Rilind Gërvalla, Lule Gjeli dhe profesorët e VV-së: Formula e dezinformimit dhe zhveshja e saj - NACIONALE

Rilind Gërvalla, Lule Gjeli dhe profesorët e VV-së: Formula e dezinformimit dhe zhveshja e saj

50 minuta më parë

nga NACIONALE

Një ballinë e fabrikuar e një gazete serbe me target deputeten opozitare Time Kadrijaj, profile anonime me emra grash si identitete të rreme dhe një televizion publik që transmeton lajm të rrem. Në dukje dhe kohë këto janë tri raste të ndara, por raportimet e Gazetës Nacionale ndër vite kanë dokumentuar një formulë më të gjerë të qarkullimit të dezinformatave dhe propagandës në hapësirën publike, rreth dhe në mbështetje të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Në disa raste, përmbajtja nis nga profile anonime. Në raste të tjera amplifikohet nga figura publike të afërta me VV-në, ndërkohë rasti më serioz ishte ai kur një pretendim i rremë përfundoi në transmetuesin publik, RTK.

Le t’i shkojmë me rradhë:

Ballina e rreme, profesorët propagandues

Rasti i fundit ndodhi këtë të dielë dhe lidhet me një fotografi që paraqitej si ballinë e tabloidit serb “Blic”. Në të pretendohej se ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, kishte lavdëruar deputeten e Aleancës, Time Kadrijaj, pasi kjo e fundit kishte gjuajtur me vezë Albin Kurtin në Kuvend të Kosovës.

Nacionale kontrolloi ballinat e gazetës në fjalë për datat 8 dhe 9 gusht dhe konstatoi se fotografia që po shpërndahej ishte e fabrikuar. I njejti konstatim erdhi edhe nga platforma të specializuara që financohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç është, hibrid.info.

Megjithatë, dezinformata veç se ishte shpërndarë në masë. Ajo u shpërnda nga figura të njohura për afërsinë e tyre me Vetëvendosjen, përfshirë Elvis Hoxhën, Sadri Ramabajën dhe Enis Sulstarovën. Që të tre, paradoksalisht, profesorë universitarë.

Pas ekspozimit të falsifikimit, Hoxha dhe Ramabaja i fshinë postimet dhe kërkuan falje, ndërsa Sulstarova e fshiu postimin, pa kërkuar falje.

Ndaj kësaj situate reagoi edhe viktima e propagandës, deputetja Kadriaj e cila shkroi se profesorëve të VV-së, “u kanë rënë maskat”.

“Gratë e rreme” të propagandës

Ballina e “Blic”-it është vetëm një episod.

Përmes një serie artikujsh dhe videosh, Nacionale ka dokumentuar prej vitesh profile të dyshuara si të rreme, kryesisht me emra dhe fotografi grash, të cilat prodhonin intensivisht përmbajtje në mbështetje të Vetëvendosjes dhe kundër kundërshtarëve të saj.

Në mesin e profileve të hulumtuara ishin “Lule Gjeli”, “Sara Blakqori”, “Jona Qitaku”, “Selvije Berisha”, “Genta Genta”, “Ganja” dhe “Feime Bullaku”.

Një prej rasteve më karakteristike ishte “Sara Blakqori”, profil që prezantohej si një grua e shkolluar në Gjermani dhe e punësuar në një medium ndërkombëtar. Por në adresën e profilit kishte mbetur emri “Sabri Gashi”.

Nacionale kishte konstatuar gjithashtu se “Sara Blakqori” dhe “Jona Qitaku” ishin krijuar në të njëjtën ditë, ndiqnin llogari të ngjashme, vepronin në grupe të njëjta dhe publikonin përmbajtje pothuajse identike.

Pas raportimeve dhe denoncimeve, Facebook i mbylli këto dy profile për shkelje të standardeve të platformës.

Përmbajtja politike e rrjetit ishte e qartë: promovim i Kurtit dhe VV-së dhe sulme ndaj kundërshtarëve. Gjatë krizave të ndryshme politike, profilet shpërndanin pretendime për “tradhtarë”, lidhje me Serbinë dhe komplote kundër pushtetit.

Nacionale dokumentoi edhe përdorimin e materialeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale.

Profili “Lule Gjeli”, deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka postuar në Facebook që nga data 30 korrik.

Rilind Gërvalla - ish-aktivisti i Vetëvendosjes

Gjeneza e dezinformimit të këtij lloji ndodhi në vitin 2024.

RTK-ja transmetoi një artikull të mediumit boshnjak “Slobodna Bosna”, ku Nacionale dhe Periskopi implikoheshin se paguheshin nga Serbia.

Pretendimet bazoheshin në një burim anonim.

Nacionale kontrolloi më pas vetë kredibilitetin e mediumit. Përmes platformës “Raskrinkavanje”, gazeta evidentoi një histori të gjatë të artikujve të “Slobodna Bosna” të klasifikuar si dezinformim, manipulim faktesh dhe lajme të rreme.

Çështja u bë edhe më serioze kur, sipas burimeve të Nacionales brenda menaxhmentit të RTK-së, drejtori Rilind Gërvalla kishte tentuar ta arsyetonte publikimin duke e lidhur informacionin me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë.

Më pas, kryetarja e atëhershme e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu, njoftoi se kishte komunikuar me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, dhe se Agjencia kishte mohuar përfshirjen.

Në RTK, vijuan dorëheqjet, që nga Kryetari i Bordit Besnik Boletini, redaktori Jeton Musliu, etj. Televizioni publik kërkoi falje, pasi nga instancat vendore u gjet se kishin dezinformuar, ndërkohë tashmë U.D. Drejtori i Televizionit vazhdon ta mbaj publikisht, me shkrime në rrjete sociale te njejtn qëndrim dezinformues për këtë çështje.

Lajme të ngjashme