Si dështoi presioni ndaj KGJK-së nga pushteti, anëtarët u përplasën dhe mbledhja u ndërpre
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, duke e përdorur pozitën në të cilën ndodhet, është munduar të ushtrojë ndikim te Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), përmes konferencës për shtyp vetëm dy orë, para se këta të fundit të mbanin mbledhjen ku do të vendosej “fati” i gjyqtarëve të dorëhequr nga komuniteti serb, e që kanë kërkuar të tërhiqen nga dorëheqjet.
Haxhiut dhe disa akterëve të LVV-së u dështoi presioni i ushtruar publikisht mbi KGJK-në, vetëm dy orë para se këta të fundit të mbanin mbledhjen e radhës, ku në rendin e ditës, pika 9, do të diskutohej për çështjen e gjyqtarëve serbë të dorëhequr.
Në fjalën e saj, Haxhiu kishte një mal me kritika ndaj KGJK-së, duke vënë në dyshim profesionalizmin e tyre.
Edhe pse Bashkimi Evropian kishte bërë thirrje ndaj partive politike në Kosovë që të përmbahen nga presioni ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), kjo hasi në vesh të shurdhër nga akterët e VV-së, deputetë, ministra në detyrë e deri te u.d. e Presidentes.
Nga foltorja e u.d. së Presidentes, u bë thirrje që KGJK të mos pranojë kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në veri.
“Sytë tanë sot janë te Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sepse nëse KGJK vepron në kundërshtim me ligjin, atëherë këtu kemi të bëjmë me një precedent shumë të rrezikshëm”, tha Haxhiu ndër tjera.

Presioni i Haxhiut u ndje edhe te disa anëtarë të KGJK-së.
Me të filluar mbledhja e KGJK-së, filluan edhe akuzat brenda anëtarëve të KGJK-së.
Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, e theksoi se kjo çështje është aktualizuar pas kërkesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, drejtuar KGJK-së.
Pas diskutimeve të tensionuara, anëtari tjetër Ahmet Imami e bojkotoi seancën. Praktikën e tij e ndoqën edhe anëtarët Besnik Bislimaj dhe Fahret Vellija.
E pas kësaj, kryesuesi i KGJK-së mbylli mbledhjen, ndërsa tha se për mbledhjen e radhës do të njoftoheni.

Kjo mënyrë e njohur nga VV-ja për të ushtruar presion ndaj personave e organeve që nuk ia përfillin kërkesat dhe agjendat politike, dështoi, pasi KGJK-ja e ndërpreu mbledhjen.
Gjyqtarët dhe prokurorët serbë patën dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022 si pjesë e një bojkoti të organizuar politik, në shenjë revolte ndaj zhvillimeve në këtë veri të Kosovës.
KGJK-ja ka pasur në rend dite shqyrtimin e kërkesave të tyre për rikthim, gjë që ka nxitur reagimin e ashpër të u.d. së Presidentes dhe akter të tjerë të VV-së.