1 vit e gjysmë në pushtet, Kurti e feston me një status plot me lëvdata për veten dhe Qeverinë - NACIONALE

1 vit e gjysmë në pushtet, Kurti e feston me një status plot me lëvdata për veten dhe Qeverinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

1 vit e gjysmë që nga ardhja në pushtet, kryeministri Albin Kurti po e “feston” me një status në Facebook. Ai ka rënditur disa të dhëna, që konsideron se janë sukses për këtë kohë sa është në krye të ekzekutivit, përkundër kritikave që ka marrë, duke përmendur edhe ato nga qytetarët që kanë pasur pritshmëri të mëdha nga ai.

Rritja ekonomike, gjendja në arsim, në drejtësi, në politikën e jashtme – Kurti po konsideron se në të gjitha këto fusha ka arritur sukses.

“Përkundër krizave globale shëndetësore dhe energjetike, vitin që lamë pas shënuam rritje ekonomike prej 10,7% që është edhe rritja më e madhe në rajon. Ndërkaq, në çerekun e parë të këtij viti patëm 4.9% rritje ekonomike. Në 2021 kishim pakon e ringjalljes ekonomike me mbi 300 milionë euro, kurse sivjet duke shtuar edhe pakon e përballjes me inflacion mbështetja po i kalon edhe 350 milionë euro të tjera. Shtesat për lehonat e fëmijët, pensionistët e personat me aftësi të kufizuara, mbështetje për prodhuesit e eksportuesit, fermerët e studentët, mësimdhënësit e stafin shëndetësor, për kursyesit e energjisë dhe 13 kuzhina popullore etj”, shkruan kryeministri, në një postim të publikuar mbrëmjen e së premtes.

Të hyrat në doganë e ATK, sipas Kurtit, janë rritur nën qeverisjen e tij, njëjtë konsideron se ka ndodhur me eksportin.

Të arritur të madhe, shefi i ekzekutivit e cilëson edhe marrëveshjen me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit – MCC, ani pse e njëjta është aprovuar para se ai të vinte në pushtet.

Kryeministri në këtë shkrim të gjatë, ka pëmrendur edhe arsimin publik, por jo edhe grevat – për të cilat nuk po ia del të gjejë zgjidhje duke refuzuar çdo kompromis të mundshëm me sindikatat.

“Kemi investuar në mbrojtje duke dyfishuar buxhetin. Kemi luftuar krimin dhe kontrabandën në gjithë territorin e vendit”, thotë tutje ai.

Mes tjerash, përmendet edhe Vettingu në drejtësi e Byroja Shtetërore, duke thënë se kanë filluar reformat e kërkuara nga qytetarët, çështje për të cilën, iu largua deputetja Doarsa Kica – Xhelili, e cila tha se nuk po realizohet në formën e duhur.

Gjykata Komerciale, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, liria e mediave, heqja e pengesave në për liberalizimin e vizave – janë disa prej çështjeve të tjera që ka përmendur kryeministri Kurti.

Megjithatë, tretet 50 përqindëshi

Përkundër këtyre që kryeministri Kurti po konsideron që i ka bërë, përkrahja ndaj tij është tretur.

Nga 50 për qind, përkrahja për Qeverinë Kurti ka rënë në 37 për qind. Kështu tregon sondazhi i fundit nga UBO Consulting të cilin e publikoi Nacionale këtë javë.

Partia e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti duket se nuk e gëzon më popullaritetin e gjysmës së votuesve të zgjedhjeve parlamentare.

Vetëm 37.3 për qind ka përkrahje aktualisht Lëvizja Vetëvendosje. Lidhja Demokratike e Kosovës në anën tjetër, po shënon rritje, ku sondazhi i shtatorit e vendos në 22.3 për qind të përkrahjes qytetare.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po ashtu, ka shënuar rritje në 7.7 për qind.

Ndërkaq, partia më e madhe opozitare aktualisht, PDK, gëzon 21.7 për qind të përkrahjes së qytetarëve, sipas sondazhit të fundit.

Lajme të ngjashme