat qytetarët tanë votuan masivisht dy vite më parë. Ligji për Këshillin Prokurorial, që parasheh reformën në sistemin e drejtësisë, mandej Ligji për Zyrtarët Publik dhe Ligji për Byronë që parasheh luftimin e korrupsionit dhe padrejtësive anë disa prej këtyre” - deklaronte Kurti.

Ai madje, cilësonte se dërgimi i tyre në Gjykatën Kushtetuese nga opozita e Kuvendit të Kosovës, është një “përpjekje dëshpëruese” për paralizim të reformave, derisa paralajmëronte se “nuk do të ndalen”.

“Jo për rastësi të tre këto ligje… janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita parlamentare. Madje, ligji për KPK ka më shumë se gjashtë muaj që është në trajtim. Në historinë 15-vjeçare të Kosovës, nuk mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Kushtetuese brenda një kohe kaq të shkurtër. Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave, është kundërshtim i nevojës qytetare dhe i vullnetit të 14 shkurtit 2021. Ecja jonë nuk do të ndalet”- kishte thënë ai.

Opozita reagon, kërkohet shkarkimi i ministres Haxhiu – pushteti s’flet

Dy partitë opozitare kanë reaguar në lidhje me këtë vendim, fillimisht për gazetën Nacionale duke konsideruar se kjo është një fitore.

Pak më vonë, me një komunikatë për media do të dilte Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila e ka kërkuar shkarkimin e ministres Haxhiu, duke konsideruar se kjo e fundit është “shkelëse e Kushtetutës”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.” – thuhet në komunikatën e LDK-së.

Ndërkohë, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në reagimin e tij ka shkruar si vijon: “Edhe sot, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë, duke e shpallur si anti-kushtetuese përpjekjen e Kryeministrit Albin Kurti për ta vënë nën kontroll dhe për ta cënuar integritetin dhe profesionalizmin e Këshillit Prokurorial të Kosovës”.

Ministria e Drejtësisë ka heshtur sa i përket këtij zhvillimi mjaft të rëndësishëm, derisa ka paralajmëruar një konferencë për media gjatë ditës së nesërme në orën 12:00.

Pavarësisht përpjekjeve të Nacionales për të marrë një qëndrim në lidhje me situatën nga ministrja Haxhiu, kjo e fundit e ka mbyllur telefonin.

Lajme të ngjashme