Një grua vdiq në një aksident avioni në Nepal, kurse burri i saj kishte vdekur në një aksident të tillë 17 vjet më parë - NACIONALE

Një grua vdiq në një aksident avioni në Nepal, kurse burri i saj kishte vdekur në një aksident të tillë 17 vjet më parë

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Të paktën 70 njerëz janë vrarë, por zyrtarët kanë frikë se të gjithë 72 personat në bord kanë vdekur në përplasjen më të rëndë ajrore të Nepalit që nga viti 1992. Mes të vdekurve është ndoshta edhe bashkë-pilotja Anja Khatiwada (44), bashkëshorti i së cilës gjithashtu vdiq në rrëzimin e avionit që ndodhi 17 vjet më parë. Khatiwada iu bashkua Yeti Airlines të Nepalit në vitin 2010.

Në vitin 2006, bashkëshorti i saj Dipak Pokhrel vdiq në përplasjen e një avioni të vogël pasagjerësh, me të cilin ai po fluturonte për një transportues vendas, pak minuta para uljes së planifikuar.

Trupi i kapitenit të fluturimit është identifikuar

Avioni i Yeti Airlines me Khatiwada po fluturonte nga Katmandu në Pokhara, pikënisja e ekspeditave në malin e famshëm Annapurna. Khatiwada, e cila kishte më shumë se 6,400 orë fluturimi, tashmë kishte fluturuar në këtë rrugë të njohur turistike, shkruan Daily Mail.

Trupi i kapitenit të fluturimit, i cili kishte më shumë se 21,900 orë fluturimi, u gjet dhe u identifikua. Eshtrat e Khatiwadi nuk janë identifikuar, por dyshohet se ajo ka vdekur. "Të dielën, ajo po fluturonte me aeroplanin me një pilot instruktor, që është procedurë standarde e linjës ajrore", tha një zyrtar i Yeti Airlines, i cili e njihte personalisht Khatiwada.

U gjetën të dyja kutitë e zeza

“Ajo ishte gjithmonë e gatshme të merrte çdo detyrë dhe kishte fluturuar në Pokhara më parë”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të fliste për mediat. Kujtojmë se një avion ATR-72 është përplasur në një grykë pranë aeroportit Pokhara dhe ka marrë flakë ditën e djeshme.

Ekipet e shpëtimit gjetën të dyja kutitë e zeza të avionit të pasagjerëve, i cili u rrëzua në mot të kthjellët. Të dhënat nga një kuti që regjistron informacionin e fluturimit dhe një tjetër që regjistron bisedat nga kabina me kontrollin e fluturimit mund të ndihmojnë hetimin të përcaktojë shkakun e rrëzimit të avionit. /Nacionale/

Lajme të ngjashme