Sot mbahen zgjedhjet e VV-së - Siç pritej, Kurti i vetmi kandidat për kryetar - NACIONALE

Sot mbahen zgjedhjet e VV-së - Siç pritej, Kurti i vetmi kandidat për kryetar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dramës në Lëvizjen Vetëvendosje po i vjen fundi. Të paktën, asaj që pamë në publik. Subjekti politik që udhëheq vendin sot mban zgjedhjet e brendshme. Kandidat i vetëm për kryetar, siç edhe pritej, është lideri i pakontestueshëm i kësaj partie, Albin Kurti.

Nga ora 10:00 deri në 18:00, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje do të kenë mundësi të votojnë për kryetarin e partisë, kryetaren e Gruas në LVV, kryetarin e Rinisë në LVV dhe kryetarët nëpër qendra të ndryshme.

E diela e kësaj fundjave (25 shtator) përmbyllë procesin e rëndësishëm të zgjedhjeve të brendshme në Lëvizjen...

Posted by Lëvizja VETËVENDOSJE! on Friday, September 23, 2022

Këto ditë ishim dëshmitarë të përplasjeve, dorëheqjeve, eliminimeve, në këtë garë që u konsiderua shumë problematike. Partia në pushtet, eliminioi anëtarët e saj, duke favorizuar të tjerë.

Kjo nuk kishte nevojë të bëhej për kryetarin e partisë, pasi që siç pritej, kandidat i vetëm është Albin Kurti.

Çka u tha Kurti bashkëpartiakëve?

Për ta paraqitur platformën e tij për kryetar të partisë, Kurti mbajti një fjalim mjaft të gjatë në një tubim me bashkëpartiakët e tij.

Ai paraqiti 10 pika të programit të tij, derisa kërkoi besimin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ani pse është i vetmi kandidat në garë.

“Sot kërkoj votëbesimin tuaj edhe për katër vite të tjera në krye të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në prag të zgjedhjeve të së dielës së 25 shtatorit. Platforma ime programore për periudhën 2022-2026 është e mbështetur në këto pika themelore: (1) Rritja e numrit të anëtarëve të moshave të reja; (2) Rritja e anëtarësisë së vajzave dhe grave; (3) Krijimi i kohezionit midis brezave, grupeve shoqërore, e botëkuptimore; (4) Forcimi i shkollës politike dhe dimensionit ekzekutiv të saj; (5) Promovimi i organizimit sindikal në sektorin privat; (6) Përgatitja e burimeve njerëzore dhe programore për Zgjedhjet lokale 2025; (7) Përgatitja e Platformës politike për mandatin e dytë të Qeverisjes; (Rritja e rrjetit të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mërgatë; (9) Angazhimi i studentëve dhe profesionistëve në organizatën politike të Lëvizjes; (10) Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ai jashtë shtetit e brenda kombit tonë. Le t’i marrim me radhë”, tha Kurti.

Eliminimet

Para zgjedhjeve që mbahen nesër, pati shumë eliminime. Këtë, VV-ja e zgjodhi si formë për t’i larguar nga gara disa aktivistë, duke ua dhënë një vendim për ta lexuar, por që nuk kishin të drejtë ta fotografonin, e as nuk u është nisur online.

Refuzohet kandidatura për Kryetarë të Qendrës, sepse nuk është në përputhje me kriteret e deklaratës së bashkëngjitur për kandidatët për pozicionet drejtuese në LVV”, ishte arsyetimi i partisë për, thuajse, secilin kandidat që e eliminoi.

Nacionale, ditë më parë raportoi se Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i kësaj partie, ua mohoi të drejtën për të kandiduar rreth 20 aktivistëve.

Në këtë mënyrë është vepruar në garën për Qendrën e Mitrovicës, ku i vetmi kandidat për kryetar ka mbetur deputeti Armend Muja.

Në garë për ta parin e Qendrës në Prizren është vetëm deputeti Artan Abrashi, ndërsa aktivisti Beni Kizolli është eliminuar nga gara.

Njëjtë qëndron puna edhe në Ferizaj. Dega e LV-së në këtë qytet ka njoftuar dje se kandidatja e vetme për kryetare të VV-së në Ferizaj është Fatbardha Zogaj-Reka.

Po ashtu në Lipjan, në garë ka mbetur vetëm deputeti Adnan Rrustemi.

Ndërsa, në Podujevë Shpejtim Bulliqi është kandidati i vetëm që do të jetë në garë.

Pra, përveç për kryetar të partisë, edhe për kryetar të degëve, në shumicën prej tyre ka vetëm nga një kandidatë.

Lajme të ngjashme