Një "fake news" dhe një grumbull postimesh pa lidhje: Taktika e çoroditur e shefit të VV-së për media - NACIONALE

Një "fake news" dhe një grumbull postimesh pa lidhje: Taktika e çoroditur e shefit të VV-së për media

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një lajm të rremë (Fake News) dhe një grumbull statusesh ku nuk adresohet skandali i ryshfetit. Kjo është taktika e deritashme e zëdhënësit të Vetëvendosjes për të shpërqendruar vëmendjen e publikut nga afera korruptive e dajëve të militantit të tyre që punon si këshilltar financiar te Liburn Aliu.

Njeriu i cili drejton komunikimin publik të të gjithë zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes – duke mos përfshirë kryeministrin Albin Kurti – e që quhet Arlind Manxhuka, duket se po ndjen siklet të madh pas publikimit të përgjimeve që tregojnë se si kompania e dajës së këshilltarit financiar të Liburn Aliut kërkoi ryshfet për të kryer punë me ministrinë e Liburn Aliut. Manxhuka po lanson postim pas postimi këto orët e fundit, por pa u marrë fare me përgjimet.

Statusi i fundit ka ardhur disa minuta më herët (ora aktualisht: 12:47, 5 qershor 2022) dhe flet se si Ministria e Liburn Aliut ka dorëzuar në prokurori kontratën “Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës për vitet 2017-2019”.

Manxhuka i ka bërë gati 10 statuse në lidhje me skandalin e Liburn Aliut, por asnjëri prej tyre nuk adreson skandalin me ryshfet.

Manxhuka nuk konteston që këshilltari financiar në Ministrinë e Infrastrukturës, Florent Ramqaj, e ka dajë z. Halil Jaha, pronar i kompanisë që kërkon ryshfet. Ai nuk konteston as që Ramqaj ka punuar në kompaninë e dajës, e as konfliktin e qartë të interesit.

Gjatë intervistës që ministri Liburn Aliu e dha në emisionin Pressing më 3 qershor, Manxhuka ka shkruar “Ministri Liburn Aliu duke çmontuar fluskën e ditëve të fundit.”

Në fakt, në atë intervistë ministri Aliu tregoi se e njihte dajën e Florent Ramqajt, z. Halil Jahaj dhe se të njëjtin madje e kishte takuar në një takim në Lëvizjen Vetëvendosje.

Aliu nuk mohoi autenticitetin e përgjimit ndërsa dështoi të mohonte lidhjet e këshilltarit të tij financiar me të përgjuarin dhe kompaninë në të cilën punonte.

Por, Manxhuka vazhdon të shkruajë e t’i lidh përgjimet me ndonjë sulm të motivuar politikisht.

Madje, në statusin e tij të parafundit ai kthehet më datën 2 tetor 2021, kur kryeministri Kurti “njoftoi se terminali doganor në Mitrovicë i kthehet Trepçës”.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes ka marrë mëngjesin e sotëm një qortim edhe nga aktivisti i Organizatës Politike në Shqipëri që shkroi si vijon: “ndaj një dyshimi të tillë nuk keni të drejtë të na i hidhni trutë e gomarit duke e shitur si sulm e shpifje.”

Sidoqoftë, për fat të keq postimet e z. Manxhuka shpërndahen edhe nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës që ka emrin Përparim Kryeziu.

Në mënyrë që të mos shpërqendrohet vëmendja për skandalin e Liburn Aliut, së fundi Arlind Manxhuka ka shpërndarë një lajm të rremë nga një portal i panjohur e në të cilin shkruan se Xhelal Sveçla i ka dhuruar shtetit një orë Rolex të dhuruar nga kryeminsitri i Katarit.

“EKSKLUZIVE| Kryeministri i Katarit i dhuron Sveçlës “Rolex” prej 30 mijë eurosh, ai nuk e merr për vete, ja dhuron shtetit” – ishte titulli i këtij lajmi, që u përcoll me shkrimin e Manxhukës me fjalët: “Gjest i jashtëzakonshëm i ministrit Xhelal Sveçla”

Në fakt, z. Sveçla ishte i detyruar që ta kthente dhe lajmëronte dhuratën në ministrinë përkatëse. Pra, ai nuk ia dhuroi shtetit dhuratën në fjalë.

Duke qenë se vizita e Sveçlës ishte vizitë zyrtare atëherë i bie që edhe dhurata ka qenë zyrtare. E sipas ligjit, këto dhuratat janë dhurata protokollare.

2. Dhuratat protokollare konsiderohen dhuratat e sjella nga përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe të organizatave ndërkombëtare gjatë vizitave dhe rasteve të tjera dhe dhuratat e sjella në kushte të ngjashme.

Ndërsa Neni 12 “Regjistrimi i dhuratave” i po këtij ligji thotë se të gjitha dhuratat duhet të regjistrohen në regjistrin për dhurata.

Të gjitha dhuratat e pranuara dhe vlera e tyre përkatëse, si dhe emrat e personave që kanë dhënë dhuratën, duhet të regjistrohen në regjistrin e dhuratave nga personi zyrtar që përcaktohet nga Agjencia dhe që mbahen nga institucioni, në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën.”, thuhet në Nenin 12, pika numër 2.

Lajme të ngjashme