Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për kryerje të sulmit kibernetik ndaj gazetës “Nacionale”
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër personit i cili në korrik të vitit të kaluar ka kryer sulm kibernetik ndaj gazetës “Nacionale”.
Në komunikatën për medie të prokurorisë është thënë se i pandehuri S.Ç. me veprimin e tij ka kryer në vazhdimësi veprën penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, nga neni 327, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka kryer sulm kibernetik të llojit DDoS ndaj gazetës Nacionale.
“Sipas aktakuzës, më 10 korrik 2022 në Prishtinë, i pandehuri i lartcekur, përmes Laptopit të tij të llojit “Lenovo”, pa autorizim dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të shkaktimit të dëmit të personit tjetër, ka kryer sulm kibernetik të llojit DDoS ndaj të dëmtuarës portalit “Nacionale”, i cili ka rezultuar me degradimin dhe mosfunksionim normal të portalit,” - është thënë në njoftim.
Më tej, tregohet se si është bërë sulmi ndaj gazetës.
“Po ashtu më 13 korrik 2022, i njëjti e ka skanuar në vazhdimësi web faqen e të dëmtuarës përmes programeve të veçanta nëpërmjet internetit dhe ka tentuar të qaset edhe në panelin (indeks fajllin) e web faqes me qëllim që të gjejë dobësi për tu qasur pa autorizim brenda sajtit, andaj me këtë ka kryer veprën penale të lartcekur,” - është thënë në njoftimin e prokurorisë.
Prokuroria ka kërkuar që i pandehuri të shpallet fajtor për veprën e kryer.
“Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë,” - është thënë në njoftim.
Sulmet kishin nxitur reagime
Vitin e kaluar gazeta Nacionale ishte përballur me sulme të mëdha kibernetike. Sulmet kishin vazhduar me ditë të tëra. Ato kishin rezultuar me vështirësi të mëdha në punë, duke pamundësuar operimi normal të gazetës.
Veprime të tilla ishin konsideruar edhe si sulme ndaj fjalës së lirë dhe dëmtim në aspektin financiar të mediumit.
Këto raste gazeta i kishte raportuar në Policinë e Kosovës, njësitin për Krime Kibernetike.
Sulmet kibernetike ndaj gaztës kishin nxitur reagime të shumta në vend.
Ndaj këtyre sulmeve kishte reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
AGK-ja kishte kërkua nga organet e rendit që të hetojnë urgjentisht këtë rast.
"AGK-ja kërkon nga Policia e Kosovës, dhe Njësiti për Krime Kibernetike që të hetojnë urgjentisht burimin e këtyre sulmeve dhe gjetjen e autorëve të këtij organizimi", ishte thënë në reagimin e AGK-së.


