Një fushatë iu dogj, tash në pas-presidenciale: Osmani me paraqitje "të kuruar" mbështetje nëpër Kosovë
Fundi i vitit 2025 e gjeti shpresëplotë se një mandat i dytë presidencial e priste me kurorëzim politik të Vetëvendosjes e cila kishte fshirë një fitore të madhe zgjedhore me mbi 51%. Në këtë fitore plebishitare të Albin Kurtit, Vjosa Osmani kishte pasur rol të madh instrumental, siç do ta vërtetone edhe ajo vetë, me vonimin e afateve duke i dhënë Glauk Konjufcës mandatarin për formim të pagjasshëm të qeverisë dhe caktimin e datës së zgjedhjeve me 28 dhjetor. Investimi s’iu kthye në fitim. Muajt që vijuan pas zgjedhjeve dhe mirëqenësisë se rikandidimit të saj nga Vetëvendosje, Vjosa Osmani i kaloi në fushatë të dendur (ri)zgjedhore online, me një kryemotiv të madh: pro dhe pranë Amerikës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ajo i projektonte të jenë shtylla e angazhimit të saj. Deri sa një dokumentari të Zonjës së Parë të ShBA-së ajo i thurri lavde prej më esktravaganteve në një kinema në Prishtinë ku mori pjesë në premierë.
Prania e saj në Bordin e Paqes dhe nënshkrimin e Kosovës në këtë organizatë të re multilaterale të udhëheqhur nga Donald Trump, ishte kulminacioni i marrëdhënieve të saj me publikun, dhe në internet e festoi gjerë këtë marëdhënie Kosovë – ShBA, deri në oktava edhe personalizimi të marrëdhënies.
Në intervistë te Çim Peka, të funden të saj ku shpaloi prapaskenat e padëshirueshmërisë së vet si presidente nga Vetëvendosje, ajo hapur tha se afria e saj me Amerikën i uli pikët e mbështetjes nga Albin Kurti të cilit “ia dhash datën e zgjedhjeve më 28 dhjetor.”
Pas skejimit të saj përfundimtar nga Vetëvendosje, tash Osmani është në një fushatë të dytë: fushatë post-presidenciale.
Anekënd vendit, presidentja në shkuarje ka nisur të takojë qytetarë dhe këshilltarë të saj të ndajnë pamje të kuruara të “mbështetjes së madhe” popullore për të: aq sa u ndanë pamje të saj duke i thënë një qytetari “nuk po dojnë me më ba (presidente)”, teksa ai ia kthe “oh vallahin, nuk kanë qare.”
Një pamje tjetër që nxorën këshilltarë dhe shoqërues të vet në këtë shëtitje elektorale ishte një grua duke i puthur duart Vjosa Osmanit, teksa kjo e fundit e luan refuzusen e përulur që “jo, jo nuk bën kështu”, por me këshilltar të vetë duke e xhiruar si pamje dhe plasuar në rrjete sociale.
Presidentja Vjosa Osmani mori pjesë dje në akademinë përkujtimore për Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, organizuar nga Komuna e Mitrovicës. Gjatë qëndrimit në qytet, ajo u pyet nga gazetarët nëse vizitat e fundit nëpër komuna shënojnë nisjen e një fushate.
Osmani e mohoi këtë, duke theksuar se bëhet fjalë për takime falënderuese ndaj qytetarëve në përfundim të mandatit pesëvjeçar. Sipas saj, këto vizita synojnë të shprehin mirënjohje për mbështetjen dhe besimin e dhënë gjatë ushtrimit të detyrës, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
“Jo absolutisht. I falënderoj qytetarët për përkrahjen...,” tha ajo.
Ndërkaq gjatë një tubimi me qytetarë në Podujeva, Vjosa Osmani deklaroi se nuk mund të prononcohet publikisht deri më 4 prill se a mund të kthehet në LDK, datë që shënon përfundimin e mandatit të saj. Megjithatë, ajo theksoi se kjo nuk duhet t’u pengojë atyre të shprehin lirisht qëndrimet dhe diskutimet e tyre në publik.
“Unë iu thash edhe pak më herët, unë deri më 4 prill s’mund të flas, por kjo nuk domethënë se ju s’bën me fol. Ju kallëzoni çka po doni ju.”
Fushata e egër kundër Osmanit
Vjosa Osmani kohëve të fundit po e merr “trajtimin” e maçinerisë së linçimit nga përkhrahës të Vetëvendosjes me orar të plotë e tre-ndërrimësh. Askush nga Vetëvendosje, me përjashtim të Haxhi Avdylit (që u dorëhoq nga Guxo) dhe Mimoza Kusari-Lilës së Alternativës që i dënoi, nuk janë distancuar nga kjo fushatë. Qindra, në mos mijëra, përmbajtje propagandistike janë drejtuar kundër Osmanit, deri në gjenerime me inteligjencë artificiale të përmbajtjeve prej më denigrueseve.
Në këtë baltosje një profil kryeson: e ashtuquajtura “Jona Çitaku,” profil i rremë i një gjoja-gruaje që Nacionale kishte raportuar gjerësisht mbi natyrën e përmbajtjeve propagandistike pro-Vetëvendosjes dhe demonizimit të rivalëve politikë dhe kundërshtuesve tjerë. Një postim nga e ashtuquajtura “Jona Çitaku” gjeneron angazhime enorme dhe shtrirje e shpërndarje të gjerë te përkrahës të partisë së Albin Kurtit.
Dy ose tri janë lajtmotivet që shtyhen përpara. Një: Vjosa Osmani konspiron dhe synon puç [sic] të shtyrë nga Edi Ramën. Dy: Aty është përfshirë [sic] Grenelli. Tre: Krejt kjo e fascilituar [sic] nga Baton Haxhiu. Pafund gjenerime me inteligjencë artificiale është e prodhuar për të dhënë këtë pamje me Osmanin duke kërcyer me Grenellin, Haxhiun dhe Ramën.
Në këtë tregim të “puçit” që po servohet te përkrahës tjerë të painformuar të Vetëvendosjes, jepet largimi i Elisa Spiropalit nga qeveria shqiptare, si gjoja “ajo erdhi në Kosovë dhe e paralajmëroi Kurtin për planin për puç.” Një tregim i tillë, i pambështetur, dhe fiktiv, ka gjetur audiencë të gjerë. Gjuha shkoi deri në atë pikë sa fjalët ndaj saj shkuan deri edhe në oktava “pushkatimi.”