Njëjtësia shkëlqyese e dy kryetarëve: Gërvalla gabon si Peci në drejtshkrim
Njëra kryetare e Partisë Guxo, njëkohësisht ministre e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, e ka bërë gabimin e njëjtë drejtshkrimor me kryetarin tjetër të së njëjtës parti, njëkohësisht ministër i Bujqësisë, Faton Peci. Si duket, të dy ministrat dhe kryetarët nuk i njohin mirë trajtat e shkurtra.
Kryediplomatja e Kosovës publikoi disa fotografi të enjten vonë. U përkujdes që përshkrimi i tyre të ishte i shkurtër – me vetëm dy fjali. Sidoqoftë, as këto dy fjali s’arriti t’i shkruante pa ndonjë gabim drejtshkrimor.
Rastësi e çuditshme: gabimi drejtshkrimor i kryetares Gërvalla-Schwarz është i njëjtë me gabimin e kryetarit tjetër, i cili publikoi një fjali të vetme në “Facebook” të mërkurën.
“E ardhmja iu takon atyre që guxojnë”, na ligjëroi ministrja e Jashtme të enjten para mesnatës. Sidoqoftë, ajo e përdori në vend të gabuar në fjali trajtën e shkurtër të shkrirë – iu. Në këtë rast, duhet të përdoret vetëm trajta e shkurtër “u”, sepse trajta e shkurtër e shkrirë – “iu” – përdoret në fjali që janë në kohën e kryer të thjeshtë.
Edhe kryetari tjetër, Faton Peci, publikoi fotografi të ngjashme në “Facebook” – pamje të tubimit të Partisë Guxo. Shkroi më gjatë se kryetarja tjetër, por edhe bëri më shumë gabime drejtshkrimore se ajo. Gabimin e njëjtë në lidhje me trajtën e shkurtër e bëri të mërkurën, kur shkroi një fjali të vetme.
Në shkrimin më të ri në “Facebook”, Peci e përdori në vend të gabuar trajtën e shkurtër “ta”, në vend se ta përdorte trajtën “t’i”. Këtë gabim e bëri në fjalinë: “Fjalën e dhënë, konsistencën dhe llogaridhënien do ta kem udhërrëfyes të rrugëtimit tim të mëtejmë.”
Ai e përdori në mënyrë të gabuar në fjali foljen jokalimtare, “kontribuoj”, duke e vënë në funksionin e foljes kalimtare: “...duke i kontribuuar edhe më fuqishëm shtetndërtimit dhe orientimit në vlerat e demokracisë perëndimore...”.
Për gabime drejtshkrimore njihet, fatkeqësisht, edhe kolegia e tyre në qeverisje, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
